Festivali i Durrësit, debati mbetet hapur
Prezantohet zyrtarisht i pari Festival Ndërkombëtar Veror i Durrësit. Ngjarja kinematografike ka angazhuar drejtpërdrejt Bashkinë e Durrësit dhe kryetari i saj Vangjush Dako e ka vlerësuar dje si një festival që synon të promovojë vlerat e kinemasë shqiptare si dhe të qytetit mikpritës”. Organizatorët e kësaj veprimtarie që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë janë Bashkia e Durrësit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, kompania “ATRID Film Production-Teatri i ri” dhe sponsori kryesor “Eurosig”.
Pak ditë na ndajnë nga hapja e festivalit, më 23 gusht dhe që zgjati plot një javë, deri në fund të muajit. Sipas Kryebashkiakut Dako, bashkia e qytetit kontribuon për festivalin me 5 milionë lekë, kurse spektatorit i vë në dispozicion mjedise të rinovuara të teatrit “Aleksandër Moisiu” së bashku me amfiteatrin jo të zakontë të botës antike. Në të dy ambientet do të projektohen filmat pjesëmarrës dhe konkurrues për çmimin “Gladiatori i Artë”. Janë 16 filma të zgjedhur nga një komitet i ngushtë kineastësh. Bëhet fjalë për prodhime pas vitit 2005 që vijnë nga Iraku, Maqedonia, Rusia, Italia, Sllovenia, Greqia, Kroacia, Serbia etj. Filmat shqiptarë pjesëmarrës janë “Trishtimi i zonjës Shnajder” me regji të Pirro Milkanit, “Mao Ce Dun” i Besnik Bishës, “Sekretet” e Spartak Pecanit dhe “Koha e Kometës”, filmi-premierë i Fatmir Koçit.
Drejtori i QKK, Xhevdet Feri, njëherësh një nga njerëzit e komitetit selektiv tha dje se “Festivali është një mënyrë e re për të promovuar kinemanë shqiptare. Në vendin tonë, - ka theksuar Ferri, - organizohet vetëm një festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe dokumentar, çka e bënte të nevojshme institucionalizimin e një veprimtarie të re me përmasa ndërkombëtare, që do të sjellë vlera dhe do të përçojë filmin dhe realitetin shqiptar përmes pjesëmarrësve të tij.”
Pas 12 edicioneve të Festivalit kombëtar të filmit, edicioni i fundit i të cilit u zhvillua pas një mungese 6-vjeçare si dhe paraqitjeve thuajse personale të autorëve në festivalet e ndryshme ndërkombëtare, ka ardhur koha, sipas Ferit, për të gjetur alternativa të reja që mbështesin promovimin e kinemasë shqiptare si dhe të vendit tonë në planin ndërkombëtar. Feri shtoi se “debati për mënyrat e organizimit të veprimtarive të filmit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të këtij festivalit ndërkombëtar, i cili vjen si bashkëpunim i frytshëm disamujor me bashkinë e qytetit të Durrësit”. Pra, Feri mundohet të shfaqet optimist për një çështje shumë të diskutueshme me festivalet që organizohen në Shqipëri. Organizatorët privatë në momentin që nuk kanë gjetur mbështetjen e shtetit, janë dorëzuar dhe kanë pranuar dështimin. Nga ana tjetër, institucionet shtetërore që ansjëherë nuk janë treguar largpamëse për ngjarje të këtij lloji, hë për hë nuk dinë ose nuk kanë treguar vullnet për të thithur ide kreative dhe për t’i mbajtur gjallë ato.
Kështu edhe me Festivalin e Durrësit nuk është e qartë kur është kreu i tij, cili është truri artistik dhe cili qeverisës. Herët a vonë edhe ky organizim do të përballet me këtë problem.
Festivali jep disa çmime: Filmi më i mirë artistik (Gladiatori i Artë), çmimi i jurisë, filmi më i mirë shqiptar, aktorja më e mirë, aktori më i mirë dhe çmimi i karrierës.
Statueta që jepet për çmimin “Gladiatori i Artë” është realizuar nga skulptori Sadik Spahija dhe është një nga simbolet e qytetit të lashtë.
Ndërkaq mësohet se festivalit i ka mbërritur një letër përshëndetëse e regjisorit shqiptaro-amerikan Sten Dragoti, ku thuhej: “Shqipëria dhe Ballkani do të njihen më në fund nga bashkësia e artistëve të kinemasë botërore si një burim i madh krijimtarie”. Regjisori Dragoti shkruante nga Nju Jorku pasi për shkak të një sëmundjeje të papritur nuk do të mund të marrë pjesë në këtë Festival ku parashikohej të kryesonte edhe jurinë ndërkombëtare. Kjo e fundit akoma nuk është bërë e njohur, gjë që flet për mungesë serioziteti të organizatorëve. Dita e hapjes së festivalit është shumë afër dhe mosshpallja e jurisë lë të kuptohet se ka mosvarrëveshje brenda stafit të organizimit të “Gladiatorit të Artë”.
Premiera
Festivali hapet me “Koha e Kometës”
Festivali veror i Durrësit hapet me një premierë. Me një film të shumëpritur, siç është “Koha e Kometës” me regji dhe skenar të Fatmir Koçit, një prodhim i LARA Enterprises. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1914, kur Princ Vidi shpallet mbret i Shqipërisë. Ngjarja fillon me luftë e përfundon me një histori dashurie. Interpretojnë Blerim Destani, Masiela Lusha, Thomas Heinze, Luan Jaha, Gentian Zenelaj, Xhevdet Jashari, Adem Karaga.