Festohet ditëlindja e Milto Vakos
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes s[ Milto Vakos, mjeshtrit të Ansambleve Korale, në Teatrin e Operës dhe Baletit u organizua dje një mbrëmje muzikore ku interpretuan solistët e TKOB-së, Kori i Operas dhe Ansambli Koral Popullor. Dirigjenti Milto Vako, Artist i Merituar, është një nga profesionistët e ngritjes së nivelit artistik të traditës korale, si dhe në përgjithësi për të gjithë gamën e të kënduarit në ansambël. “Me talentin e tij profesor Vako është ndër krijuesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke dhënë ndër vite disa modele interpretimi të përpunimeve më të mira korale në këtë fushë. Merita të ndjeshme Milto Vako dha në nisjen e një tradite të re korale për ansamblet e zërave të rinj që njihen në botë me emërtimin “voci bianche”. Mbi këto parime, ai filloi një përvojë të re te ne me korin e Liceut Artistik që në vitet ’60, gjë e cila ngjalli mjaft diskutime, pasi thyente tabutë kufizuese të kohës. Disa herë kërkesat për një të kënduar koral të natyrshëm dhe pa deformime ranë ndesh me pompozitetin e jashtëm e jo të kultivuar të koreve me të cilat ai punoi si në Ansambël ashtu dhe në opera.
Një periudhë dhune ndaj tij dhe familjes u ushtrua deri në ekstremin e privimit të lirisë pas famëkeqit plenium i IV të Partisë. Ndërrimi i sistemit totalitar e solli gradualisht në jetën artistike Mjeshtrin e korit të anatemuar”, ka thënë për të mjeshtri i madh, Zhani Ciko. Dirigjenti koral, Milto Vako, u lind në Pogradec më 30 mars të vitit 1930.
#