E Diel, 1 Nëntor 2026

Liri tregu nuk do të thotë treg pa rregulla fare

Të gjitha pikat e karburanteve në rrugën nga kaloj përditë ( kombinat-farmacia10) gati nuk e kanë ulur çmimin e benzinës dhe të naftës. Çmimi është fiksuar në 155 l/litr, për benzinën, më i liri dhe më lart. Ky çmim është i palëvizur prej mbi 2 muajsh. Që të jem realist disa pika e kanë ulur çmimin, për benzinën 2 lek për litër, gjithashtu dhe çmimin e naftës 2 lek për litër.

E ftoj qeverinë të marrë shembull nga qeveria greke, nga mënyra se si vepron ajo me çmimin e karburanteve në vendin e saj (aq më tepër që ne karburantin e marrim të gjithin nga Greqia). Por aty çmimi i benzinës nuk e kalon 1,24 euro në ishujt e largët ndërsa në Athin është 1,12-1,14 euro mesatarisht. Në emër të lirisë së tregut po i lëmë të mashtrojnë disa.

Liri tregu nuk duhet përkthyer treg pa rregulla. Të kuptohemi, edhe unë po të isha në vendin e këtyre manipuluesve ashtu do të bëja, përderisa një mall ecën dhe me 1600 lekë të vjetra litri i benzinës, aq do ta shes.

Por unë personalisht i kam rralluar ecjen për qejf me makinë dhe përdor motorin për vajtje-ardhjen në punë. Ndiej keqardhje për bashkëqytetarët e mi që nuk bëjnë atë reagim qytetar personal, edhe pa qenë nevoja për të dalë shesheve për të protestuar. Duhet të mbajmë mend se kur u rrit çmimi i bukës në mënyrë artificiale nga 80 në 100 lekë, një pjesë e mirë e qytetarëve të Tiranës shkonin të merrnin bukë te bukëpjekësi që e shiste bukën 60 lekë kur të tjerët e shisnin 100.

Të paktën uroj që qeveria të kujdeset të taksojë këta tregtarë me normën e saktë të fitimit që bëjnë e të mos ndodhë që këto para t’i fusin në xhepa të pataksuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›