E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i 50-të në RTSH Rikthehen BIG-ët

SHKRUAN: Aida Tuci 25-11-2011 14:03

“Eurosong 2012” është një tundim i madh për këngëtarët shqiptarë. Kjo shpjegohet dhe me rikthimin pas një mungese të gjatë të brezit “të vjetër” të skenës së Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Drejtuesit e festivalit e kanë cilësuar këtë edicion të radhës si një festë të madhe të këngës së lehtë shqiptare. Drejtori i festivalit, Martin Leka është shprehur se përvjetori i 50-të i Festivalit e bën edhe më të rëndësishëm këtë eveniment artistik. Festivali i fundvitit do zhvillohet në ditët e fundit të muajit dhjetor, në datat 26, 27, 28, 29 dhjetor. Pas prezantimit të këngëve, dy netët e para dhe pas mbrëmjes retrospektivë, çmimet do të ndahen në natën e katërt në Pallatin e Kongreseve. Në natën e tretë do të interpretohen 28 këngë fituese ndër vite, disa nga vetë artistët fitues dhe të tjerat, të përshtatura nga këngëtarë të tjerë. Risia e këtij edicioni është ekzekutimi live nga Orkestra Simfonike e RTSH-së e të gjitha këngëve, si dhe nga një bandë muzikore e udhëhequr nga Shpëtim Saraçi. Në skenë do të jenë 53 instrumentistë që do të luajnë tingujt e 28 këngëve konkurruese të festivalit. Fituesin e festivalit që fiton dhe të drejtën e përfaqësimit në “Eurosong” do ta përzgjedhë juria e tij, emrat e së cilës ende nuk janë bërë publikë. Siç do të shprehej edhe udhëheqësi artistik i festivalit, Shpëtim Saraçi, “në një edicion të 50-të nuk ka vend për eksperimente”.

Prezantues të Festivalit, drejtuesit ndër vite

Edhe pse të pakonfirmuar asnjëherë, emrat e Adi Krastës dhe Eda Zarit u përfolën si prezantuesit e Festivalit të 50-të në RTSH, por organizatorët e këtij edicioni konfirmuan se po mendohet një tjetër mënyrë prezantimi e edicionit të këtij viti, atë të ngjitjes në skenë të drejtuesve ndër vite. “Mund të jenë ose drejtues të vjetër të festivalit, ose të promovohen emra të rinj. Për këtë jemi akoma në diskutime”, - do të konfirmonte regjisori Osman Mula.

Në garë, emra të rinj dhe “të vjetër”

Rikthehen ata që duket se kishin hequr dorë nga pjesëmarrja në festivale, dhe sigurisht edhe shumë të rinj që kërkojnë të promovohen nga skena e Festivalit më të rëndësishëm të këngës. Në garë për çmimin e madh dhe sigurisht për t’u përfaqësuar në Festivalin Europian të Këngës i janë rikthyer skenës në RTSH emra si Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Altin Goci, Saimir Braho, Bojken Lako, i cili një vit më parë ishte në stafin e organizatorëve, ndërsa këtë vit kthehet si konkurrent në garën e madhe, por edhe Elton Deda, që rikthehet pas një mungese të gjatë në skenën e festivalit. Por nuk i mungojnë listës së gjatë të këngëtarëve edhe emra si Dr.Flori, Elhaida Dani, vëllezërit Endri dhe Stefi Prifti, Entela Zhula, Evans Rama, Goldi Halili, Gerta Mahmutaj, Herciana Matmuja, Iris Hoxha, Kamela Islamaj, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo, Marsida Saraçi, Orinda Huta, Rona Nishliu, Rudina Delia, Samanta Karavello, Sindi Berisha, Toni Mehmetaj, Xhensila Myrteza, si dhe italiani Claudio la Regina me prejardhje arbëreshe, i cili ka marrë pjesë në festival edhe dy vjet më parë. Ky i fundit, kohë më parë ka fituar Festivalin Arbëresh që organizohet çdo vit me këngë në gjuhën shqipe, në San Demetrio Corone të provincës së Cosencës, një nga zonat e Italisë ku ka përqendrime arbëreshësh. Veç këngëtarëve që kanë vite që kanë interpretuar në festival, këtë herë marrin pjesë dhe shumë kompozitorë që kanë një aktivitet të gjatë artistik, si Flamur Shehu, Edmond Zhulali, Shpëtim Kushta, Lejla Agolli, Luan Zhegu etj. Këtë vit, drejtuesit e RTSH-së nuk kanë tentuar të bëjnë eksperimente për sa i përket stafit organizativ të edicionit të 50-të, duke ia lënë në dorë organizimin “kastës” së vjetër të këtij festivali; drejtor artistik, Shpëtim Saraçi me bashkëpunëtorë Alfred Kaçinarin dhe Edmond Zhulalin, prej vitesh pjesëmarrës në këtë eveniment muzikor, regjisor Osman Mula, edhe ky një prej regjisorëve të hershëm të këtij Festivali dhe drejtor artistik, Martin Leka. Festivali i këngës, që prej vitit 2003 dërgon këngën fituese për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Për herë të parë ajo që përfaqësoi këngën shqiptare në Eurovizion ishte Anjeza Shahini, për t’u pasuar më tej nga Ledina Çelo, Luis Ejlli, Frederik Ndoci, Olta Boka, Kejsi Tola, Juliana Pasha dhe në fund Aurela Gaçe.

Një natë këngëve më të mira ndër vite

Duke qenë një përvjetor, ky edicion ofron spektakël dhe traditë. Një nga netët e këtij festivali mësohet se do t’u dedikohet këngëve më të mira të interpretuara ndër vite. Një historik i 50 viteve rrugëtim, që do të këndohet në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Shumë të ftuar specialë dhe sigurisht rikthim në skenë të një brezi që ka lënë gjurmë në skenat e festivaleve. Fundviti do të ofrojë katër net festivali dhe 28 këngë pjesëmarrëse, të cilat do të interpretohen të gjitha live për publikun. Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›