E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Sude në Wall Street

Financa e Mollës e paskësh pasur krimbin brenda. Dhe jo një dokudo krimb, por administratorin e shquar, Bernard Madoff, ish-Presidentin e Këshillit Administrues të NASDAQ-së. Kujt i kish shkuar ndër mend se ky investues gjenial, nga më të ndriturit e planetit, kish ngritur më këmbë një sistem "piramide financiare", të denjë për Suden? Sigurisht jo banka të tilla si, Santander apo HSBC, BNP Paribas, Natixis apo BBVA, kompani sigurimesh si AXA dhe së fundi klientë privatë si Fred Ëilpon apo Spielberg…, të cilat i kishin besuar mashtruesit Madoff shumën astronomike prej 50 miliardë dollarësh.

Hajde-dé parallinjtë privatë profanë, që nuk dinë sa para kanë dhe ku i venë, mirë bankierët "amatorë" spanjollë dhe francezë në kërkim të një rendimenti të shpejtë, por edhe bankierët "profesionalë" zviceranë të kenë qenë kaq naivë sa që të investonin rreth 5 miliardë dollarë në operacionet e Investment Securities LLC që premtonte deri 17% interes në vit? Ende nuk kanë kuptuar këta asa të financës, që u premtojnë kursimtarëve 3-4% interes në vit dhe që "investojnë" paratë e këtyre të fundit në skemat spekulative me 10-17%, se të tilla transaksione jo vetëm shkojnë ndesh me çdo etikë, por edhe me çdo logjikë – duke përfshirë edhe teorinë e rrezikut?

Po ai i famshmi xhandar bursier njujorkez SEC (Securities and Exchange Commission) ku i ka pasur sytë, përderisa Madoff kishte vite të tëra që ushtronte këtë aktivitet? U desh pikërisht kriza financiare që klientët e trembur të trokisnin në derën e fajdexhiut… dhe të zbulonin me llahtari që kasa ishte bosh. Pasi nën shembullin e" faraonëve" shqiptarë të viteve të demokracisë anarkike berishjanë, edhe ndërtuesit amerikanë të piramidave përdorin të njëjtën skemë: Interesat e të parëve paguhen me paratë e të dytëve, në pritje të të tretëve që, herët a vonë, do të ndillen nga interesa të tillë marramendës.

Sikundër dhe Sudja jonë kombëtare, Bernard Madoff, i përket kategorisë së autodidaktëve. Roja i dikurshëm i plazhit në Long Island, administratori riosh i një shoqërie me kapital 5.000 dollarë në vitin 1960, arriti të bëhej përfaqësuesi më në zë i investuesve të Wall Streat-it, bile edhe drejtues i NASDAQ-së, përpara se të rrënohej përfundimisht nga shembja e sistemit mashtrues – në pritje të një gjykimi që mund të syrgjynosë për 20 vjet në ato burgjet aq komode amerikanë, qoftë edhe një gjysh 70-vjeçar si puna e tij.

Po ç’lidhje kanë pehlivanllëqet e Madoffit me trazirat shqiptare të kursimtarëve të rrënuar? Asnjë lidhje, përveç paraleles së vetvetishme me jevgën Sude, apo me kapterin Alimuça. E, megjithatë, sebepin ma dha vetë Kryeministri Berisha, të cilit s’i ndenji shpirti pa iu rikthyer asaj përgjegjësie, deri sot jetime, gjatë ceremonisë festive me rastin e 18-vjetorit të themelimit të PD-së së tij të dashur.

"Partia Demokratike, duke njohur përgjegjësitë e saj të plota për tolerimin e skemave piramidale dhe krizën financiare që ato sollën, mori vendimet që për të shmangur një konflikt të gjerë civil; të dorëzonte pushtetin. Ajo u deklaroi shqiptarëve se qeveria e saj nuk ishte e implikuar në skemat piramidale dhe se një borxh që nuk ishte marrë, nuk mund të njihej, nuk mund të kthehej ".

Për cilat përgjegjësi të plota e ka fjalën Kryeministri dhe përse duhet t’i shkruajë ato në defterin e Partisë Demokratike, ndërkohë që ai ishte njëkohësisht Presidenti, dora vetë – njeriu më i fuqishëm i vendit – dhe padroni i padiskutueshëm i asaj partie? Për hir të njërës apo të tjetrës nga këto qylafe, që i ka mbajtur me aq hijeshi, ai mban përgjegjësi personale të drejtpërdrejtë. Aq më tepër që shprehja e përdorur më lart, “përgjegjësi", - qoftë edhe "e plotë", - i bie më mirë të lakohet me plotësin "tolerim i fajshëm", (megjithëse më i sakti do të ishte "përmutje deri në brez").

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›