Shpërdorimi ujit të pijshëm, kontroll 155 lavazheve
Lavazhet nuk do të lejohen që të përdorin më ujin e pijshëm për të larë makinat.
Për këtë arsye, Ujësjellësi i Tiranës në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, ka ndërmarrë një aksion për të kontrolluar 155 lavazhe në kryeqytet, për të bërë të mundur administrimin e uji dhe mosshpërdorimin e tij për larje makinash. Sipas drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve, Sahit Dollapi, të gjitha këto subjekte që përdorin ujin e pijshëm duke ndërhyrë në rrjetin e kanalizimeve, do të penalizohen. “Ky aksion do të jetë i vazhdueshëm jo vetëm për lavazhet, po për të gjitha subjektet që shpërdorojnë ujin. Sot ne bëmë kontrollin totalisht në mënyrën e furnizimit të ujit, uji është i përdorshëm apo jo, si dhe dokumentacionin teknik nga strukturat e Bashkisë”, - tha Dollapi. Ndërsa kreu i Policisë Bashkiake tha se kontrollet do të shtrihen në të gjitha subjektet kudo në kryeqytet. Në ditën e tij të parë, aksioni është shtrirë në zonën e Kinostudios, pasi shumica e lavazheve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre janë të përqendruara në zonat periferike. Ndërkohë, masa do të merren dhe ndaj subjekteve që përdorin ujin e puseve, në rast se këto të fundit nuk kanë dokumentacionin përkatës, si lejen e shfrytëzimit, apo kontratë me Ujësjellës-Kanalizimet për pastrimin e puseve nga ujërat e ndotura.