E Diel, 1 Nëntor 2026

Postera dhe video për trashëgiminë “armët” që mbrojnë trafikimin

Në kuadrin e veprimtarive të UNESCO-s për forcimin e mbrojtjes së objekteve kulturore dhe luftës kundër trafikimit të tyre të paligjshëm, Zyra e UNESCO-s në Venecia finalizoi në maj 2011 një video 15-minutëshe, me mbështetjen e komisioneve kombëtare dhe ministrive të Kulturës, për sensibilizimin në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të mallrave kulturore, kushtuar në mënyrë specifike për rajonin e Europës Juglindore. Gjeografia e filmit shtrihet në këto vende: Shqipëri, Bullgari, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Qipro, Greqi, Mal të Zi, Rumani, Serbi, Slloveni, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Turqi. E në të njëjtën kohë, në kuadër të parandalimit të trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, MTKRS-ja prezanton dy posterat e prodhuar me qëllim vendosjen e tyre në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë (shqip dhe anglisht), për të informuar qytetarët për riskun që sjell dëmtimi, transportimi dhe fshehja e informacionit lidhur me objektet e trashëgimisë kulturore. Por ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, në konferencën ndërkombëtare kushtuar luftës kundër trafikimit të objekteve kulturore, theksoi edhe rëndësinë që ka kthimi i qendrës së restaurimit në një qendër rajonale për trajnimin e specialistëve të restaurimit dhe konservimin e këtyre objekteve. Ndërkohë, posterat e realizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të shpërndahen në të gjitha pikat doganore në Shqipëri. Për mënyrën se si është konceptuar fushata nga ana e MTKRS-së në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe çfarë qëllimi ka kjo fushatë, flet drejtori i Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, Olsi Lafe. “Brenda MTKRS-së kemi mbajtur një diskutim, i cili ka pasur për qëllim të nxjerrë në pah se si shtete të tjera kanë bërë në vite të ndryshme, në funksion të Konventës së vitit 1970, fushatat e informimit dhe të parandalimit. Është shumë e lehtë dhe gjithmonë duhet të parandalosh, sesa të fillosh të kërkosh një objekt që mund të jetë në lëvizje, apo edhe më shumë se një. Menduam që të përzgjidhnim dy imazhe nga Muzeu Historik Kombëtar, përfaqësuese të arkeologjisë që nuk kanë ndonjë lidhje specifike me ndonjë çështje historike, por të cilat mund të jenë pre e grabitjeve në territore arkeologjike apo në muzetë e vendit tonë. U përzgjodhën, u dizenjuan, i fotografuan me cilësi, u hartuan tekste në konsulencë me arkeologë amerikanë. Tekstet janë në shqip e në anglisht dhe këto postera do të vijojnë të vendosen pas kësaj konferencë në pikat e kalimit kufitar, në bashkëpunim me policinë e shtetit shqiptar, dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Kufirit do të vendosen në pikat doganore në hyrje dhe në dalje”, - shpjegon drejtori Lafe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›