Joshua Martson , Kundër Hollivudit për “Falja e Gjakut”
Regjisori amerikan ka hedhur akuza ndaj sistemit të klasifikimit të filmave, që Akademia e Çmimeve “Oskar” i liston si filma që përfaqësojnë apo jo vendet nga vijnë
“Jam i zhgënjyer, sigurisht. Ka kaq shumë Shqipëri në realizimin e filmit ‘Falja e Gjakut’, kurse Akademia fokusohet vetëm në 6 kategoritë që i merr si barometër për të vërtetuar nëse filmi është shqiptar. Personalisht mendoj se kjo është shumë e trishtueshme”, - deklaroi regjisori amerikan i filmit “Falja e Gjakut”, vetëm pak ditë nga lajmi se Akademia e Çmimeve “Oskar” e ka skualifikuar filmin nga gara me pretendimin se ai nuk plotëson kriteret për të qenë një prodhim tërësisht shqiptar. Por zhgënjimi i Joshua Martson shkon edhe më tej, duke argumentuar se kriteret e përcaktuara nga kjo akademi për të përcaktuar “kombësinë” e një filmi janë absurde. Filmi “Falja e Gjakut” është realizuar nga shqiptarë, është xhiruar në Shqipëri, flet për Shqipërinë, dhe është në gjuhën shqipe. ǒdo mund të themi për film e mrekullueshëm të regjisorit Kaurismaki, me titullin ‘Le Havre’, i cili është një film francez, realizuar nga një kast aktorësh francezë dhe rrëfen një histori të mrekullueshme franceze, po që sipas kritereve që ka akademia na kualifikohet film Finlandez!?. Po për filmin “As if am not there”, që është xhiruar na Ballkan nga një staf serbo-kroat me kast aktorësh po nga ky rajon, i cili na kualifikohet si film irlandez!?. Kjo për mua është absurde”, - tha Martson. Por historia e refuzimit mes regjisorit amerikan Joshua Martson dhe Akademisë së Çmimeve “Oskar” e kanë fillesën këtu e 7 vjet të shkuara, ku filmi që i dha famë dhe arriti të merrte dhe një çmim ‘Oskar’ për aktoren protagoniste “Maria Full of Grace” u skualifikua pikërisht për të njëjtat arsye si dhe “Falja e gjakut”. I realizuar në Kolumbi, me histori kolumbiane, kast aktorësh nga Kolumbia, filmi “Maria full of Grace” u prezantua në vitin 2004 para Akademisë së Çmimeve “Oskar” si propozim i kinemasë kolumbiane. Por, i njëjti komision që përzgjedh listën e filmave për kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” e skualifikoi filmin, pasi sipas tyre nuk plotësonte kriteret si një prodhim tërësisht kolumbian. I njëjti debat ndoqi regjisori amerikan, Joshua Martson edhe 7 vjet më vonë, por tashmë ishte Shqipëria që përzgjidhte filmin “Falja e gjakut” si filmi që do të prezantojë kinemanë shqiptare në Akademi. Dhe sërish, komisioni i Akademisë ndjek të njëjtën procedurë, duke e skualifikuar nga lista me argumentin se “Falja e gjakut” nuk plotëson kriteret e vendosura nga kjo Akademi që ky film të marrë “targën” Albania. “Unë mendoj se ka një problem shumë të madh në sistem, ku Hollivudi pretendon se e di më mirë se vendi që përzgjedh filmin që do ta prezantojë nëse ai film i përket apo jo atij vendi. Është dekurajuese dhe e pakëndshme kjo që ndodhi për një shtet me industri të re filmi”, - e mbyll komentin e tij Joshua Martson, vetëm pak ditë pasi Akademia e Çmimeve “Oskar” për “Filmin më të mirë në gjuhë të huaj” vendosi se filmi “Falja e gjakut” nuk mund të përfaqësojë Shqipërinë, sepse nuk plotëson kriteret për të qenë një prodhim shqiptar. Pas këtij vendimi, Qendra Kombëtare e Kinematografisë mori një vendim që, në vend të filmit të Martson “Falja e gjakut” në listën e gjatë të filmave përfaqësues për Shqipërinë të vendosej filmi “Amnistia” e regjisorit Bujar Alimani.
Tristan Halilaj, kandidati shqiptar në “Shooting Star”
Pas Nik Xhelilajt, aktori që do të jetë pjesë e programit “Shooting Star” në Festivalin e ardhshëm të Berlinit, do të jetë sërish Niku, personazhi kryesor i filmi “Falja e Gjakut”. Bordi artistik ka miratuar aktorin më të mirë për pjesëmarrje në Berlinalen në kategorinë e “Shooting star”, Tristan Halilaj, për rolin e Nikut, të filmi i Joshua Martson. Programi “Shooting star”, që organizohet nga Europa Film Promotion, përzgjedh 10 aktorët e rinj më të mirë të Europës me synimin për t’i promovuar. Propozimi i QKK-së për aktorin shqiptar është Tristan Halilaj, që shpresohet të ketë të njëjtin fat me aktorin Nik Xhelilaj, i cili u përzgjodh në 10-shen më të mirë të aktorëve të rinj në Berlinalen e këtij viti. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe vitin e ardhshëm, ku 10 aktorët e përzgjedhur do të lançohen si yjet e vitit.