E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivalit të të Drejtave të Njeriut i munguan, si gjithnjë, politikanët

SHKRUAN: Ben Andoni 12-10-2011 11:58

Regjisori dhe ideatori i festivalit të të Drejtave të Njeriut, Kujtim Çashku: Si e shikoj edicionin e këtij viti; puna sizifiane që bëhet për të mbijetuar ky aktivitet dhe arti në Shqipëri; indiferenca e shoqërisë dhe handikapet e shumta të saj

Edicioni i gjashtë i Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut, mbaruar pak kohë më parë, u bë një lloj dëshmie e përpjekjes së një grupi idealistësh për mbajtjen e një tradite dhe interesave demokratike të një shoqërie me probleme, siç konsiderohet ajo shqiptare. Ideatori i saj, regjisori Kujtim Çashku, shpjegon përzgjedhjen e 35 filmave artistikë, dokumentarët, si edhe problematikat që lidhen me çështje të ngjashme me problematikat e vendit tonë, mesazhet e filmave etj. Veçmas filmave, një pjesë e të cilëve janë të papërsëritshëm jo vetëm për realizimet, por edhe tematikat, u fol për aspekte të krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit, fondamentalizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, shfrytëzimit të të miturve, skllavërisë moderne dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore. Z. Çashku tregon shqetësimin e tij për indiferencën e një pjese të shoqërisë shqiptare që e përcjell pa interes, por edhe mungesën e përhershme të politikanëve vendës, që mund të mësonin shumë në këtë aktivitet. Anipse, forumet e paradites, ku në njërën prej tyre ishte pjesëmarrëse dhe ambasadorja britanike Fiona Mcllëham, treguan përmasat dhe impaktin e vërtetë të këtij aktiviteti.

Prej vitit 2006, ju organizoni një nga aktivitetet më interesante për jetën kulturore shqiptare, festivalin që lidhet me të Drejtat e Njeriut. Si organizatori i saj, si ndiheni pas gjashtë edicionesh?

“Me mikun tim, profesorin Theodor Orlin, kemi punuar së bashku që nga viti 1992. Ai është profesor në fushën e të Drejtave të Njeriut në UTICA College. Z. Orlin është një njohës mjaft i mirë i tranzicionit në Europën Qendrore e Lindore si dhe shumë çështjeve aktuale që lidhen me Azinë. Më 2004, pasi mësoi për hapjen e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” në Tiranë, gjatë një bashkëbisedimi lidhur me kurrikulat, erdhëm në një mendje të hapnim në kuadrin e aktivitetit akademik dhe një festival të të Drejtave të Njeriut. Në Mars të 2006-s ne arritëm të organizonim edicionin e parë të këtij festivali, i cili tashmë jo vetëm që është institucionalizuar, por është kthyer në një traditë kalendarike për vendin tonë. Tashmë, në festival ka një përzgjedhje filmash nga e gjithë bota dhe në të marrin pjesë personalitete të shquara të fushës së të Drejtave të Njeriut dhe krijues që veprat e tyre ia kanë përkushtuar kësaj fushe. Natyrisht në botë ka shumë festivale artistike, mund të themi me qindra mijëra, por festivale për të Drejtat e Njeriut janë të pakta. Në Europë njihen rreth 26 syresh. Dihet që filmat me dedikim për të Drejtat e Njeriut janë filma që shkelin në zona të ndaluara, në zona me problematika të mprehta, ku ende krimi, shtypja dhe despotizmi janë në fuqi.

Siç e dini, në këtë edicion, ne kishim 35 filma të selektuar nga e gjithë bota dhe gjashtë prej tyre ishin të ndaluar të shfaqeshin në vendet e origjinës”.

Edhe pse ka një tematikë të veçantë, për më shumë, prurje tejet interesante, frekuentimi i publikut është jo i madh dhe më tepër akoma mungojnë gjithnjë autoritetet shqiptare. Mendoni se kjo është pasojë e parametrave të dobët social të shoqërisë shqiptare? Pse është kaq indiferente shoqëria shqiptare dhe ndaj kësaj lloj shfaqjeje?

