Nga çfarë kanë frikë të rinjtë
Frika brenda njeriut dhe si fenomen shoqëror. Mbi këtë koncept, të rinjtë e Konkursit Ndërkombëtar "Sotiri" kanë treguar me art për frikën nga vdekja, plakja, humbja, emigracioni. Kuratorja Paula Muhr tregon për rezultatin final
Cflilitja është mbledhur në zgavrat ngjyrë vjollcë. Duket mundimi në grahmat e fundit. Ruan pamjen prej njeriu të mirë, por është e lodhur dhe po dorëzohet. Ka shumë rrudha në fytyrën hollake, rrudha mendimesh, dhembshurie që rrugës takojnë njëra-tjerën. Koka e thatë me flokë të hollë të bardhë sikur po gjen, megjithatë, rehat në jastëkun e bardhë. Buza errësohet, sytë humbin dritën dhe kapakët perëndojnë.
Janë ditët e fundit me gjyshen të fotografes ruse Anatasia Markelova. Portretin e saj Markelova e ka fiksuar nga frika se mos një ditë kthehej në shtëpi dhe nuk e gjente më.
"Kur mendojmë për vdekjen, dëshpërimin, indiferencën e të afërmëve tanë, zbrazëtinë, shtrojmë pyetjen: çfarë mbetet pas nesh?
Fotoja e fundit është ajo e sendeve personale të gjyshes. Ne i morëm ato nga spitali, në një qese të zezë me etiketën: Shirokova, pavioni 12. vdekur më 24.02.10", shpjegon Anastasia.
Ajo është fituese e Çmimit "Sotiri" në Konkursin Ndërkombëtar për Fotografë të Rinj, edicioni i tretë, 12-26 qershor në galerinë "Guri Madhi" në Korçë, organizuar nga Qendra Kulturore "Lindart" dhe Bashkia e Korçës.
Juria e vlerësoi punën e saj me titull "Përgatitja për vdekjen", për emocionet e forta dhe rrëfimin e dëlirë të njërës prej frikërave më të mëdha të njeriut. Juria përbëhej nga vetë kuratorja e ekspozitës Paula Muhr, fotografja shqiptare Soela Zani dhe fotografi nga Maqedonia Samir Ljuma.
Muhr tha më vonë jurisë i është dukur i veçantë koncepti i Markelovës: dashuria për njerëzit e vjetër që sot në kulturën e njeriut të ri, nuk përfillen. Për të tjerët, koha e tyre ka mbaruar.
Çmimi i dytë "Sotiri" iu dha studentes së Akademisë së Arteve në Tiranë, Erilda Selaj. Klaustrofobia është frika e Selajt.
Në edicionin e tretë morën pjesë 15 fotografë nga Shqipëria, Anglia, Danimarka, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Rusia, Sllovakia, Finlanda, Suedia, Franca. Pati një të re këtë vit. U pranuan në konkurrim edhe video, pasi Muhr e sheh fotografinë, elementin më të rëndësishëm të realizimit të videos.
Muhr e ngriti ekspozitën mbi konceptin e përballjes me frikën. Frika personale e një njeriu, frika si fenomen shoqëror, dhe si një nga mekanizmat më të rëndësishëm nëpërmjet të cilëve normat dhe strukturat shoqërore përcaktojnë strukturat psikologjike të secilit prej nesh. Ajo flet për këto në intervistën e mëposhtme, edhe për rezultatin e "Sotirit".
Paola Muhr është 33 vjeç, është shkolluar për fotografi. Më 1998-2002 studio në Akademinë e Arteve të Beogradit, ku mori edhe mësime për Letërsinë, Psikologjinë në Fakultetin e Arteve Aplikative. Aktualisht ekspozon në vende të ndryshme por kryesisht në Sllovaki, Austri, Gjermani, pa lënë mënjanë punën si kuratore.
