Festivali i Kombeve pret kinematografinë shqiptare
e Burim Halitit dhe Gruaja e veshur në të zeza e Besim Ugzmajlit, janë filmat që do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër, i cili mbahet në qytetin Ebensee të Austrisë. Regjisori Besim Ugzmajli, i cili në Festivalin e Kombeve do të konkurrojë me filmin Gruaja e veshur në të zeza, tregon se ka një konkurrencë të madhe, por e rëndësishme është pjesëmarrja. Realisht, prezantimet jashtë vendit i japin kuptim jetës së një filmi. Përvojat e tilla kanë ndikim të madh në ndërtimin e secilit regjisor, pohon Ugzmajli. Më tej ai ka shpjeguar se filmi Gruaja e veshur në të zeza trajton një temë sociale-psikologjike dhe deri tani ka marrë pjesë në katër festivale filmi, megjithatë sipas tij ky është një festival shumë i veçantë për vetë faktin se ka një konkurrencë shumë të madhe. Regjisori Burim Haliti, duke treguar mbi temën e filmit Hekurishtja, është shprehur optimist lidhur me mundësinë për tu kthyer në Kosovë me ndonjë çmim. Ai tregon se: filmi është realizuar në vitin 2007 dhe është një dramë që flet për mbijetesën dhe kohë pas kohe kthehet edhe në komedi. Më tej ai ka shtuar se: jam shumë optimist për ndonjë çmim, pasi filmi është vlerësuar shumë në çdo festival që është prezantuar si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Regjisori Haliti po ashtu ka folur edhe për rëndësinë e pjesëmarrjes në festivale të tilla dhe sipas tij çdo festival e ka rëndësinë e vet, por një festival i tillë që ka traditë dhe në të marrin pjesë regjisorë nga aq shumë vende të botës është shumë i rëndësishëm. Veç kësaj, festivale të tilla na japin mundësinë e njohjes dhe krijimit të kontakteve me kineastë botërorë me të cilët do të mund të krijojmë edhe bashkëpunime sa i takon prodhimeve kinematografike, pohon regjisori. Dy regjisorët kosovarë do të garojnë për çmimet e festivalit, i cili nis rrugëtimin më 13 të këtij muaji dhe gjatë shtatë ditëve do të jetë pritësi i filmave nga vende të ndryshme të botës. Festivali i Kombeve këtë vit shënon edicionin e 38-të me radhë dhe është një nga festivalet më prestigjioze për film të metrazhit të shkurtër që zhvillohen në shtetin austriak. Përveç regjisorëve nga Kosova, për gjashtë çmimet e Festivalit të Kombeve (tri vendet e para, çmimi special për filmin më të mirë, çmimi për filmin eksperimental dhe Ebenseer Bear), do të garojnë edhe regjisorë nga Gjermania, Spanja, Australia, Italia, Kroacia, Franca, Belgjika, Rusia etj.
Folklori dhe tradita, në Sofrën ilire
Në kuadër të aktiviteteve kulturore, Sofra ilire një nismë e shoqatës Antik u organizua edhe këtë vit, më 12 qershor në Apolloni të Fierit. Ky aktivitet erdhi në kuadër të aktiviteteve Shqipëri-Itali: Dy Popuj, Një Det, Një Miqësi. Sofra Ilire ka për qëllim veçanërisht të nxjerrë në pah vlerat më të mira të trashëgimisë kulturore të qarkut Fier, në mënyrë që ato të rivlerësohen, mbrohen dhe të njihen gjerësisht nga opinioni i gjerë vendas dhe ai i huaj. Sofra ilire 2010 është një aktivitet që synon prezantimin e vlerave të turizmit në Qarkun e Fierit. Sofra Ilire është një aktivitet i përvitshëm i karakterit turistik, kulturor e mjedisor, i cili zhvillohet në Qarkun e Fierit. Ai organizohet nga shoqata ANTIK, në bashkëpunim të ngushtë me këshilltarët e SNV Fier dhe me Bashkinë e qytetit Fier, Institucionin e Prefektit dhe Këshillin e Qarkut, Shoqërinë Civile, Sektorin Privat dhe shumë bashki dhe komuna të qarkut, të cilat zotërojnë vlera të trashëgimisë kulturore dhe potencial turistik. Promovimi i vlerave të artit dhe kulturës, gërshetuar ngushtë me historinë, natyrën dhe potencialin e prodhimeve bujqësore dhe natyrën mikpritëse të këtij rajoni, mund të shërbejë për një qëllim shumë më të madh. Nga viti në vit Sofra ka ardhur duke u zgjeruar si tërësi veprimtarish dhe kontribuesish, duke kërkuar të ndikojë në rritjen e vëmendjes të qeverise qendrore për rajonin e Fierit, që përbën një qark me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit. Në mjediset e Apolonisë u zhvillua dhe një simpozium me temë: Fieri dhe potenciali i tij për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë.
Kalaja e Gjirokastrës përgatitet të presë Miss Shqipëria 2010
Edicioni i 12-të i konkursit Miss Shqipëria 2010 do të zhvillohet këtë vit në Kalanë e Gjirokastrës. Spektakli nga ku do të dalë vajza më e bukur e Shqipërisë, përmban në vetvete konkursin e bukurisë, atë të inteligjencës, si dhe një garë të aftësive artistike të pjesëmarrësve. Nga organizatorët bëhet e ditur se tashmë provat për këtë eveniment bukurie kanë ditë që kanë nisur. Këtë vit ky spektakël bukurie vjen me një formulë tjetër, ku nuk do të jenë ashtu si ka qenë traditë gjatë 11 viteve të zhvillimit të tij. Këtë vit do të jenë 33 konkurrente vajza të përzgjedhura, që do të konkurrojnë për kurorën e bukurisë shqiptare. Producenti i këtij spektakli Petri Bozo tregon se këtë vit ka pasur një pjesëmarrje shumë më të madhe të vajzave se sa në edicionet e tjera të këtij spektakli. Konkursi Miss Shqipëria këtë vit ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe. Për të konkurruar janë paraqitur deri tani 452 vajza, të cilat vinin jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por dhe jashtë tyre, cilëson ndër të tjera producenti Bozo. Një vit më parë, mbretëresha e bukurisë shqiptare u shpall në Durrës. Ertemiona Mejdani u kurorëzua Miss Shqipëria 2009.