“Çështja e frekuentimit të artit apo në tërësi e kulturës në vendin tonë është çështje sociale, por dhe politike. Ndryshimi i sistemit politik e gjeti shoqërinë të papërgatitur për të asimiluar atë që ajo e kërkonte prej dekadash. Ne nuk kishim kapacitetet e nevojshme të dixhestonim atë që na ofrohej nga sistemi që po zgjidhnim. Kështu që u bëmë pjesë e tij, si sistem demokratik, por me mendje totalitare; u bëmë një shoqëri e hapur, por me mendje të mbyllura, e materializuam skajshmërisht veten si shoqëri konsumi, duke hequr dorë nga çdo reflektim e meditim për veten e shoqërinë. Në këtë peizazh shoqëror të dominuar nga trauma e së shkuarës dhe post trauma e së tashmes ka pak hapësira për art e kulturë. Arti dhe kultura perceptohen si zbavitje çasti, duke thelluar gjithnjë e më shumë përmes këtij eferizmi amnezinë kolektive. Patologjia kolektive e indoktrimit komunist është zëvendësuar me patologjinë e amnezisë kolektive të indiferencës. Gjithnjë e më shumë individi i zhytur në këtë patologji e ka humbur dimensionin social të vetvetes. Kjo shfaqet me urinë dhe pangopshmërinë e vetvetes. Ai nuk ka kohë të mendojë, por vetëm të veprojë. Dihet që arti dhe kultura nuk e reduktojnë njeriun në një mekanizëm veprues, por e mbajnë të lidhur ngushtë me ushqim shpirtëror e mendor. Këtë lloj ushqimi ne jo vetëm që po e harrojmë, por po i humbim dhe shijen, çka do të thotë dhe kur na ofrohet qoftë dhe falas nuk jemi në gjendje ta shijojmë. Mendoj se festivali ynë do të ish një shans i mirë për politikëbërësit që marrin mbi vete përgjegjësi shoqërore. Filmat e ardhur nga e tërë bota do t'u jepnin atyre mundësinë të njihnin sado pak veten gjatë ushtrimit të pushteteve që ata drejtojnë. Në një kohë të shkurtër sillet një informacion i pasur që lidhet drejtpërdrejt me pushtetet e tyre. Në festival ne kishim problematika që lidhen me krimin e organizuar, lidhjen e këtij krimi me strukturat publike, trafikimin e të miturve, prostitucionin dhe drogën, intolerancat etnike, fetare e racore, lirinë e shprehjes dhe lidhjet e mediave me krimin.

Një dedikim të veçantë kish dita e njerëzve me aftësi të kufizuar në memorie të David Morris, regjisorit britanik, i cili karrierën e tij prej kineasti e zhvilloi mbi një karrocë paralitikësh. Nën kujdesin e ambasadores britanike Fiona Mcllëham rreth 70 persona me aftësi të kufizuar u bënë pjesë e një forumi që lidhej me reformat institucionale për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie shoqërore”.

“Heshtja e Artë”, “Reporteri”, “Të burgosurit politikë në Burma”, “Koreja e Veriut", "Një ditë në jetë”, “Wagah” e shumë të tjerë e kalojnë mesazhin e thjeshtë të dokumentit dhe universalizojnë përpjekje humane. A ishte e vështirë përzgjedhja e filmave pjesëmarrës?

“Festivali ynë përbëhet nga një komitet selektiv, një staf dhe një bord vendimmarrës. Në krye të bordit është përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, z. Detlef Palm. Komiteti selektiv përbëhet nga partnerë të festivalit, si OSCE, EUD, si dhe një sërë institucionesh dhe ambasadash të vendeve perëndimore.

Ne të gjithë së bashku përcaktojmë tematikat nga viti në vit, duke patur në konsideratë ato tematika që lidhen dhe me situatat në të cilat gjendet aktualisht vendi ynë. Filmat që ju përmendni lidhen kryesisht me Lirinë e Shprehjes dhe të mediave. Pavarësisht nga gjeografia e tyre, disa nga problemet që ata trajtojnë mbeten shqetësuese dhe të debatueshme dhe në vendin tonë”.

