E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, mazhoranca shmang 29 nëntorin

25/11/2009  Të djathtët aktivitete deri ditën e pavarësisë

Të majtët do të vijojnë ta përkujtojnë si ditë çlirimi

Programi për festat e nëntorit është planifikuar të zgjasë deri më 28 nëntor. Kjo është parashikuar nga një program i dërguar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për sa i përket festës së çlirimit, e cila për të djathtët dhe një herë do të festohet së bashku me ditën e pavarësisë, pra më 28 nëntor. Sipas programit të dërguar nga Ministria e Kulturës, shihet se evenimentet kulturore fillojnë më 23 nëntor dhe zgjasin deri më 28 nëntor, ndërsa për datën 29 nëntor nuk është parashikuar asnjë aktivitet, të paktën aktivitete kulturore. Burime nga qeveria që merren me organizimin e festave, thanë dje se në aktivitetet e maxhorancës nuk është parashikuar gjë për datën 29 këndor.

Ndërkohë nga kampi tjetër nuk do të ndodhë e njëjta gjë. Burime nga opozita, megjithëse shprehen se ende nuk është hartuar programi për festat, sërish pohojnë faktin se data 29 nëntor do të jetë ajo që do shënojë kulmin e aktiviteteve për të majtën, e cila, si në të gjitha herët, do të ndjekë një axhendë të përcaktuar me vizita në familje dëshmorësh, takime me veteranët apo vendosje kurorash nëpër lapidarë të luftës. Edhe këtë vit politika do të festojë e ndarë festat kombëtare, ashtu si dhe vitet e tjera. Nga ana e tyre të djathtët nuk pranojnë si datë të çlirimit datën 29, e cila përkon dhe me festën kombëtare të Serbisë. Sipas tyre, vendosja artificiale e kësaj date është një tallje me historinë dhe ka të bëjë më shumë me lavdinë personale të Enver Hoxhës sesa me përkujtimin e luftës. Ndërsa e majta, që bazën e elektoratit e ka me nostalgjikë e luftës së para 60 vjetve, shprehet se ishte data 29 nëntor ajo që finalizoi përpjekjet shumëvjeçare të popullit tonë për liri. Gjithsesi, që prej 19 vjetve këto festa përkujtohen të ndara nga ana e politikës. Madje, në qeverisjen e parë të demokratëve 29 nëntori u hoq nga kalendari i festimeve, duke u konsideruar një festë komuniste dhe antikombëtare, por ardhja e socialistëve në vitin 1997 e vendosi sërish si festë zyrtare. Në qeverisjen e dytë debati për heqjen e saj si festë zyrtare lindi sërish, por nga qeveria “Berisha” nuk u ndërmor ndonjë hap për heqjen e saj nga ditët e festave. Gjithsesi, si në opozitë, si në pushtet e djathta, megjithëse e njeh si festë zyrtare, nuk pranon të festojë në këtë datë.

LSI-ja feston më 29 nëntor

Pavarësisht koalicionit me Partinë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim do ta përkujtojë festën e çlirimit më 29 nëntor. Deputeti i SI-së Lefter Koka ka konfirmuar për gazetën “Metropol” se kjo forcë politike, megjithëse pjesë e koalicionit qeverisës, sërish do ta festojë në të njëjtën ditë me të majtën festën e çlirimit. “Pavarësisht aleancës sonë, sërish për LSI-në festa e çlirimit mbetet 29 nëntori”, - ka thënë Koka, duke mos dhënë detaje të mëtejshme. Gjithsesi, burime nga LSI-ja bëjnë të ditur se homazhet përkujtimore nga kjo forcë politike do të bëhen të ndara me PS-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›