E Diel, 1 Nëntor 2026

Markelian Kapedani me një koncert recital në teatrin “Verdi”

Markelian Kapedani, që sapo ka nxjerrë albumin e tij “Balkan Bop”, do të mbajë një koncert recital në teatrin “Verdi” në Itali, ku një pjesë e repertorit të tij do të jenë edhe këngët e albumit më të fundit. Një ndërthurje e muzikës folklorike shqiptare me muzikën e vendeve të tjera të rajonit do të jetë pjesë e koncerteve të Festivalit Ndërkombëtar të Jazzit, që zhvillohet në Padova. Kapedani do të interpretojë krah emrave të mëdhenj të Jazz-it botëror, Petra Magoni, Gino Paoli, dhe amerikanit Benny Golson. Koncerti recital i muzikantit shqiptar do të mbahet më 18 nëntor. Edicioni XIV i Padova Jazz Festival, i organizuar nga Shoqata Miles dhe Veneto Jazz, këtë vit do të zhvillohet nga 13 deri më 20 nëntor në teatrin “Verdi”. Koncertit të Markelian Kapidanit do t’i paraprijë koncerti i të madhit Gino Paolit, të shoqëruar nga disa prej interpretuesve më të famshëm italianë të jazz-it, si Flavio Boltro, Danilo Rea, Rosario Bonaçorso dhe Roberto Gatto. Markelian Kapidani ishte një ndër muzikantët më të njohur sidomos pas viteve ’90, kur me imazhin dhe muzikën ndryshe që solli te publiku i etur shqiptar për muzikë alternative nisi dalëngadalë të lëvronte edhe rrymën e jazz-it, një muzike që u ndalua pas viteve ’60. Pas ’90-ës, Kapidani nisi eksperimentimin e jazz-it, por krahas tij rizbuloi edhe muzikën e larmishme e të pasur shqiptare e ballkanike. U largua nga Shqipëria në vitin 1997 dhe aty rinisi nga e para karrierën si muzikant kryesisht i jazz-it. Ai vazhdon të zbulojë ritme të reja të muzikës jazz të gërshetuara me ritmet ballkanase. Një nga karakteristikat themelore muzikës së tij është shkrirja e natyrshme e traditës së madhe “formale” të muzikës perëndimore me meloditë popullore ballkanike bashkë me një karakter Jazz-i të dukshëm. Muzika e Kapedanit përfshin thuajse të gjitha sferat e muzikës, nga klasikja te jazz, nga folklori ballkanik te muzika eksperimentale, nga muzika e lehtë te krijimet me influenca afrokubane etj. Aktualisht ai bashkëpunon me muzikantë të kombësive të ndryshme, duke ndjekur idenë se muzika është një ndër shprehjet artistike kufijtë e së cilës përfshijnë gjithë popujt e botës pa dallim race apo feje. Por në këtë koncert recital ai vjen me ritme tërësisht ballkanike. Duke u kthyer pas në kohë, Markelian Kapedani koncertin e parë publik të muzikës jazz e mbajti më 21 korrik 1992, me kuartin Song Of Jazz në Shqipëri. Pas kësaj ai bashkëpunoi me RTSH-në në organizimin e Festivalit në RTSH, ku solli një frymë tjetër në muzikën e këtyre festivaleve. Por kriza e ’97-ës e detyroi atë të largohej drejt Italisë, ku rinisi një karrierë të dytë, duke u bërë një ndër muzikantët më të njohur të muzikës jazz jo vetëm në Itali por dhe vende të tjera të Europës. Në maj të vitit 2008 ai nxjerr albumin e tij të parë Ballkan Piano, të prodhuar nga etiketa Jazz “Red Records”. Aktualisht, në Itali, me muzikën e tij të veçantë po korr një sukses të dukshëm. Në nëntor 2008 ai ftohet nga “MEI” në qytetin Faenza te mitingu (Takimi i Etiketave të Pavarura Diskografike), ku fiton edhe çmimin “Multikulti”, si rinovues i muzikës Jazz në Itali. Disku Ballkan Piano është vlerësuar pozitivisht nga revistat Jazz më të rëndësishme të Italisë. Nga 2008-2010 merr pjesë në festivalet më të rëndësishme të jazz-it. Më 2011 nxori diskun e tij të dytë “Balkan Bop”, të prodhuar, por nga etiketa Red Records.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›