Festivali folklorik “Aulona”, Mitrovica merr çmimin e parë
Ansambli i Qytetit i Këngëve dhe Valleve "Rexhep Mitrovica", i Mitrovicës, u shpall mbrëmjen e të hënës fitues i çmimit të parë i Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona”, që u zhvillua gjatë tre netëve në qytetin e Vlorës. Në natën e tretë të këtij festivali u dha një koncert me pjesët më të zgjedhura nga 8 grupet pjesëmarrëse. Në përfundim, juria e Festivalit vendosi që t’i japë vlerësimin maksimal grupit nga Kosova, që vinte për herë të parë në Vlorë. Në këtë aktivitet ndërkombëtar, që shënon edhe edicionin e tretë të tij, morën pjesë 8 grupe folklorike nga Turqia, Polonia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Italia, Bullgaria e Shqipëria. Ky Festival, sipas organizatorëve, synon të sjellë në skenë folklorin burimor të vendeve të ndryshme.