E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi Te negociohen kredite e keqija

Jaka: Negociata me bankat. Ndërtuesit: Probleme me kreditë për punët publike

Deklaratat e guvernatorit për forcim të ligjit në kuadër të mbledhjes së kredive të këqija nga bankat, ka shkaktuar reagime nga sfera e biznesit. Duke qenë se pjesa dërrmuese e kredive me probleme i takon sektorit privat, propozohen një sërë masash për të zhbllokuar gjendjen e krijuar, sidomos në tre vitet e fundit. Kriza ekonomike ka vënë në vështirësi shumë biznese, të cilat po punojnë në kushte të vështira, gati me gjysmën e kapacitetit, ndërsa me të ardhurat që krijojnë e kanë të pamundur t’u përgjigjen në kohë bankave për të shlyer kredinë.

Për këto arsye, prej më shumë se një viti Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ka nisur negociatat me bankat për të rishikuar kushtet e kontratave të kredive me probleme. Në pritje të ndryshimit të situatës, bizneset kanë marrë si përgjigje qëndrimet e kundërta të guvernatorit, i cili dy ditë më parë u kërkoi bankave të kenë kujdes në mbledhjen e kredive me probleme.

“Prej kohësh kemi nisur diskutimet me bankat dhe kemi propozuar disa pika që tentojnë të zhbllokojnë situatën e vështirë të krijuar te bizneset që kanë plane investime”, tha për “Shqip”, kreu i Dhomës, Nikolin Jaka. Katër janë propozimet konkrete të biznesit drejtuar bankave, ku kryesorja lidhet me ngrirjen për një periudhë të caktuar kohe të kredive të këqija. “Të shikohet mundësia e ngrirjes së përkohshëm deri në një vit të kredive të këqija”, thotë Jaka, i cili pranon se arritja e kësaj marrëveshje kërkon negociata dhe partneritet me bankat. Gjithashtu, ai sugjeron ristrukturimin e disa kredive, që biznese të ndryshme kanë marrë në disa banka tregtare. “Kemi propozuar edhe rishikimin e përqindjes së normave të interesit, si dhe zgjatjen e afateve të shlyerjes”, deklaron për gazetën Jaka, duke marrë si shembull aksionet e ngjashme të ndërmarra nga Banka Qendrore Europiane për ekonomitë dhe vendet e krizës.

Kërkesat e biznesit për ndryshimin e kushteve të kredive me probleme bëhet në situatën kur depozitat kanë pësuar rritje me rreth 500 milionë dollarë për vitin 2010.

Krizën ekonomike në vend e ka vuajtur më tepër sektori i ndërtimit, i cili deklaron me bindje të plotë se prej dy vitesh gjendet në stanjacion të plotë. “Deklaratat e guvernatorit qëndrojnë deri në një farë mase, pasi fundja çdo kredi e dhënë nga bankat duhet të kthehet pas nga biznesi. Por për ne të ndërtimit situata duhet parë më ndryshe. Ne kemi marrë kredi për të ndërtuar vepra publike, kurse qeveria nuk po na i shlyen këto detyrime. Në këto kushte po gjendemi në vështirësi dhe pikërisht për të tilla situata Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar rishikimin e kontratave”, thotë për “Shqip” Maksim Muçi, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve. Ai thotë se shoqata u ka kërkuar autoriteteve kompetente të ndërhyjë tek interesat e larta të kredive që janë marrë për të ndërtuar objekte publike, kryesisht rrugë.

Këndvështrim tjetër paraqet Konfindustria, sipas së cilës, Banka e Shqipërisë nuk duhet t’i drejtojë bankat drejt një procesi që vetë ata e kanë me merak. “Natyrisht që bankat e nivelit të dytë kanë interes të forcojnë përmbarimin, pasi realizojnë objektivin për të mbledhur kreditë e këqija dhe me këtë rast shmangin situatën e vështirë ekonomike. Gjykoj se kjo masë duhet të ndërmerret. Ka ikur koha që çdokush mund të marrë kredi, ndërsa sot, me modelet e reja ekonomike, tregu do të jetë më i kujdesshëm”, thotë Buxhuku. Duke e lidhur në një farë mënyre me procesin e falimentit, moslikuidimi në kohë i kredisë, Buxhuku thotë se ky proces në një farë mënyre i bën mirë ekonomisë, pasi i riorienton burimet dhe kapacitetet financiare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›