Paula, edicioni i tretë i "Sotirit" u ngrit mbi "Përballjen me frikën". Përse duhej që të rinjtë "të fotografonin" frikën?
Eleni Laperi më ftoi që të mendoja mbi një temë për ekspozitën. E rëndësishme në zgjedhjen e kësaj teme ishte gjetja e një koncepti të përgjithshëm dhe me rëndësi. Zgjodha "Frikën", si një ndjesi personale dhe fenomen shoqëror.
Të gjithë e ndiejmë frikën, ua shprehim njerëzve të tjerë. Në anë tjetër ajo është një çështje sociale. Ne biem pre e frikës shumë lehtë. Këtë kërkoja nga ekspozita: përballjen e frikës personale dhe shoqërore.
Vendosëm konceptin, nxorëm njoftimin për aplikime. Donim një ekspozitë ndërkombëtare dhe kjo u arrit.
Sipas teje, cili është rezultati?
Fillimisht më pëlqyen prurjet e artistëve e më vonë edhe cilësia e punëve të tyre. Pati pjesëmarrje të gjerë, të rinj nga Izraeli, Rusia, Gjermania, Danimarka, Shqipëria.
Jam e lumtur me cilësinë e punëve dhe që fotografët i ishin përmbajtur temës.
Të gjithë iu përshtatën konceptit dhe e zhvilluan në mënyra të ndryshme atë. Kemi temën personale, siç është puna fituese e Anastasia Markelova. Ajo ka fotografuar gjyshen e saj në fund të jetës. Aty mund të shikohet frika e moshës, e vdekjes, frika e humbjes së një njeriu shumë të dashur.
Përse u veçua fotografia e Anastasias?
Të gjithë ne ramë dakord për fituesen. Tregimi i saj i vdekjes është shumë i fortë, emocional dhe është për t'u vlerësuar mënyra sesi fotografja u jep jetë emocioneve të forta. Fotografia e Anastasia Markelovës ishte trajtimi më i dëlirë dhe më i drejtpërdrejtë i frikës, dashurisë për njeriun e vjetër dhe respektin për të. Aty pashë edhe lidhjen shoqërore.
Ka të bëjë me frikën e moshës. Ka hyrë kjo kultura e të qenit i ri. Të gjithë njerëzit duhet të jenë të rinj. Njerëzit e moshuar nuk janë të rëndësishëm. Në kulturat e lashta, njerëzit e vjetër respektoheshin për mençurinë e tyre. Në kohën e sotme nuk kanë të njëjtën vlerë.
Po studentja shqiptare, e vlerësuar me çmimin e dytë, si u paraqit?
Erilda Selaj kishte fotografinë "Klaustrofobia", mbi fobinë nga ambientet e mbyllura. Është një ndjenjë personale, por në të njëjtën kohë është edhe e ushqyer dhe e strukturuar nga shoqëria. Ajo ka bërë një punë krijuese dhe e tregoi me një subjekt krejt të veçantë.
Ishte një ide shumë e vështirë. Është kollaj që fotografi të bëjë ilustrimin e kësaj ideje. Por Selaj zgjodhi të bënte imazhe të bukura, që të prekin emocionalisht.
Artistja ruse ka bërë një punë personale, me portretin e gjyshes në dhomën e saj. Kurse, puna e dytë është më abstrakte. Ajo përpiqet të tregojë sesi frika vret.
Çfarë i frikëson të rinjtë e sotëm?
Një prej artistëve e lidhte frikën me emigrimin, me shpërnguljen e njerëzve afrikanë që lundronin drejt Evropës. Kjo është një temë politike. Një tjetër fotografe nga Anglia e lidhte me paqëndrueshmërinë e identitetit të gruas, sesi ndihen ato me veten, me pamjen e tyre, pra frika e dukjes.
