Festojnë pavarësimin
Futbolli kosovar të martën ka festuar 20-vjetorin e ndarjes nga ai i ish-Jugosllavisë. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) kishte organizuar disa aktivitete për të rikujtuar momentin më të rëndësishëm për futbollin në vend.
Kremtimi i kësaj dite nisi me një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin në ‘Xhemajl Ibishi’, ndërmjet protagonistëve të asaj ngjarjeje- Prishtinës e Flamurtarit, të cilët më 13 shtator të vitit 1991 kishin zhvilluar takimin e parë si të pavarur nga Federata ish-jugosllave.
Madje, Prishtina e Flamurtari dje u paraqitën me ish-ikonat e tyre, me të cilët e kishin zhvilluar ndeshjen e parë ndërmjet veti, pas mëvetësimit.
Emra të mëdhenj si: Ramiz Krasniqi, Eroll Salihu, Isa Sadriu, Afrim Tovërlani, Ismet Munishi, Rexhep Fona, Agim Hoxha, Agim e Përparim Hasani, Suad Keqi, Arbnor Morina, Ahmet Beselica, etj, të drejtuar nga dy trajnerë me emër në Kosovë, siç janë Ajet Shosholli e Bylbyl Sokoli, rikthyen kujtimet rënqethëse të asaj kohe. Kuqezinjtë e fituan këtë miqësore ndaj bardhekaltërve me rezultat 4:1.
Manifestimi i kësaj dite historike vazhdoi në hotelin Grand në Prishtinë, ku u tubuan të gjithë ata të cilët e kishin braktisur futbollin e ish-Jugosllavisë për t’i ndihmuar procesit të shtetbërjes së Kosovës.
Edhe aty ngjarja e asaj kohe fillimisht u rikujtua nëpërmjet një dokumentari televiziv. Më pas, folën protagonistët. I emocionuar, para të pranishëmve foli edhe Agim Bytyçi, kryetari i parë pas themelimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Jam i emocionuar kur shoh se arritëm që këtë manifestim ta bëjmë këtu, e në anën tjetër, kur kujtoj se nëpër çajtoret e Prishtinës nisëm formimin e Federatës së Futbollit të Kosovës”, tha Bytyçi.
Në anën tjetër, kryetari aktual i shtëpisë së futbollit kosovar, Fadil Vokrri tha: “FFK-ja dhe organet e saj ju kujtojnë me këtë rast me admirimin më të madh për gjithë sakrificën që keni bërë. Ju krijuat aureolën më fisnike të ndodhur ndonjëherë në futbollin kosovar, ndaj duke iu përgëzuar për 20-vjetorin e mëvetësimit të futbollit kosovar, ju falënderoj dhe ju jam mirënjohës për gjithë veprën tuaj”, ka deklaruar Vokrri.
Në mesin e të pranishëmve ishte edhe zëvendësministri i Ministrisë së Sportit, Hajdin Abazi dhe ministri i Arsimit, Ramë Buja, i cili në atë kohë ishte anëtar i kësaj lëvizjeje.
Ndërkohë, drejtuesit e futbollit kosovar u kanë ndarë mirënjohje të gjithë atyre që ishin pjesë e procesit të pavarësimit të futbollit kosovar nga ai i ish-Jugosllavisë. Të gjithë u shpërndanë duke shpresuar në inkuadrimin sa më të shpejtë të FFK-së në FIFA e UEFA.