E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali letrar i Shkodrës, si të njihen shkrimtarët e rinj



Në mjediset e bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër, me mbështetjen e bashkisë u mbajt Festivali Letrar, edicioni i dytë. Prej disa kohësh ky aktivitet ka tërhequr vëmendjen për njohjen me shkrimtarë të afirmuar, por edhe më pak të njohur, përmes komunikimit direkt me lexuesin apo publikun. Gjatë takimeve të mëparshme të ftuar në këtë festival kanë qenë shkrimtarët Ridvan Dibra, Stefan Capaliku, Primo Shllaku etj. Ndërsa takimi i kësaj radhe kishte në qendër poetin dhe studiuesin Arben Prendi, me temën “Me shkrue a mos me shkrue”. Me këtë rast u prezantua edhe vepra dhe aktiviteti i këtij autori i cili prej vitit 1993, pas përfundimit të studimeve të larta, është pedagog në Departamentin e Letërsisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” - Shkodër. Është bërë i njohur si publicist dhe kritik letrar përmes shkrimeve të shumta në organet e përditshme të shtypit shqiptar dhe në revista shkencore. Ka mbrojtur gradën “Master” në letërsi në vitin 2007 pranë Departamentit të Letërsisë në Fakultetin Histori- Filologji, në Universitetin e Tiranës dhe është në proces të mbrojtjes së doktoraturës. Ka marrë pjesë në konferenca dhe simpoziume shkencore lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu njihet edhe si poet përmes vëllimeve poetike: “Të shtunën ndize një qiri”, botoi Eurorilindja, Tiranë 1996; “Vashat nguten me u ba gra”, botoi “Camaj- Pipa”, Shkodër, 1998; “Qirinj të ndezun për të gjallët”; botoi “Camaj-Pipa”, Shkodër 2001.

Në trajtesën e tij poeti dhe studiuesi Arben Prendi, u ndal në dilemat që ka përpara një shkrimtar i ri në realitetin e përditshëm shqiptar, vështirësitë dhe përgjegjësitë që ka ai për të krijuar një vepër letrare, ku gjen shprehje bota e tij shpirtërore filozofike, por edhe dëshira e tij për të komunikuar me të tjerët. Letërsia shqiptare sikurse edhe fushat e tjera të jetës apo shkencës shqiptare gjendet në një fazë tranzicioni, ku rezultati më i rëndësishëm për momentin është shkëputja nga skemat e realizmit socialist dhe këmbëngulje e shkrimtarëve për të gjetur dhe realizuar vetveten përmes lirisë së tyre krijuese. Për autorin Prendi, një shkrimtar i ri në këto ditë e gjen veten në mes dilemash të shumta, ku të shkruash apo të mos shkruash, të botohesh apo të mos botohesh, duket jo rallë një situatë e njëjtë përballë një rritjeje të indiferencës së lexuesit shqiptar për letërsinë kombëtare. Më pas mes autorit dhe auditorit u diskutua për probleme të ndryshme të krijimtarisë personale, por edhe për zhvillimet më të fundit në letërsinë shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›