Festohet 22 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike në Tropojë. Topalli: Mandatin e ardhshëm shqiptarët do heqin pritën e fundit që pengon ëndrrën europiane
Kryetarja e Kuvendit dhe njëherazi nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ishte e ftuar në festën e 22 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Tropojë.
Në pallatin e sportit të mbushur plot, ajo tha se fitorja e 23 qershorit do të jetë një fitore e thellë, sepse ne jemi ndryshimi, sepse ne duam një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri që ecën përpara. “Partia Demokratike është parti e vizionit. Partia Demokratike është parti e flamurit, e misioneve të mëdha, e rrugëve të vështira, e ngjitjeve drejt lartësive. Është parti e shpirtit të kombit, është historia e udhës sonë, e fitores, e suksesit. Ne shkojmë drejt zgjedhjeve me premtime të mbajtura. Në mandatin e ardhshëm shqiptarët do të bëjnë të mundur që të heqim pritën e fundit të pabesisë që Edi Rama ka vendosur përpara ëndrrës së shqiptarëve. Ajo është prita e fundit dhe fundosja e njeriut që tenton të pengojë ëndrrën tonë për t’u bashkuar me familjen europiane. Ne do fitojmë, sepse kur fiton Partia Demokratike, fiton Shqipëria, fiton kombi, fitojnë shqiptarët. Ne do të bëjmë Shqipërinë një vend të zhvilluar. Fitore në 2013!”- tha Jozefina Topalli, duke falënderuar çdo shqiptar, çdo demokrat, çdo qytetar të Tropojës për mbështetjen, për dashurinë ndaj kombit.
Në këtë tubim ishin të pranishëm edhe Ministri i Brendshëm, deputet i Qarkut, Flamur Noka, deputeti Besnik Dushaj e përfaqësues të pushtetit lokal.
Fjala e N/kryetares së PD-së Jozefina Topalli në Tropojë me rastin e 22 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në këtë qytet:
Të dashura zonja, të nderuar zotërinj, motra, vëllezër,
Gëzuar ditëlindjen tuaj! Ditëlindja është një ndër momentet më të bukura, ndër festat më të ëmbla, më të veçanta. Sigurisht kur bën 20 vjeç është bukur, 22 vjeç është një moshë e mrekullueshme. Partia jonë është parti e re. Partia jonë është parti e vizionit. Partia jonë është parti e flamurit. Partia jonë është parti e misionit, e misioneve të mëdha, e rrugëve të vështira, e ngjitjeve drejt lartësive. Partia jonë është parti e shpirtit të kombit. Partia jonë është historia e udhës sonë, e fitores, e suksesit.
Ashtu si e thanë edhe kolegët e mi përpara, ne sapo kemi mbyllur festimet e 100-vjetorit. Secili prej nesh ka pasur një reflektim: Cilët ishin këto 100 vite? Çfarë ishte ky jubile për ne? Ne pamë se 28 nëntori i këtij viti ishte një lëvizje kombëtare, një vetëdije e thellë e shqiptarizmit, një vetëdije e madhe e vështirësive të historisë sonë, një dëshirë e pandalshme për të qenë ashtu si thotë Kryeministri shqiptar “të bashkuar me njëri-tjetrin, të bashkuar në Europë”. Ne jemi shqiptarë. Ne kemi një identitet të fortë. Ne kemi një ëndërr. Ne duhet të jemi bashkë aty ku është ëndrra jonë.
Ndodh shpesh herë që rruga të jetë e vështirë. Por kur njeriu merr një vendim, kur ai guxon, ashtu si keni guxuar ju 22 vite përpara, ai arrin që të realizojë ato që për shumicën duken të pamundura.
Të kthehemi pak mbrapa me kujtesën.
A nuk dukej vetëm pak vite përpara gati e pamundur që ne shqiptarët të ishim anëtarë të NATO-s? A dukej gati e pamundur që ne shqiptarët të mund të hynim në lëvizjen e lirë dhe të lëviznim pa viza në të gjithë Europën? Pa të pyesim veten: A dukej vetëm pak vite përpara që ishte e pamundur që infrastruktura jonë në Shqipëri të ndryshonte me një ritëm të tillë siç ka ndodhur tek ne? A dukej e pamundur që kur e gjithë bota është në krizë, Shqipëria nuk është në recesion? A dukej e pamundur që Kosova të ishte e pavarur? Kush e dinte se do të ndodhte
ajo lëvizje kombëtare më 28 nëntor ? Të gjithë lumë u lëshuat në rrugët e Shqipërisë; në Bajram Curri, në Tropojë, në Gjakovë, në Prizren, në Vlorë, në Shkodër, në Tiranë por edhe në çdo qytet, aty ku ka pasur shqiptarë, në vendet e Europës është ngritur flamuri shqiptar. Nuk ka flamur më të bukur se flamuri shqiptar. Nuk ka flamur më të drejtë se sa flamuri shqiptar. Nuk ka flamur ku të shkruhet më thellë se kudo tjetër besa, qëndresa, lufta, e drejta e shpresa. Ndodh shpesh që në këtë rrugë të vështirë të të sulmojnë. Por suksesi nuk sulmohet. Suksesi vetëm celebrohet dhe ne ja kemi dale. Nuk ekziston një vend tjetër që të ketë bërë një rrugë kaq të gjatë në një kohë kaq të shkurtër siç e kanë bërë shqiptarët. Jemi shqiptarë dhe jemi krenarë. Jemi shqiptarë dhe jemi besimtarë. Jemi shqiptarë dhe ne ia dalim.
