E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, mjekët në gatishmëri për çdo pacient

Spitalet dhe poliklinikat do të jenë në gatishmëri edhe gjatë ditëve të festave. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka urdhëruar që çdo spital apo qendër shëndetësore të shtojë numrin e mjekëve roje, të sigurojë të gjitha medikamentet, sidomos për shërbimin e urgjencës, ndërsa ambulancat do të jenë në gatishmëri edhe për rastet urgjente nga rrethet. Vasili ka urdhëruar mjekët që as telefonat të mos i fikin në këto ditë. Ministri Vasili ka siguruar pacientët se ky urdhër do t’u ofrojë gatishmërinë e mjekëve dhe shërbim cilësor.
Urdhri
Gjatë një takimi me drejtuesit e spitaleve të vendit dhe drejtorët e poliklinikave, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka komunikuar urdhrin me të cilin u ka kërkuar bluzave të bardha gatishmëri në ditët e festave. Sigurim të materialeve mjekësore në shërbimin e urgjencës, përforcim të ekipeve të rojeve dhe afishimin e listave përkatëse me emrat të personelit mjekësor që do të shërbejë gjatë ditëve të festive, - ishin vetëm disa prej porosive që ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u ka adresuar të gjithë drejtuesve të shërbimeve shëndetësore në vend.
“Mjekët nuk kanë festa zyrtare dhe as fundjava. Nëse të tjerët festojnë, ne duhet të jemi në krye të detyrës”, - tha Vasili, duke shtuar se dhe ai do të jetë një ndër ata mjekë që festat e fundvitit do t’i kalojë në kryeqytet, duke monitoruar jo vetëm situatën e fundit gripale, por dhe ecurinë e punës së të gjitha qendrave shëndetësore dhe spitaleve në vend.
“Ndaj, mos ju duket çudi, nëse një moment ju bie celulari dhe numri thirrës është ai i ministrit të Shëndetësisë”, - shtoi z. Vasili, duke e vënë theksin në kujdesin maksimal dhe masat që duhet të marrin të gjitha shërbimet shëndetësore në këto ditë festash për të qenë sa më afër popullatës.
Masat
Në të gjitha shërbimet e spitaleve do të jenë të afishuara emrat e mjekëve dhe specialistëve që do të jenë në punë gjatë ditëve të festave. Në të njëjtën kohë shërbimi i urgjencës do të funksionojë përgjatë 24 orëve pa pushim. Po ashtu, do të jenë në gatishmëri të gjitha makinat dhe ambulancat për të transportuar pacientët që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Ndërkohë që shërbim mjekësor do t’u ofrohet edhe rasteve të urgjencës që do të vijnë nga rrethet.

Pikat kryesore të urdhrit

-Sigurimi i materialeve mjekësore dhe medikamenteve që nevojiten sidomos në shërbimin e urgjencës
-Përforcimi i ekipeve roje duke afishuar listat përkatëse
-Shefat e shërbimeve të përcaktojnë specialistët që do të jenë në gatishmëri “on call” në rast se paraqitet nevoja, duke afishuar listën pranë shërbimeve përkatëse dhe të urgjencës

