E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfen dëshmitari: Pashë gruan duke vrapuar me flakë në trup



Mustafa Laçi dhe i biri i tij 17-vjeçar kanë treguar momentet kur rreth orës 12 pa 10 të paradites së 15 marsit të vitit 2008 ndodhi shpërthimi i madh në fabrikën e Gërdecit. Ai kujton momentet kur ka parë gruan e tij, që po vraponte me flakë në kurriz dhe çastin kur është përmendur, ndërsa po çohej në spital nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. “Rreth orës 12 pa 10 ka rënë zjarr nga ana e djathtë e portës hyrëse. Në momentin që ra flaka, djali iku me vrap para, e më pas kam vënë gruan para e jemi larguar me shpejtësi. Kemi kaluar përmes hangarit ku vendoseshin gëzhojat. Gjatë ikjes shpërtheu zjarri, ndërkohë që unë u tërhoqa. Më pas kam vënë xhaketën përpara fytyrës dhe jam futur përmes flakëve”, - tregon ai përpara gjykatës.

“Në një moment s’e njoha gruan, se kishte marrë flakë në shpinë. Vetëm kur persona të tjerë më kanë thënë që kisha gruan pas. Jam kthyer dhe e kam ndihmuar. Kam fikur zjarrin që kishte në kurriz, e kam marrë në krahë dhe kemi ecur për rreth 200 metra nga ana e kontenierëve”, - vazhdon dëshmitari. “Më pas ndodhi shpërthimi i dytë. Më ka hedhur së bashku me gruan rreth 30 metra larg. Më pas nuk mbaj mend gjë, vetëm kur kanë ardhur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat na kanë marrë dhe na kanë dërguar në spital. Kam pasur plagë në sy e trup. Kam ndenjur në spital 30 ditë, ndërsa gruaja humbi jetën në Itali, ku ishte çuar për t’u kuruar”, - rrëfen Mustafa Laçi. Mustafa Laçi ka folur edhe për mënyrën se si funksiononte puna në fabrikën e demontimit në Gërdec. “Vetëm 2-3 herë na kanë mësuar se si të punojmë, më pas thjesht na kanë dhënë urdhra se çfarë duhet të bënim”, - u shpreh ai.

Dëshmia e 17-vjeçarit

Gjatë procesit të zhvilluar ditën e djeshme, dëshmoi edhe 17-vjeçari Vasil Laçi. “Kur pashë të binte flaka kam ikur me vrap. Gjatë shpërthimit të dytë kam qenë në kodër. Kam pasur dëmtime në vesh e në qafë”.

Ai tregoi mënyrën se si kishte nisur të punonte dhe cilat ishin detyrat e tij brenda në fabrikë. “Në fillim punoja tek makineritë. Rrija dhe shikoja punën, nëse ndonjë fishek dilte anash tyre. Kam qenë së bashku me një shok tjetër. “Më pas merresha me hapjen e kutive të fishekëve. Përdornim leva, kaçavida, dara për këto. Gjithashtu merresha me transportimin e barutit”. 17-vjeçari pohoi se në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në Gërdec ishin të punësuar edhe persona me moshë të vogël ose të mitur. Ka pasur shumë moshatarë të tij në fabrikë që punonin. “Në fazën e dytë, numri i tyre ishte më i vogël”, - tha ai para trupit gjykues.

Nga shpërthimi në fabrikën e Gërdecit, më 15 mars të vitit 2008 humbën jetën 26 persona, ndërsa nga Prokuroria e Tiranës janë marrë nën hetim 29 persona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›