E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk pranoi të martohej, masakron me thikë 15-vjeçaren

I kishte kërkuar një vajze 15-vjeçare që të martoheshin, por pasi e mitura ka refuzuar, e ka masakruar atë me thikë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve nga policia, e mitura ndodhej në banesë kur është sulmuar nga një i ri 21-vjeçar, i cili kishte disa kohë që kishte një lidhje me të. Ajo është goditur tri herë me thikë, duke marrë plagë të rënda. Ndaj 15-vjeçares është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spitalin e qytetit. Ndërkohë që policia ka nisur kërkimet dhe po punon për arrestimin e autorit të këtij krimi të rëndë.

Ngjarja

Rreth mesditës së djeshme, klithmat e një vajze të re brenda në një banesë në periferi të qytetit të Vlorës kanë tërhequr vëmendjen e fqinjëve përreth. Të shqetësuar, disa prej tyre janë futur me shpejtësi brenda dhe janë shtangur nga ajo që kanë parë. Një i ri, i cili mbante në dorë një thikë, po sulmonte një të mitur 15-vjeçare. Ndërhyrja e shpejtë e njerëzve bëri që autori i këtij sulmi të tmerrshëm të ndalohej. Por megjithatë, ai arriti që të largohej nga vendi i ngjarjes. E mitura si pasojë e goditjeve kishte pësuar plagë të rënda. Ndaj saj u dha ndihma e parë, duke e dërguar në spitalin e qytetit bregdetar. Vajza jetonte prej disa kohësh me të atin në zonën e “ish-ushqimores”, afër pyllit të Sodës në Vlorë. Ajo ishte goditur tri herë në bark, qafë dhe kraharor, duke marrë dëmtime serioze. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, adoleshentja ende nuk e ka kaluar gjendjen e vështirë të rrezikut ndaj jetës.

Hetimet

Në vendngjarje shkoi menjëherë policia e qytetit bregdetar. U ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia mori dëshmitë e para, ndërsa identifikoi autorin e krimit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë refuzimi i të miturës ndaj kërkesës së bërë nga 21-vjeçari. Prej disa kohësh të dy kishin një lidhje. Sipas policisë, 21-vjeçari i kishte kërkuar vajzës që të martoheshin, por kjo e fundit nuk ka pranuar. Por, përgjigjja negative e ka acaruar së tepërmi 21-vjeçarin nga Durrësi, i cili e ka sulmuar atë dhunshëm me thikë. Policia po punon për arrestimin dhe vënien e tij përpara drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›