Feti Zeneli: Pas dhjetorit, sekuestro dhe penalitete për debitorët
INTERVISTA/Flet Drejtori i Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK), z. Feti ZENELI: Aksion ndaj debitorëve të ATK-së që s’kanë likuiduar kreditë e marra
Kohët e fundit është vënë re një fushatë e dendur njoftimesh e publikimesh nga Agjencia e Trajtimit të Kredive, lidhur me lehtësitë më të fundit që qeveria ka ofruar për debitorët e institucionit që ju drejtoni. Cilat janë rezultatet e një punë të tillë?
Në zbatim të Nenit 18 të Ligji 8894, datë 14/05/2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive, i ndryshuar me Ligjin Nr. 9731, datë 10/05/2007 janë nxjerrë dy vendime qeverie dhe dy udhëzime të Ministrit të Financave, ku VKM Nr. 1045, datë 17/07/2008 dhe Udhëzimi Nr. 29, datë 06/10/2008 i Ministrit të Financave janë shfuqizuar për shkak të afatit të shkurtër kohor, në të cilën e shtrinin efektin e zbatimit të tyre (deri në 30/04/2009). Aktualisht ATK-ja e mbështet veprimtarinë e saj aktuale për organizmin dhe drejtimin konkret të punëve tek zbatimi i kërkesave të VKM-së Nr. 68, datë 11/06/2009 dhe Udhëzimi Nr. 35, datë 14/07/2009 i Ministrit të Financave. Siç shihet këto akte nënligjore nuk kanë shumë kohë që kanë hyrë në fuqi, megjithatë ne kemi bërë një punë intensive për njohjen dhe propagandimin e tyre tek debitorët. Duke marrë fillimin e gushtit të këtij viti si afatin e hyrjes në fuqi të këtyre akteve nënligjore, nuk kanë kaluar më shumë se 4 muaj kohë, megjithatë ndryshimet janë ndjerë qysh në muajin tetor, ku plani i arkëtimeve u realizua gati 22 milionë lekë më shumë se mesatarja mujore e pesë muajve të shkuar (maj-shtator) ose 230 për qind e këtij treguesi. Gjatë muajit nëntor pati një rënie të lehtë për shkak se shumë debitorë kanë premtuar, që për arsye të ndryshme, të cilat burojnë nga menaxhimi i buxheteve të tyre familjare, ta mbyllin detyrimin në dhjetor, ku ne parashikojmë të arrijmë një shifër rekord arkëtimesh prej afro 75 milionë lekë, e cila është afro sa dyfishi i planit mesatar mujor i këtij viti. Në VKM-në Nr. 681, datë 11/06/2007 dhe Udhëzimin e Ministrit të Financave Nr. 35, datë 14/07/2009 është përcaktuar se debitorët kanë afat deri në 31 dhjetor 2009 që të shlyejnë vetëm principalin, duke përfituar faljen 100 për qind të interesave, gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që ta likuidojnë menjëherë atë. Në rast se shlyejnë me këste ose ofrohen për të likujduar përtej këtij afati, debitorët krahas principalit duhet të paguajnë edhe një pjesë të interesave, të cilat shtohen me kalimin e kohës, për t’u fiksuar në shifra të pandryshueshme pas qershorit 2010. Këto përshkallëzime janë të ndryshme për dy grupimet e debitorëve, të krijuara mbi bazën e madhësisë së principlit të transferuar. Konkretisht për grupin e debitorëve me principal të transferuar deri në tre milionë lekë, por që ofrohen për të shlyer detyrimin brenda periudhës janar-qershor 2010 u falen 80 për qind e interesave, gjobave dhe kamatvonesave; kurse pas qershorit 2010 u falen 60 për qind e këtyre detyrimeve. Ndërsa për grupin e debitorëve me principal të transferuar mbi tre milionë, por që ofrohen për të shlyer detyrimin brenda periudhës janar-qershor 2010 u falen 75 për qind e interesave, gjobave dhe kamatvonesave, kurse pas qershorit 2010 u falen 65 