"Sa turp, pavioni VIP, si dikur klinika e Byrosë!"
Duam-s'duam, historinë e bëjnë gjithmonë popujt. Të gjithë jetojmë në kohë dhe në hapësirë. Jo rastësisht ne shqiptarët kur kujtojmë diçka themi: "Në kohën e Zogut", ose "në kohën e Enverit" apo "në kohën e Salës". Kur lexova lajmin tuaj për pavionin VIP, mendova: Asgjë s'ka ndryshuar. Dikur klinika tek Libri Universitar ka qenë vetëm për anëtarët e Byrosë dhe familjet e tyre, si dhe për anëtarët e KQ të PPSH. Sot, na del një klinikë VIP që nuk ka as më të voglin ndryshim. Klinika e Byrosë atëherë ruhej nga Garda, dhe kjo sot ruhet nga ushtarakë të zgjedhur. Në klinikën e Byrosë shërbimi mjekësor mjek- infermier ishte i përzgjedhur (si p.sh., doktor Saliu) edhe këtu në klinikën VIP, personeli qenka i përzgjedhur. Ndryshon vetëm emri. VIP do të thotë Udhëheqja. Pra koha e Enverit është e njëjtë me kohën e Salës. Të dy i përkasin Lindjes. Të dy anëtarë të thekur të PPSH. Kam frike se do të mbetemi akoma edhe për 30 vjet Lindje. Paradoksi është që vetë Lindja ka 20 vjet që vazhdon rrugën e Perëndimit.