E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali në Durrës: Takim ndërkombëtar në “dhomën” e muzikës

Odeoni “Nikolin Xhoja” në pallatin e kulturës në Durrës, është kthyer në një vendtakim të instrumentistëve nga Shqipëria, Italia, Franca, Austria dhe Gjermania, që po marrin pjesë në Festivalin e 6-të Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, i cili nisi me koncertin e kompozitorit dhe pianistit francez, Henry Foures. Pianisti 63-vjeçar kishte përzgjedhur për spektatorin e radhës të këtij festivali një program, ku ndërthureshin veprat e autorëve të muzikës klasike me kompozitorët bashkëkohorë, me qëllimin që të dëshmonte lidhjet e ngushta mes autorëve të rinj me ata që kanë punuar disa shekuj më parë. Koncertisti francez luajti në piano veprën e tij "Përkujtim në fa", ndërsa solli edhe veprën "Në kërkim të ritmit të humbur" nga kompozitori Luc Ferrari (1929-2005). Festivali i 6-të ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës do të vazhdojë sonte në mbrëmje me koncertin e trios “Dyrrhaçhium”, për të vazhduar me trion nga Austria dhe për t’u mbyllur me koncertin e orkestrës së dhomës “A Moisiu”. Ky aktivitet organizohet nga shoqata kulturore artistike “Arti dhe Kultura Italo-Shqiptare”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›