Weller: Pas GJND-së, 30 njohje për Kosovën
“Qëndrimi i GJND-së mund të nxisë rreth 30 shtete që shumë shpejt ta njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë për radion “Evropa e Lirë”, Marc Weller, ekspert i së drejtës ndërkombëtare në universitetin "Cambridge". Sipas tij, gjykata ka tri opsione. Mund të abstenojë nga dhënia e mendimit, por mendoj se kjo është pak e mundur. Mundësia e dytë është që çështjen ta definojë shumë ngushtë, duke analizuar legalitetin e aktit të shpalljes së pavarësisë nga ana e institucioneve të Kosovës. Konsideroj se janë të vogla gjasat që gjykata këtë akt ta kualifikojë të paligjshëm. Opsioni i tretë është që GJND-ja të shpallë një mendim të përgjithësuar për të drejtën për pavarësi dhe vetëvendosje, që do të ishte rast që të saktësohen normat e së drejtës ndërkombëtare për këto çështje. Por, nuk mendoj se GJND-ja do të vendosë për këtë qasje. Gjykata Ndërkombëtare në parim nuk ka prirje të japë mendim që nuk është në harmoni me realitetin e jetës politike ndërkombëtare, shtoi Weller. Rrjedhimisht, konsideroj se ka pak gjasa që në formë të prerë të vlerësojë jolegjitime shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Njëkohësisht, nuk besoj se do të lëshohet në analizë të gjerë për të drejtën për vetëvendosje dhe çështje të ngjashme. Pikërisht për këtë duhet pritur mendimi i balancuar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, meqë kemi të bëjmë me qëndrim jo obligues të këtij institucioni – çfarëdo të jetë – nuk duhen pritur ndryshime dramatike në terren. I pyetur nëse janë reale pohimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, se pavarësisht nga mendimi i GJND-së, Beogradi do ta vazhdojë betejën për bisedime të reja për statusin, Marc Weller u përgjigj se kjo do të varet nga qëndrimi i GJND-së. Nëse e cilëson jolegjitime shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Serbia mundet që sërish t’i drejtohet Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të kërkojë mendim të ri për pasojat e këtij akti. Por, siç thashë më lart, kjo mundësi është pak e mundur. Nëse qëndrimi i GJND-së nuk do të jetë shumë i prerë, siç presin shumica, atëherë do të ketë gjithnjë e më pak durim në Kombet e Bashkuara, për përpjekjet e Serbisë, sepse tashmë i ishte dhënë një rast që çështjen ta dërgonte në Hagë. Pra, nëse GJND-ja nuk dënon në formë të qartë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kjo me të drejtë ose jo, do të konsiderohet indikacion i aspiratës së Kosovës për pavarësi. Por, është evidente se Serbia nuk do të heqë dorë nga synimi që sërish të shqyrtohen çështje që tashmë janë elaboruar në Planin e Ahtisarit. Së paku, një çështje mbetet të zgjidhet dhe kjo ka të bëjë me mossuksesin e institucioneve të Prishtinës, që të vërë kontroll dhe administrim në veri të Kosovës. Për këtë mbase duhet të bisedohet sërish. Beogradi dhe Prishtina duhet të bisedojnë edhe për disa çështje praktike. Mendimi i GJND-së mund të shërbejë si nxitje në këtë drejtim. Por, nuk mendoj se është reale të pritet hapja e bisedimeve të reja për statusin e Kosovës. Ndërkaq, i pyetur nëse do të ndikojë te shtetet e ndryshme një vlerësim eventual i GJND-së se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë jolegjitime, Weller tha se pak është e mundur që në këtë rast Rusia të njohë pavarësinë e Kosovës. Por, mund të pritet që 30 vende shumë shpejt ta njohin pavarësinë e Kosovës. Pra, qëndrimi i GJND-së mund të nxisë vargun e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës. Kundërshtarët më të mëdhenj, siç është Rusia dhe Qiproja, gjithsesi nuk do të ndryshojnë qëndrim. Rreth spekulimeve mbi mundësinë e ndarjes, përkatësisht këmbimit të territoreve – veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës, Marc Weller rikujtoi faktin se Kosova nuk dëshiron ndarjen. Njëkohësisht, Serbia dëshiron të integrojë pjesën veriore të Kosovës, por pa humbur asnjë pjesë të territorit të vet. As në bashkësinë ndërkombëtare nuk ekziston atmosfera për parimin e këmbimit të territoreve, kështu që ky opsion nuk është realist. Pra, duhen pritur bisedimet, përmes së cilave Kosova gradualisht do të riintegronte pjesën veriore. Në këtë kuptim mund të parashikohen bisedime për vendosjen e një forme të lidhjeve speciale të Beogradit me veriun e Kosovës dhe disa çështjeve të tjera.
#