Nëse filmat, të themi, s’kanë pasur impaktin e mjaftueshëm në shoqëri, a ka ndikuar, sipas jush, cilësia e tyre e lartë për frymëzimin e duhur të artistëve shqiptarë?

“Përsa i përket impaktit, mendoj se ka arritur një qëllim të mjaftueshëm, nëse kemi në konsideratë që kemi patur rreth 3 000 shikues, ku pjesa më e ndjeshme ishte pjesëmarrja e maturantëve të gjimnazeve të Tiranës në forumet dhe debatet e paradites. Këto forume u zhvilluan në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me Drejtorinë Arsimore, si dhe specialistë të fushës së të Drejtave të Njeriut dhe mediave. Madje, mbulesa e plotë nga ana e media partnerit të festivalit, siç ish News 24, ‘Gazeta Shqiptare’ dhe ‘Panorama’ them se e ka përmbushur me sukses qëllimin për të cilin u zhvillua festivali. Përsa i përket artistëve, ne kishim dy filma të realizuar nga artistët tanë, siç ishin AMNISTIA, e Bujar Alimanit; dhe KTHIMI, i Blerta Zeqirit. Besoj se vëmendja e artistëve tanë do thellohet në vazhdim për të patur në fokus të veprave të tyre fenomene që lidhen me të Drejtat e Njeriut”.

A mendoni se ka kategori të tilla, si fëmijët dhe gratë, që duhet të kishin prezencë më të madhe në aktivitete të tilla?

“Mendoj se prezenca e grave dhe vajzave mund të themi në këtë edicion ish më e madhe se e meshkujve. Përsa i përket fëmijëve, dhe pse një pjesë e filmave lidheshin drejtpërdrejt dhe me shkeljen e të Drejtave të tyre, adresimi në fakt i bëhej të rriturve, të cilët i shkelnin këto të drejta. Ne shfaqëm gjatë ditëve të festivalit disa filma të realizuar, me mbështetjen e UNICEF- it, nga adoleshentë.

Mendoj se një praktikë e tillë, ku vetë të rinjtë shprehen për të Drejtat e tyre përmes kamerave, është një praktikë mjaft e suksesshme për të sensibilizuar”.

Jeni një nga personazhet që gjithnjë keni hapur dritare në kulturën shqiptare. Çfarë do donit më shumë nga Festivali dhe çfarë i mungoi një aktiviteti të tillë?

“Edicionin e kaluar një ditë të festivalit e zhvilluam në burgun 313 të Tiranës dhe bëmë një bashkëbisedim pas filmave që shfaqëm me të burgosurit. Këtë vit, siç thashë, ia dedikuam një ditë të festivalit njerëzve me aftësi të kufizuar, ndërsa do dëshiroja që vitin e ardhshëm t’ia dedikonim mjedisit, kulturës urbane dhe klimës.

Festivalit i munguan, si dhe në të kaluarën, politikanët shqiptarë”.

Detlef Palm, shefi i UNICEF-it:

Këta filma na ndihmojnë për realitetin

“Dikush mund të pyesë: a nuk kemi shumë probleme që duhet t’i zgjidhim? Përse duhet të shqetësohemi edhe për të Drejtat e Njeriut? Dua të them këtë: Shumë prej çështjeve të përditshme kanë të bëjnë me problemet e të Drejtave të Njeriut. Dhe nëse ato nuk janë çështje të të Drejtave të Njeriut, ato mund të bëhen çështje të të Drejtave të Njeriut, në varësi të mënyrës sesi ne përpiqemi t’u gjejmë zgjidhje.

Filmat e përzgjedhur ndihmuan që të gjithë të kuptojmë më mirë dimensionin e të Drejtave të njeriut lidhur me çështjet tona të përgjithshme ose private. Ata transmetuan dhimbjen, agoninë, vuajtjen e fëmijëve, grave dhe burrave që janë bërë viktima për arsye që nuk varen nga ata vetë. Filmat na ndihmuan ne ta shikojmë realitetin përmes lenteve të ndryshme. Ata na bëjnë ta kuptojmë më mirë ndjenjën e drejtësisë, frikës dhe së drejtës, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje më të mirë”, shprehet Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri dhe kryetar i Bordit të Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›