Serbët duan të përfshihen në dialog
Përfaqësuesit e serbëve kosovarë në institucione e shohin të domosdoshme përfshirjen e tyre në dialogun Prishtinë-Beograd. Por, Qeveria e Serbisë një gjë të tillë e sheh të panevojshme. Thotë se ata nuk janë faktor.
Përfaqësuesit e serbëve pjesëmarrës në institucionet e Kosovës duan të përfshihen në bisedimet Prishtinë-Beograd. Këtë hap ata e konsiderojnë pjesë të përgjegjësisë që ata kanë në Kosovë. Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale në qeverinë e deritashme të Kosovës, Nenad Rasic, thotë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës duhet të marrin pjesë në bisedimet Prishtinë-Beograd, edhe pse ai është i vetëdijshëm që këtë nuk mund ta imponojë.
“Meqenëse negociatat teknike Kosovë-Serbi do të nisin rishtazi, unë jam i mendimit se secili prej nesh duhet të marrë një përgjegjësi dhe bazuar në këtë përgjegjësi, ne mund të marrim pjesë në to, natyrisht nëse jemi të ftuar”, ka thënë Rasiq, raporton Deutsche Welle.
Rasic kujton bisedimet e mëhershme Kosovë-Serbi, ku përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk kanë qenë shumë të informuar se çfarë po ndodh në to. Ai ka shpresë se fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi do të shkojë në rrugën e duhur dhe do të sjellë përfundimisht pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Mirëpo, Qeveria e Serbisë nuk e sheh të nevojshme përfshirjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, sepse, sipas saj, ky dialog është iniciuar nga Bashkimi Europian.
“Jo. Dialogu ndodh për shkak se janë krijuar kushtet për këtë dhe ekzistojnë nevoja urgjente, ndërsa edhe pala e tretë, Bashkimi Europian, është shumë e interesuar për relaksimin e situatës politike në Ballkan”, thotë sekretari i Shtetit në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanovic.
Sipas tij, serbët e Kosovës nuk janë aktorë në këtë mes. “Përvoja jonë është se serbët e Kosovës nuk janë konsideruar si faktor politik në Kosovë, as nga shqiptarët e Kosovës, e as nga bashkësia ndërkombëtare”.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës në largim, Hajredin Kuçi, këmbëngul se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do ta kenë rolin e tyre në bisedat Kosovë-Serbi, madje ata do të jenë edhe pjesë e delegacionit.
“Ata do ta luajnë rolin e tyre, sipas temave që do të diskutohen dhe në këtë drejtim do të jenë pjesë e barabartë e delegacionit të Kosovës. Nuk do të jenë në kuptimin e përqindjes si komunitete, por në kuptimin e temave që do të diskutohen. Si shembull, nëse bisedohet për kthimin aty do të jetë ministri i Kthimit, apo personat përgjegjës”, është shprehur Kuçi
Mirëpo, fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi mund të shtyhet edhe për një kohë deri në konsolidimin e institucioneve të reja të Kosovës, thonë analistët e pavarur. Në këtë linjë, një ndër faktorët e tjerë që mund të zgjasë fillimin e bisedimeve, është edhe raporti i fundit i hetuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty dhe, po ashtu, zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të cilat pritet të mbahen nga fundi i vitit të ardhshëm.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ka thënë për mediat serbe se dialogu nuk duhet të shtyhet, pavarësisht përmbajtjes së raportit të Dick Martyt. Ai tha se zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe shumë probleme të tjera që i shqetësojnë serbët dhe shqiptarët, duhet të jenë temat fillestare në dialogun teknik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.