për qind e këtyre detyrimeve. Në këtë mënyrë, duke filluar nga janari i vitit që vjen, përveç principalit të mbetur debitorët do të detyrohen të paguajnë edhe një pjesë jo të vogël të detyrimeve të krijuara për interesa, gjoba dhe kamatëvonesa. Parë në këtë këndvështrim dhjetori i këtij viti është shansi i fundit kur debitorët mund të përfitojnë faljen 100 për qind të interesave, gjobave dhe kamatvonesave dhe shlyejnë vetëm principalin e mbetur. Për hollësi e sqarime të mëtejshme debitorët mund t’i drejtohen zyrave të ATK-së në qendër e në rrethe. Megjithatë deri tani ata kanë reflektuar shumë pak ndaj lehtësive të krijuara, kjo ndoshta edhe për shkak të mosnjohjes nga të gjithë të akteve të mësipërme nënligjore, pasi, sikundër e përmendëm pak më lartë, nuk ka veç pak javë që ato kanë hyrë në fuqi, ndonëse ne kemi bërë një seancë intensive publikimi në median vizive për 15 ditë rresht, para pak kohësh.
Cila është strategjia që do të ndiqni nëse edhe gjatë dhjetorit nuk do të arrini rezultatet e parashikuara në këtë muaj, që ju e konsideroni vendimtar për tërë vitin?
Ne jemi të bindur dhe kemi marrë të gjithë masat që mos të dështojmë. Megjithatë po presim edhe dhjetorin dhe pastaj do të veprojmë me të gjithë forcën e ligjit, duke vendosur sekuestro mbi pasuritë, llogaritë dhe çdo të ardhur tjetër të debitorëve që nuk arrijnë të shlyejnë totalisht apo pjesërisht detyrimin që kanë ndaj ATK-së. Deri tani kemi siguruar mbështetjen e duhur të zyrave të Shërbimit Përmbarimor, bashkëpunim të cilën shpresojmë ta forcojmë në të njëjtin nivel edhe me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor, ALUIZNI-n, organet e pushtetit vendor, zyrat e gjendjes civile, bankat e nivelit të dytë, fondacionet kredidhënëse dhe të gjithë institucionet e tjera shtetërore. Ndërkohë ne po bëjmë gati dhe po dërgojmë në përmbarim të gjitha dosjet e debitorëve që nuk ofrohen për të shlyer në mënyrë vullnetare detyrimin, sikundër po dërgojmë në gjykata e prokurori të gjitha ato raste kur debitorët i shmangen në mënyrë të qëllimshme shlyerjes së detyrimit dhe kanë krijuar vepra penale për mashtrimin në kredi apo tjetërsimin e paligjshëm të kolateraleve. Njëkohësisht ne do të reagojmë fuqishëm edhe ndaj atyre institucioneve që bëhen strehë e debitorëve tanë problematik, duke i favorizuar e mbrojtur në mënyrë të paligjshme. Në mënyrë të veçantë disa gjyqtarë, siç ndodh edhe për shumë çështje të tjera civile e penale në jetën e përditshme, po bëhen pengesë për ndëshkimin e merituar ligjor të debitorëve mashtrues e abuziv, ku rastet më skandaloze janë ato të regjistruara kohët e fundit nga gjyqtarë të shkallës së parë të rrethit gjyqësor Elbasan, Përmet dhe Gjirokastër, për të cilët, ne, përveç ndjekjes së shkallëve të tjera të gjyqësorit do t’i drejtohemi edhe Këshillit të lartë të Drejtësisë për masa administrative ndaj tyre. Kësaj beteje do t’i shkohet deri në fund, pasi nuk ka kthim prapa. Njerëzit duhet të mësohen me faktin që kredia e marrë duhet paguar. Nga ana tjetër, debitorët duhet të ndërgjegjësohen përfundimisht se nuk ka falje e toleranca të tjera nga shteti shqiptar, përveç atyre të përcaktuara në VKM-në Nr. 681, datë 11/06/2007 dhe Udhëzimin e Ministrit të Financave Nr. 35, datë 14/07/2009; dy akte nënligjore këto, me të cilat do të punohet tani e tutje në ATK.