Sigurisht që kemi qenë me fat dhe për këtë të parët, krenarë duhet të jeni ju dhe jeni ju. Është për shkak të Sali Berishës që ky vend ka ecur, është për shkak të këtij burri kombi që ky vend është transformuar, është për shkak të tij që kjo parti në 22 vite pluralizëm ka 13 vite në pushtet, që punon, që e konsideron mision ndryshimin. Por ne do ta bëjmë 17 vjet, 21 vjet e shumë të tjera që do të punojmë, sepse ne duam një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri që ecën përpara.
Ne shkojmë drejt zgjedhjeve me premtime të mbajtura, ne jemi njerëz që mbajmë fjalën. Në cilin vend të botës ndodh që brenda një periudhe kaq të shkurtër rrogat e arsimtarëve të rriten me 130 deri në 150 %?
Më thoni një vend? Në cilin vend tjetër të botës ndodh që rrogat e infermierëve të rriten nga 130 në 160 %? Më thoni, ku ka një vend tjetër të botës ku buxheti në një diferencë tetë vjeçare të shkojë nga 180 miliardë lekë në 360 miliardë lekë; dyfishin. Më gjeni një vend tjetër në botë dhe unë do t’iu kërkoj të falur.
Gjeni një vend të botës që gjatë kësaj periudhe të ketë trefishuar apo të ketë arritur me 316 % rritjen e investimeve të huaja direkte. Më thoni një? A ka ndonjë vend të botës i cili të ketë bërë gjatë kësaj periudhe të shkurtër mijëra kilometra e korridore të rrjetit tonë rrugor; 10 mijë kilometra rrugë siç e ka arritur qeveria e Sali Berisha? A ka një vend tjetër në botë që të ketë dyfishuar pensionet? A ka ndonjë vend tjetër në botë që të ketë rritur pensionet në fshat nga 36 dollarë që e kishte lënë Partia Socialiste në 78 dollarë.
Ne, mandatin e ardhshëm do të mbyllim korridoret e Shqipërisë. Nuk do të ketë asnjë ditë që qytetarët shqiptarë të mos kenë mundësinë të ecin me shpejtësi vetëm nëpër rrugë moderne. Ne, mandatin e ardhshëm do të çojmë më lart numrin e shkollave të ndërtuara dhe të rindërtuara. Po a ka shkollë me moderne se kjo që pashë këtu, duke ardhur në këtë pallat të ri. Kjo është shkollë e standardeve europiane dhe fëmijët tanë e meritojnë.
Unë kam pasur fatin të punoj me kolegët e mi, si me deputetin tuaj, për të cilin jam shumë e nderuar, unë kam pasur fatin të punoj me kryetarin e qeverisë suaj, Sali Berisha. Kam pasur fatin t’iu njoh ju, të punoj me ju dhe sot unë dua t’iu them; Faleminderit Tropoja! Faleminderit për mbështetjen! Faleminderit për sakrificën! Faleminderit për dashurinë për kombin! Faleminderit për sakrificën për flamurin! Faleminderit për çdo gjë që keni bërë në këto 22 vite. Faleminderit çdo shqiptari që besoi tek kjo parti, e cila është parti e misioneve. Faleminderit çdo shqiptari, çdo demokrati, çdo demokrateje, faleminderit të rinjve, djemve, vajzave, gjimnazistëve, studentëve, universitarëve. Ju jeni të parët, ne tek ju besojmë, ju do çoni përpara Shqipërinë në Europë.
Në mandatin e ardhshëm shqiptarët do të bëjnë të mundur që të heqim pritën e fundit të pabesisë që Edi Rama ka vendosur përpara ëndrrës së shqiptarëve. Ju do ta rrëzoni. Shqiptarët do ta rrëzojnë. Ajo është prita e fundit dhe fundosja e njeriut që tenton të pengojë ëndrrën tonë për t’u bashkuar me familjen europiane.
Unë jam besimtare, unë besoj se ne hyjmë në fushatë elektorale me premtime të mbajtura, unë besoj sepse ne kemi Sali Berishën. Unë besoj se kur fiton Sali Berisha, fiton Shqipëria, fiton kombi, fitojnë shqiptarët.
Ne do të jemi më mirë, shqiptarët do të jenë më mirë. Ne do të bëjmë Shqipërinë një vend të zhvilluar.
Rroftë Tropoja! Faleminderit të gjithëve! Fitore në 2013-ën!
...