Festivali i filmit në Durrës, zhgënjen ata që nuk e besonin
Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit në Durrës, konfirmon edicionin e tij të dytë. Në konkurrim 18 filma, mes të cilëve tri premiera botërore. Akoma asgjë e re për pjesëmarrjen e filmit shqiptar
Pas pikëpyetjes së madhe nëse do të kishte një edicion të dytë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës apo jo, gjithçka është sqaruar. Do të ketë një të tillë dhe do të zhvillohet pikërisht më 22-30 gusht.
Drejtoresha Artistike e festivalit, Anila Varfi, zbulon disa nga elementet e këtij edicioni të dytë të festivalit, para se të deklarohen të gjitha të dhënat më 15 gusht. Tani për tani, dhe nëse konfirmohen pjesëmarrësit deri në momentin e fundit, ajo premton se programi i këtij viti do të ketë të papritura nga kinemaja botërore dhe nga autorë të rëndësishëm të saj.
Një surprizë është edhe filmi që do të përshëndesë hapjen e festivalit mbrëmjen e 22 gushtit, "Slumdog millionare", i regjisorit Dany Boyle. Varfi thotë se gjatë projeksionit të filmit do të jetë i pranishëm një nga aktorët ose realizuesit artistik të filmit fitues të Oscar 2009.
Netët në vijim do të jenë vetëm për filmat konkurrues. Drejtoresha Artistike zbulon se këtë vit janë plotë 18 filma që kandidojnë për "Gladiatorin e artë" të Durrësit.
Janë dy kategoritë në të cilat filmat do të përballen me njëri-tjetrin: "Vizionet Bashkëkohore" dhe "Bota Ballkanike". Në kategorinë e parë garon filmi artistik evropian me metrazh të gjatë, ndërsa kategoria "Bota Ballkanike" i dedikohet filmit artistik me metrazh të gjatë, që vjen nga rajoni i Ballkanit.
Është edhe programi jashtë konkurrimit, i cili përfshin filma jo më pak të rëndësishëm, që i shtojnë pikë festivalit për prestigjin e autorëve të tyre apo çmimet që kanë marrë në festivale kryesore. "E reja e këtij edicioni është se do të shfaqen tri premiera ndërkombëtare dhe 11 premiera rajonale".
Një prej tyre është produksioni zviceran "Verso", i regjisorit Xavier Ruiz, ku roli protagonist interpretohet nga shqiptari Arben Bajraktari. Ndërsa, për sa i përket pjesëmarrjes së filmit shqiptar, Varfi thotë se ende pritet një përgjigje nga regjisorët shqiptarë.
"Në rregulloren e festivalit është shkruar se filmi shqiptar që merr pjesë, duhet të jetë premier dhe deri tani një ose dy filma kanë ngelur pa shfaqur," - shpjegon ajo, duke shtuar se nuk do të ketë një seksion të veçantë për filmin shqiptar siç ndodhi vjet, por ai do të përfshihet në kategorinë "Bota Ballkanike".
Të rejat e këtij edicioni kanë të bëjnë edhe me strukturat e jurive. Janë dy të tilla ndërkombëtare. Veç jurisë qendrore (emrat e 5 anëtarëve të së cilës do të bëhen publik më 15 gusht), do të ketë edhe një juri të dytë, juria e kritikës, presidente e së cilës është kritikja e kinemasë, Deborah Young, ndërsa katër anëtarët e tjerë do të jenë emra të medias shqiptare.
Young nuk do të jetë përfaqësuesja e vetme e shtypit të huaj në këtë edicion. Varfi thotë se ende pritet konfirmimi i disa reporterëve nga vende të ndryshme, por, sipas saj, çdo gjë do të bëhet publike pas datës 15 gusht, kohë kur do të kenë përfunduar të gjitha procedurat e festivalit.
Për herë të parë ky festival i kushton rëndësi të veçantë muzikës dhe rolit të saj në kinema. Duke filluar nga ky vit do të ftohet një kompozitor, i cili do të sjellë për publikun një nga kolonat zanore më përfaqësuese të krijimtarisë së tij.
Po ky kompozitor do të zhvillojë edhe seminare për rëndësinë e muzikës në një film. Vitin e kaluar, ky rol i takoi producentit të regjisorit Stanley Kubrick, Jan Harlan, ndërsa për këtë vit ende nuk bëhet i ditur asnjë emër.
Sa për çmimet, ato janë 7, aq sa u themeluan që në edicionin e shkuar, me të vetmin ndryshim se, këtë vit çmimi i kritikës do të jepet nga juria e kritikës.
Çmimi i madh "Gladiatori i Artë" iu dha regjisorit çek Jiri Menzel për filmin "I kam shërbyer mbretit të Anglisë", filmi më i mirë shqiptar u cilësua "Koha e kometës" i regjisorit Fatmir Koçi, aktorja më e mirë Ornela Kapetani për interpretimin në filmin "Korrigjimi", aktori më i mirë - grupi i aktorëve Filip Sovagovic, Velibor Topic, Slaven Knezovic, Marinko Prga dhe Borko Peric në filmin "I gjalli dhe i vdekuri" i regjisorit kroat Kristijan Milic, çmimi i Karrierës u shkoi dy artistëve që nuk jetojnë më, regjisores Xhanfize Keko dhe aktorit Aleksandër Prosi, ndërsa çmimin special të jurisë e mori aktori Nazif Muharremi për interpretimin në filmin "Mirush" i regjisorit norvegjez Marius Holst.
Festivalit Ndërkombëtar Veror i Filmit në Durrës u ngjiz pranverën e shkuar thjesht si projekt pilot i hedhur në tryezën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, me synimin për të shkrirë në të festivalin e filmit shqiptar. Një vit kohë është sa i gjatë po aq edhe i shkurtër për të ndryshuar mendje.
Vetëm dy muaj më parë drejtori i QKK-së, Xhevdet Feri, bëri të ditur se institucioni që ai drejton nuk do ta mbështeste festivalin e këtij viti dhe në të njëjtën kohë bëri publike mbështetjen maksimale që QKK-ja i dha për këtë vit Festivalit Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër TIFF, i cili nga dhjetori i ardhshëm do të përfshijë në strukturën e tij filmin me metrazh të gjatë.
"Epiri", koncert në Durrës
Stina e verës i ka zhvendosur aktivitetet kulturore larg të nxehtit të qyteteve, në vendet ku njerëzit kanë zgjedhur të kalojnë pushimet. Në fund të qershorit, Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ka bërë publik një kalendar aktivitetesh kulturore që do të zhvillohen për gjatë gjithë verës në qytete dhe qendra turistike në vend. Aktiviteti i radhës i takon qytetit të Durrësit, ku të enjten, më 30 korrik, grupi i këngëve "Epiri", do të japë një koncert në qendër të qytetit.