Nga informacionet që ju na servirët, Agjencia e Trajtimit të Kredive ka gati 11 vjet që funksionon si e tillë. Cila është perspektiva e këtij institucioni?
ATK-ja vazhdon të ketë ende nëpër duar një portofol të konsiderueshëm të detyrimeve debitorë, i cili në total shkon në rreth 24,6 miliardë lekë ose afro 250 milionë dollarë, duke përfshirë dhe interesat e llogaritura në ATK, një shumë kjo e barabartë me rreth 70% e portofolit të transferuar. Në këtë shumë të përgjithshme detyrimi, principali zë një shifër prej 10,5 miliardë lekë ose rreth 42,6 për qind të të gjithë detyrimit. Siç shihet, shumica janë interesa, gjoba dhe kamatëvonesa, të cilat tregojnë qartë mungesën e trajtimit efektiv dhe në kohë të këtyre debitorëve. Kur shuma e interesave kërcen mbi shumën e principalit do të thotë që puna drejtuese dhe organizuese e bërë në të shkuarën për arkëtimin e detyrimeve debitorë nga strukturat përgjegjëse të ATK-së ka qenë me shumë mangësi. Defekti më i theksuar ka qenë mos marrja me debitorët problematikë, por me ata që paraqiteshin në mënyrë vullnetare apo kishin më pak probleme se të tjerët për likujdimin e detyrimit, duke pretenduar komoditet në një institucion, i cili kërkon punë e përkushtim të veçantë për arritjen e objektivave të caktuara. Për 11 vjet rresht, duke filluar nga 1998, në arkën e Buxhetit të Shtetit janë inkasuar nga ATK-ja jo më shumë se 5 miliardë lekë ose vetëm 14 për qind e detyrimit të transferuar. Duke i shtuar kësaj shume edhe fshirjen e detyrimit të 84 ndërmarrjeve shtetërore nga portofoli i ATK-së, në shumën 6 miliardë lekë, atëherë rezulton që detyrimi i mbetur zbret në 24,6 miliardë lekë, pa përfshirë arkëtimet që janë bërë e do bëhen gjatë vitit 2009. Ky detyrim u përket afro 13 000 debitorëve, nga të cilët 26 prej tyre janë ish ndërmarrje shtetërore. Detyrimi total që ish ndërmarrjet shtetërore i kanë ATK-së shkon në afro 3,7 miliardë lekë, nga të cilat 2,4 miliardë lekë i takon principalit. Në këtë mënyrë detyrimi që individët dhe subjektet private i kanë ATK-së zbret në rreth 20,9 miliardë lekë, nga të cilat vetëm 7,4 miliardë është principal. Pra në total, shuma e principalit të mbetur për t’u arkëtuar në fillim të këtij viti, duke përfshirë edhe 26 subjektet publike shkon në 9,8 miliardë lekë. Lidhur me ardhmen e ATK-së, ne, krahas përmbajtjes së portofolit të debitorëve jemi duke studiuar edhe eksperiencat globale që janë krijuar në vende të ndryshme për mbledhjen e borxhit të keq. Periudha në vazhdim e punës në ATK do të na ballafaqojë me çështje konkrete, ndaj padiskutim do të lind nevoja për një organizim efikas dhe hartimin e një strategjie të studiuar mirë lidhur me arkëtimin e detyrimeve të mbetura debitorë. Natyrisht që do të kërkohen patjetër ndryshime të pjesshme ligjore e nënligjore me qëllim që debitorët të shtrëngohen sa më shumë për të shlyer detyrimet e krijuara. Po kështu nuk ka arsye pse mos të materializohet kërkesa ligjore, që Agjencisë t’i transferohen edhe detyrime të tjera debitorë, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin Nr. 9731, datë 10/05/2007 apo që ajo të performojë në mënyrë