Liri Berisha bën apel për dhurimin e gjakut për fëmijët talasemikë

Me nismën e znj. Liri Berisha, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka dhuruar gjak dje për fëmijët talasemikë. Dje, në mjediset e qendrës, i gjithë stafi ka dhuruar gjak për fëmijët talasemikë dhe pacientët e tjerë të vegjël që kanë nevojë për të. “I falënderoj të gjithë ata punonjës që vetëm për dhjetë minuta u kanë bërë këtyre fëmijëve një dhuratë kaq të çmuar”, - ka thënë drejtori i qendrës, Besnik Jakaj. Sipas drejtorit Jakaj, ky është një akt solidariteti dhe një përgjigje pozitive ndaj apeleve të shoqatës “Fëmijët Shqiptarë”. “Është një veprim, që gjithkush nga ne nuk duhet të hezitojë ta kryejë, sepse shpëton jetë”. Punonjësit e Qendrës së Kontrollit të Barnave kanë treguar gatishmëri maksimale, duke kryer një akt human. Çdo qytetar që gëzon shëndet të mirë, nuk duhet të hezitojë të dhurojë gjak. Është gjesti më njerëzor dhe human që duhet të lindë brenda secilit prej nesh. Dhurimi i gjakut nuk është vetëm detyrim qytetar. Mjekët thonë se dhurimi i gjakut të paktën një herë në vit ndihmon në pastrimin e gjakut dhe rigjenerimin e organizimit të secilit prej nesh. Askush nuk duhet ta shohë si një veprim që duhet kryer, kur të afërmit kanë nevojë. Me 400 gramë gjak të dhuruar nga trupi i tyre, punonjësit e Qendrës së Kontrollit të Barnave u dhuruan “jetë” të vegjëlve që kanë nevojë për të.

Prof. dr. Hamit Boriçi nderohet me dy çmime

Profesor doktor Hamit Boriçi është nderuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me “Çmimin e Karrierës”. Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, i akordoi profesorit çmimin, duke e vlerësuar atë për personalitetin më të spikatur në fushën e studimeve të sotme për gazetarinë dhe problemet e saj në një hark kohor mbi gjysmëshekullor. “Një kolanë e plotë botimesh dhe studimesh të realizuara prej tij përfaqësojnë pjesën kryesore të studimeve dhe hulumtimeve shkencore dhe përshkrimore për gazetarinë bashkëkohore shqiptare”, - tha Çipa.
Sipas kreut të Unionit të Gazetarëve jeta akademike e prof. dr. Boriçi përfaqëson pedagogun e palodhur, kërkuesin e përhershëm dhe sistematik, mësimdhënësin virtuoz dhe publicistin që në mënyrë kreative e përcjell përvojën personale të gazetarit si shembull të pasurimit të mëtejshëm të dijeve dhe praktikave për brezat e rinj. Po ashtu, në 10 personalitet e vitit 2009, aktivitet i përvitshëm i organizuar nga Bashkia e Tiranës, profesor doktor Hamit Boriçit i është akorduar një çmim. Kryebashkiaku Rama, gjatë ndarjes së çmimit ka vlerësuar profesorin si një ndër themeluesit e katedrës së parë të Gazetarisë dhe kontribuues i çmuar në edukimin e shumë brezash gazetarësh.

Aspirina

Gjatë shtatzënisë nuk e dëmton beben

Shpesh tek gratë shtatzëna që marrin ndonjë aspirinë gjatë atyre 9 muajve, ekziston dyshimi apo frika se kjo substancë mund të ndikojë në shëndetin e fetusit apo të shkaktojë dëme në fëmijën e palindur, siç është ai i ndryshimit të zhvillimit të trurit. Por një shqetësim i tillë prej tyre është i kotë, pasi aspirina nuk vepron në funksionimin e trombociteve apo të ndërhyjë në sistemin e gjakut mes nënës dhe fëmijës. Për të larguar këtë dyshim dhe pyetje të tjera që u lindin nënave shtatzëna, studiuesit nga departamenti i Mjekësisë në Universitetin e Rouenit në Francë kanë analizuar të dhënat mbi 656 fëmijë të lindur para javës së 33-të të ngjizjes nga 584 gra nga nëntë rajonet në Francë dhe rezultatet e studimit të tyre nuk paraqitën rreziqe të dukshme për fëmijën nga përdorimi i aspirinës.
Rezultatet treguan se gjithsesi, tek fëmijët e tyre më vonë shfaqeshin shenja të pavëmendjes dhe tek-tuk ndonjë aftësi e kufizuar, por mjekët thanë se nuk ka gjasa që kjo të ketë lidhje me përdorimin e aspirinës nga nënat e tyre gjatë shtatzënisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›