E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë në teatër

Të dielën, në Ditën ndërkombëtare të Teatrit, u dhanë çmimet për dramë kombëtare “Katarina Josipi”, u promovua monografia kushtuar aktores Safete Rogova, ndërsa aktorit Bislim Muqaj iu dha çmimi vjetor për aktorin më të mirë. Nga Alfred Beka më 28 mars 2011 në ora 19:37

Prej tash e tutje aktorët e Teatrit Kombëtar nuk kanë nevojë më të ankohen për pozitën e tyre jo të mirë. Nëse realizohen premtimet e ministrit të kulturës, Memli Krasniqi, i cili u tha atyre se do të trajtohen më mirë se sa janë trajtuar deri më tani, atëherë ata kanë arsye të jenë të gëzuar.

Në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, e cila u shënua të dielën në holin e Teatrit Kombëtar, Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, e dha shpërblimin vjetor për teatër dhe shpërblimet për dramën shqipe “Katarina Josipi”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, u shpreh më këtë rast se shënimi i kësaj dite në vende të ndryshme të botës bëhet për të vlerësuar të arriturat ndërmjet dy manifestimeve.

“Rëndom në raste të tilla festive në vende të ndryshme të botës shfrytëzohet rasti për të bërë një bilanc të sukseseve si dhe të arriturave ndërmjet dy manifestimeve. Padyshim se në Kosovë edhe ne kemi arsye për të bërë një bilanc dhe për të nxjerrë një rezultat të të arriturave teatrore gjatë vitit që lamë pas, por pa dyshim që ne në Kosovë duhet që në momente të tilla të rikujtojmë dhe të ritheksojmë edhe sfidat e mëdha edhe problemet me të cilat ballafaqohen njerëzit e artit, konkretisht njerëzit e teatrit”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se më në fund, ashtu siç e parasheh ligji, shumë shpejt Teatri Kombëtar do të ketë edhe trupën, apo ansamblin rezident. Dhe kjo, sipas tij, do të ndodhë në javët e ardhshme.

“E dyta, e cila besoj ka qenë ndër kërkesat më të rëndësishme të gjithë njerëzve të teatrit, të skenës kulturore dhe artistike në vendin tonë, të gjithë artistëve, krijuesve në vend, ka qenë rregullimi i statutit juridik dhe legal por edhe financiar i të gjithë krijuesve dhe performuesve artistikë, është një kënaqësi e veçantë që edhe sot të konfirmoj para jush se kjo gjë përfundimisht, ndoshta pas dhjetë viteve me angazhime dhe premtime, do të ndodhë. Ka qenë më të vërtet e padinjitetshme një trajtim joadekuat që njerëzit me mbi 20 apo 30 vjet karrierë qoftë në teatër qoftë në zhanre tjera kanë kontribuar për të mbajtur gjallë kulturën e vendit tonë, që të trajtohen në formën siç janë trajtuar me nënshkrimin e kontratave mbi vepër çdo gjashtë muaj”, shtoi ministri Krasniqi.

Ai tha se kanë qenë të vetëdijshëm se kjo ka qenë një ndër kërkesat kryesore andaj angazhimi i tij i parë, më të marrë detyrën si ministër i kulturës, ka qenë për ta rregulluar këtë çështje.

“Sot mund të ju them një konfirmim zyrtar që kjo çështje është miratuar, kemi pasur mbështetjen e qeverisë andaj të gjithë punonjësit e institucioneve të kulturës qysh në javët e ardhshme do ta kenë këtë status të rregulluar, do të kenë kontrata të rregullta dhe do t’i kenë të gjitha beneficionet që iu vijnë me këtë çështje, duke përfshirë edhe aspektet legjislative, të ligjit të punës, pensionimit e kështu me radhë”, tha Krasniqi.

Pas fjalës së ministrit, e cila i gëzoi të pranishmit, u kumtua çmimi vjetor për aktorin më të mirë, me të cilin u nderua aktori Bislim Muqaj, ndërsa publicisti dhe kritiku i teatrit Shkëlzen Maliqi, kryetar i jurisë për dhënien e çmimeve për dramë kombëtare, në përbërje të së cilës ishin edhe Hida Halimi, shkrimtare, Musa Ramadani, shkrimtar dhe kritik i teatrit, Arta Kallaba, regjisore dhe Jeton Neziraj, dramaturg, i bëri të ditur fituesit e këtyre çmimeve. Prej 29 dramave të formateve të ndryshme, juria fillimisht kishte përzgjedhur 11 syresh që kanë hyrë në konkurrencë të ngushtë dhe prej tyre ka përzgjedhur tre fitues.

“Që në shqyrtimin e parë juria ka konstatuar se tri tekste dallohen pasi që ishin të përfshira në tre-katër vendet e para të listave preferenciale të të gjithë anëtarëve të jurisë: monodrama ‘Vrasja e Mushkonjës’ e Xhevdet Bajrës, drama ‘Citycide’ e Eli Krasniqit dhe ‘Na të birtë e shekullit të ri’ e Ridvan Dibrës. Por vendimi për çmimet dhe renditjen definitive është shtyrë për një seancë të dytë, ku është lënë mundësia që këto drama të sfidohen edhe nga disa tekste tjera, që janë përmendur si drama me cilësi të mira.
Në seancën e dytë juria ka bërë analizën e gjithanshme dhe ka vendosur unanimisht si vijon: Çmimi i parë për dramën kombëtare të Konkursit ‘Katarina Josipi’ i ndahet Xhevdet Bajrajt për mono-dramën ‘Vrasja e mushkonjës’. Vlera e këtij çmimi është 3600 euro. Çmimi i dytë i ndahet Eli Krasniqit për dramën ‘Citycide’, në vlerë prej 2400 eurosh. Çmimi i tretë i ndahet Ridvan Dibrës për dramën ‘Na të birtë e shekullit të ri’, në vlerë prej 1200 eurosh”, u shpreh Maliqi.

Tutje, Maliqi dha arsyetimet pse këto drama kanë qenë më të mira se të tjerat, duke dhenë gjithashtu nga një sinopsis të shkurtër të tyre. Maliqi shtoi se sipas propozicioneve të Konkursit, drama fituese do të vihet në repertor të TKK-së vitin e ardhshëm, kurse të tri dramat fituese do të botohen në një vëllim gjatë këtij viti.

Po ashtu, në kuadër të këtij aktiviteti, u promovua edhe monografia “Safete Rogova” e autorit Frrok Kristaj, për të cilën folën Vehap Shita dhe Remzije Ajeti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›