Festojnë dy herë Vitin e Ri
Në fshatin Bresanë të Opojës kremtohen dy festa të Vitit të Ri. Para dy muajsh, Viti i Ri mysliman 1433, u prit me ushqim të mirë e torte e ky sipas kalendarit Gregorian me 31 dhjetor, do të pritet me mish, lëngje e balona. Në fshatin me 5 mijë banorë, që ka xhaminë më të madhe në Kosovë, bashkëjeton edhe respekti për të gjitha festat.
Shumë prej familjeve në Kosovë presin plot dymbëdhjetë muaj për ta festuar Vitin e Ri.
Por ka edhe të atilla që të njëjtën festë, e kremtojnë dy herë në vit.
Ata janë banorët e Bresanës, fshat në rajonin e Opojës.
Këta fshatarë kanë fatin që ndërrimin e moteve ta përjetojnë dy herë, brenda dymbëdhjetë muajve të vitit.
Një herë festojnë Vitin e Ri mysliman (Hixhrin),sipas kalendarit hënor, e një herë Vitin E Ri, sipas kalendarit gregorian.
Ndërrimi i parë i moteve për ata ishte në nëntor. Atë muaj bresanasit festuan vitin 1433, vit ky në të cilin myslimanët llogarisin se janë aktualisht.
Njëjtë do të veprojnë edhe në natën ndërmjet 31 dhjetorit e 1 janarit, festohet ardhja e vitit 2012.
Pavarësisht se dallimi i viteve që ata festojnë është shumë i madh, ka diçka që këtë festë aty e bën të njëjtë.
Për ndërrimin e moteve, asnjë shtëpi, asnjë dyqan e as rrugët e fshatit nuk dekorohen me drita.
Kjo pasi të gjithë banorët e Bresanës janë mysliman, e sipas fesë, dekoret e tilla janë haram.
Përveç kësaj, përgatitjet që bëjnë për të dy festat, janë pothuajse të njëjta, sidomos në ushqime. Dallojnë vetëm llojet e ëmbëlsirave.
Në vitin e ri mysliman, ushqimi është pothuajse i njëjtë me festën e Bajramit.
Gjatë ditës gratë përgatisin torta dhe bakllava. E kremtja kryesore është në darkë.
Kështu Mahmut Riza thotë se në mbrëmje, mbledh të gjithë familjarët e tij dhe ulen të hanë së bashku në ndërrimin e viteve në Vitin e Ri mysliman.
Zakonisht e kemi traditë që të bëjmë fli, ndonjë gjellë, ëmbëlsira dhe gjëra të tjera që na e begatojnë sofrën. Kështu e festojmë Hixhrin, rrëfen Riza për Express.
Ai thotë se përveç sofrës, gjërat e tjera janë në një ditë të zakonshme.
Nuk dekorojmë asgjë në shtëpi pasi feja nuk e lejon këtë. E normal që as rakinë nuk e konsumojmë. Natën e çojmë me lëngje, thotë ai.
Në të njëjtën mënyrë, Vitin e Ri mysliman e pret edhe kryetari i fshatit, Ymer Ademi.
Sikurse të gjithë banorët e tjerë, edhe ai i respekton të gjitha ato që i ndalon feja.
Nuk pi raki, nuk e rregullon shtëpinë, pavarësisht se ka shumë nipa e mbesa të cilët ia kërkojnë këtë.
Gjithmonë gjysh e stërgjysh i kemi pas mysliman të pastër. Edhe sot e praktikojmë të njëjtën fe, por në mënyrë moderne, tregon Ademi për Express.
Pavarësisht kësaj, ai thotë se Vitin e Ri mysliman, banorët e fshatit të cilin ai e drejton, kanë filluar ta festojnë pasluftës.
Që nga atëherë ne kemi nis ti kushtojmë më shumë rëndësi atij më shumë sesa Vitit të Ri të cilin gjithmonë e kemi festuar, pohon kryetari i fshatit.
Ky fshat nuk dallohet vetëm pse i feston dy Vita të Ri brenda një viti. Aty është edhe xhamia më e madhe në Kosovë e cila ka katër minare dhe është e ndërtuar nga vetë fshatarët.
Imami i kësaj xhamie në Bresanë, është ai që bënë më shumë përgatitje për fundvitin mysliman.
Imam Kasum Muhameti tregon se këtë vit kur bashkë me fshatin festoi vitin 1433, pas faljes së drekës, ka organizuar një ligjëratë në xhami.