E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë me krisma

Me ardhjen e Vitit të Ri, shtohet edhe shitja e mjeteve piroteknike. Ato tregtohen dhe përdoren nga çdo grupmoshë, edhe pse sipas një udhëzimi administrativ, qytetarëve që u lejohet përdorimi i këtyre mjeteve, duhet të jenë mbi 18 vjeç. Nga Lirita Halili më 28 dhjetor 2010 në ora 12:20

Përgatitjet për festën e fundvitit, tashmë ka filluar. E bashkë me përgatitjet, ka nisur edhe shitja e mjeteve piroteknike. Shitësit e tyre mund t’i gjeni kudo, në rrugë, dyqane, madje disa nga ata, kanë zgjedhur makinat e tyre për ta zhvilluar këtë biznes.

Krismat e fishekzjarrëve, petardëve dhe mjeteve të tjera piroteknike, kanë filluar shumë para se të nisin këto festat e fundvitit. Fëmijët i shkrepin pa kontroll, pa ndonjë arsye festimi.

Përveç që krismat që lëshojnë, frikëson shumë kalimtarë, ato edhe shiten vend e pa vend, nga çdo grupmoshë, edhe pse shitja dhe kriteret për përdorimin e mjeteve të tilla piroteknike, janë rregulluar me një udhëzim administrativ të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Përdorimi i mjeteve piroteknike janë të rregulluara dhe të parapara me udhëzimin administrativ 26/2008, i cili specifikon qartë përdorimin e mjeteve piroteknike dhe tregtimin e mjeteve piroteknike, si dhe personat apo grupmoshat të cilat kanë të drejtë t’i përdorin këto mjete piroteknike. Sipas këtij udhëzimi, qytetarëve që u lejohet përdorimi i mjeteve piroteknike, duhet të jenë mbi moshën 18 vjeç.

E, përveç përcaktimit të moshës, në bazë të këtij udhëzimi, shitja e mjeteve piroteknike apo tregtimi i tyre bëhet nga personat dhe kompanitë e licencuara. Shitja e tyre mund të bëhet nga data 19 dhjetor deri më 1 janar. Ndërsa përdorimi i tyre nga ky udhëzim, parashihet të bëhet prej datës 26 dhjetor deri më 2 janar.

Megjithatë, ky është vetëm një udhëzim administrativ. Këto mjete piroteknike, jo vetëm që shiten nga persona nën moshën e lejuar, por edhe shitja e tyre bëhet vend e pa vend.

Gazmend Abazi është një 17-vjeçar nga Prishtina, i cili nga fillimi i dhjetorit, çdo ditë del në sheshin “Nëna Tereze”, për të shitur bredha, zbukurime dhe drita për Vitin e Ri. Përveç këtyre, ai shet edhe mjete piroteknike, ndër më të ndryshmet.

“Petardët edhe fishekzjarrët i shes se fitoj shumë. Ndodh nga një ditë i bëj afër 300 euro”, rrëfen Gazmendi për Express.
Por, ai thotë se e ka problem pak moshën. “Kanë ardhë njëherë policia, kanë deshtë m’e marrë komplet mallin, por ishte vëllai im i madh këtu e shpëtova”, thotë ai.

Sidoqoftë, Gazmendi thotë se, pavarësisht moshës që ka, atij i duhen të hollat që i fiton me shitjen e mjeteve piroteknike. “Unë i shes kujtdo qe vjen me ble, se kam nevojë për këto pare. E di që nuk më lejohet shitja mu, e as moshatarëve të mi, po unë i shes”, pohon ai

Por pjesëtarë të Policisë së Kosovës nuk ua vënë fajin këtyre shitësve ambulantë. Brahim Sadriu, zyrtar për informim i Policisë së Kosovës, thotë se kompanitë që licencohen për shitjen e mjeteve piroteknike, duhet që patjetër t’i plotësojnë disa kritere.

“Përveç ditëve të caktuara që u lejohet shitja e piroteknikës, ata mund edhe mallin e tyre t’ua shesin tregtarëve tjerë. Megjithatë, ata tregtarë duhet që patjetër mjetet piroteknike t’i shesin në ambiente të mbyllura”, pohon Sadriu për Express.

Ai është i vetëdijshëm se kjo pjesë e udhëzimit administrativ ka raste kur edhe nuk respektohet. Megjithatë, shitja e këtyre mjeteve në rrugë, konsiderohet si punë.

“Policia reagon kur shkelet ligji. Edhe për çështjen e kësaj kemi pas aksione. Por, përderisa shitja e tyre konsiderohet si punë, ne automatikisht bashkëpunojmë me Inspektoratin e Komunës së Prishtinës”, u shpreh zëdhënësi Sadriu.

“Pastaj, Inspeksioni merret me anën e licencës nëse ai person posedon ose jo për shitjen e këtyre mjeteve piroteknike. E, gjithashtu edhe moshën e lejuar sipas udhëzimit administrativ”, sqaron Brahim Sadriu, i cili apelon shitësit që këto mjete mos t’ua shiten të miturve.

Ndryshe, statistikat e fundvitit të kaluar tregojnë se përgjatë mbrëmjes së Vitit të Ri, nëpër qendrat emergjente në tërë Kosovën, ndihmë kanë kërkuar një numër i konsiderueshëm i të lënduarve. Ndërsa vetëm në Prishtinë janë trajtuar më shumë se 100 raste të djegieve dhe dëmtimit të gjymtyrëve të trupit. E, shkaktari kryesor ishte për të gjithë i njëjtë, moskujdesi në përdorimin e mjeteve piroteknike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›