E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetai provohet në Montreal

Bajram Fetai është duke luftuar për ta fituar një kontratë me ekipin Montreal Impact. Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia është duke u provuar në ekipin kanadez nga e hëna me shpresën që do t’i bind udhëheqësit e këtij klubi që ta mbajnë për një kohë të gjatë.

Sipas medieve kanadeze, Fetai ka rënë në kontakt me Montrealin pas rekomandimit të Patrice Bernier, i cili aktualisht është zyrtar i këtij klubi. Në të kaluarën, Fetai dhe Bernier ishin bashkëlojtarë në ekipin danez Nordsjaelland.

Përfaqësuesi maqedonas është lojtar i lirë, pasi e mbylli eksperiencën e tij në ekipin Lyngby. Ky ekip ra në ligën e dytë daneze dhe Bajrami nuk kishte luajtur sa duhet gjatë sezonit të shkuar, kështu që të dyja palët vendosën ta ndërpresin bashkëpunimin.

26 vjeçari do të qëndrojë në Kanada deri në fund të javës ose edhe më shumë, kur do ta mësojë vendimin e Montrealit. Ky ekip së fundmi ka transferuar lojtarë të njohur italianë si mbrojtësin Alessandro Nesta dhe sulmuesin Marco di Vaio. Aktualisht ekipi gjendet në pozitën e tetë nga 10 ekipe pjesëmarrëse në Konferencën Lindore të Major League Soccer (MLS), pas 21 ndeshjesh të zhvilluara me gol-diferencë -10.

Fetai ka zhvilluar tri ndeshje me ekipin kombëtar të Maqedonisë, të gjitha miqësore. Dy ndeshjet e para i kishte zhvilluar nën drejtimin e selektorit Mirsad Jonuz, kurse të tretën nën urdhrat e John Toshack, në miqësoren e 15 nëntorit 2011 ndaj Shqipërisë, e cila kishte përfunduar pa gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›