Një tjetër ka fotografuar dhomat e zbrazëta të njerëzve që po vdisnin. E gjitha kjo lidhet me forma të ndryshme të frikës. Ky ishte qëllimi që doja të arrija që në fillim, një temë që të trajtohej në mënyrë të pasur. Kur mbërritën aplikimet, unë u përpoqa të zgjidhja, nëse shihja dy punë të ngjashme, njërën e hiqja.
Kultura, përvoja, formime, individualitete të ndryshme. A krijojnë kontrast në ekspozitë?
Po të qëndrosh përpara një fotografie, nuk mund ta dallosh që ky artist vjen nga një vend i caktuar. Nuk mund të thuash që ky është një europiano-lindor, ky është izraelit, ky është amerikan. Nuk ka dallime.
Dallimet ekzistojnë vetëm në individualitetin e tyre artistik. Kjo është një gjë tjetër. Kultura jonë në kohën e sotme është kaq globale. Ne kemi influenca nga anë të ndryshme të botës. Është e vështirë të thuhet që ky fotograf vjen nga shkolla sllovake apo gjermane. Kjo nuk është më e dukshme sot.
Çfarë rëndësie ka koncepti, ideja në një fotografi?
Qëllimi tjetër i kësaj ekspozite është promovimi i fotografisë si një medium. Ka diskutime nëse fotografia është apo jo art. Në shumë institucione në botë, fotografia është pranuar si art, po ashtu si piktura.
Sot, në kohën e dixhitalizimit dhe internetit dhe ku çdokush ka një aparat fotografik, një kamera dhe është i lirë të fotografojë, ngrihet shqetësimi: Cila fotografi është art? Jo çdokush mund të mendojë që të bëjë një film hollivudian, apo të realizojë një pikturë, por çdokush ka një kamera dhe mund të bëjë fotografi.
Për këtë arsye, fotografia është një medium pak delikat. Duhet të kesh një koncept, ide, forma në mendjen e tij. Nuk ka të bëjë vetëm me shkrepjen e fotografive të mira, që janë të mira si formë, por duhet një ide që artisti e mishëron në fotografinë e tij.
Ky është edhe ndryshimi mes fotografisë si formë arti.
Në këtë edicion të tretë të Sotirit dhe unë doja të përfshija video, imazhe të lëvizshme, instalacione. Në kohën e sotme fotografia nuk është thjesht një kornizë në mur, është më tepër narrative. Kështu, për këtë arsye unë vendosa të përfshij edhe forma të tjera të lëvizjes së imazheve të fotografisë. Ka edhe një pritshmëri më të mirë ekspozita kur sheh disa imazhe në mur, në ekran dhe krijon dinamikë.
Sa rëndësi ka teknika e përdorur në cilësinë e një fotografie?
Varet nga koncepti. Mund të zgjedhësh të punosh me një teknologji të lartë dhe komplekse, por mund të shkrepësh edhe me një telefon celular. Nuk do të thotë domosdoshmërisht që po përdore një teknologji "të keqe", fotografia do të jetë e tillë. Ka të bëjë me konceptin. Duhet të kesh një arsye përse e bën këtë apo atë gjë.
Nuk duhet menduar që unë po e bëj këtë fotografi sepse jam i aftë ta bëj atë sepse kam një kamerë në dorë, por duket menduar: Përse dua ta realizoj atë?
Një artiste angleze në ekspozitë punonte me një kamera shumë të vogël, që nxirrte imazhe gjigante, ku mund të shihje edhe pikselat. Kjo normalisht duhet të jetë e gabuar. Por, në fotografinë që ajo realizoi kjo nuk ishte shqetësuese. Nuk ka të bëjë me teknikën, por sesi një fotograf realizon imazhe që arrijnë të prekin emocionalisht.
Nuk ka rregulla. Në një fotografi mund të jetë përdorur një teknikë vërtet e keqe, por është realizuar artistikisht mirë, ose mund të ketë fotografi të përsosura teknikisht, por nuk ka asgjë pas tyre.