E Diel, 1 Nëntor 2026

Për letrat me vlerë të një qeverisjeje pa vlerë

Qeveria e PD-së shpiku "letrat me vlerë", më qëllim që të gjithë pasurinë kombëtare t’ua shpërndante qytetarëve të vet, që kishin derdhë mundin dhe djersën e tyre për ta krijuar atë pasuri, si një "shenjë" të barazisë të "Demokracisë" që po na sillnin...!

Në vitin 1992 e filluam keq me privatizimin e dyqaneve. Qysh këtu filloi padrejtësia! Njëri mori pronën e të gjithëve! Në ato vite, pjesa më e madhe, ajo më produktivja e popullatës, emigroi jashtë vendit, se qeveria nuk qe në gjendje të krijonte fronte pune, por qe në gjendje të shkatërronte vendet e punës, dhe këtë e bëri po në emër të "Demokracisë"!

Atyre që mbeten në vend, qeveria u shpërndau 66% të "letrave me vlerë" dhe pohon se janë 33% të tyre të pa shpërndara, si gjendje e qeverisë, shifër që korrespondon tamam me 1/3 e popullatës që emigroi e që qeveria ua ka borxh t’ua japë "letrat me vlerë", atë pjesë të djersës që u takon të marrin!

Veç meje, ka pasur plot emigrantë në kohën time, që vinin në Shqipëri të kërkonin "letrat me vlerë", e janë sorollatur sporteleve, sa në agjencinë e rrugës së “Durrësit”, e më pas në atë të rrugës “Bardhyl”, ku për mungesë organizimi nga qeveria, nuk kanë mundur t’i tërheqin.

Tani lexojmë në shtyp se pas 13 vjetësh, qeveria “Berisha” bën të ditur për "rikthimin e letrave me vlerë, të emetuara në 1995-n", por pyetja është për atë 33%-shin e tyre të pa tërhequr nga emigrantët; do t’u jepen atyre (emigrantëve), apo kjo "vlerë pune" do të përfundojë prapë (siç ka përfunduar çdo pasuri kombëtare në atë vend) në duart e qeveritarëve të korruptuar?

Kërkoj me forcë që "letrat me vlerë" që përfaqësojnë mundin dhe djersën e të gjithë atyre që u ranë kockat në atë sistem, t’u shpërndahen nga qeveria e jo të kthehen në pronë personale të tyre.

Presim përgjigjen e qeverisë në shtyp, se kur dhe ku do t’u shpërndahen "letrat me vlerë" atyre që s'u është dhënë, (emigrantëve, që çdo vit i kanë sjellë atij vendi mbi rreth një milion dollarë për të mbajtur me bukë popullatën), apo do t’i nxjerrin dhe kësaj radhe "thatë", duke i lënë "mbrapa liste", si Lipe shtogu? Presin të gjithë përgjigjen e qeverisë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›