efektive në treg e kështu me radhë. Sidoqoftë çdo vendimmarrje e re duhet studiuar me kujdes, me qëllim që të mospërsëriten eksperiencat negative të së shkuarës në këtë drejtim. Menaxhimi efektiv i mbledhjes së huave është një pjesë e rëndësishme e gjithë procesit ekonomik të biznesit, i cili kontribuon direkt në përfitimet e sipërmarrjes private dhe përfundimisht në fuqizimin e sektorit bankar në Shqipëri. Për këtë është nevojshme që ATK-ja të realizojë objektivat e saj, pa u tërhequr përballë vështirësive. Vendosmëria e saj për t’i shkuar deri në fund trajtimit ligjor të çdo dosje kredie do të ndikojë në përmirësimin e disiplinës së pagimit dhe në ndryshimin e kulturës së pagimit në një drejtim pozitiv duke pasur në të njëjtën kohë një efekt paralajmërues për sistemin bankar në mënyrë që bankat të jenë më të sigurta në vendimet e tyre huadhënëse. Drejtimi dhe organizimi i punës në Agjencinë e Trajtimit të Kredive në këto momente po synon që të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë proces të marrin përsipër përgjegjësi konkrete dhe të jenë të gjithë të ndjeshëm ndaj reagimit negativ të debitorëve, njëlloj sikur të financoheshin vetë nga ATK. Ata po mësohet të punojnë në solidaritet të plotë dhe të krijojnë informacion të hollësishëm për dosjen e debitorëve, duke i kombinuar ato me informacionet që sjellin nga terreni punonjësit e zyrave rajonale, të cilat tashmë janë shtrirë në çdo rreth të vendit tonë. Sa më shumë kalojnë kohët aq më shumë shtohen edhe vështirësitë e punës për Agjencinë e Trajtimit të Kredive, pasi portofoli i mbetur bëhet edhe më problematik. Gati 60 për qind e këtij protofoli i takon fushës së bujqësisë, ndërsa pjesa tjetër tregtisë, strehimit, mjeteve të transportit e kështu me radhë. Po kështu, afro 90 për qind e kolateraleve janë shtëpi fshatrash, mjete apo toka bujqësore, ndërsa pjesa tjetër e këtyre garancive janë objekte të privatizuara, apartamente banimi, etj.
Me këto shifra detyrimesh dhe ritme arkëtimesh që përmendni ju, ATK-ja mund të vazhdojë të funksionojë edhe pas 20 viteve. Nuk ka ndonjë alternativë tjetër?
Është alternativa e shitjes së këtij borxhi tek subjektet private, por unë jam shumë skeptik për këtë zgjidhje. Momentalisht më ATK kanë mbetur më të këqijat e borxheve të këqija, ndaj nuk besojë se do të ketë të interesuar për të blerë “belanë me para”, sado skonto t’i bëhet këtij detyrimi. Në vitet 2003-2004 është provuar dhe ka dështuar një tentativë e tillë, madje në një kohë kur portofoli i ATK-së ka qenë shumë herë më i mirë se sot dhe veprimtaria e këtij institucioni asistohej edhe nga Banka Botërore. Në një “Plan të asistencës teknike” që i paraprinte zbatimit të kërkesave të Ligjit 8894, datë 14/05/2002 “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive parashikohej, përveç të tjerash, edhe një plan për shitjen e aktiveve apo aseteve të ATK-së. Ky plan i është paraqitur Këshillit Mbikqyrës në maj të vitit 2002 dhe parashikonte që deri në fund të atij viti të shiteshin jo më pak se 25 për qind e aseteve të ATK-së; deri në qershor të vitit 2003, jo më pak se 50 për qind e aseteve të ATK-së; deri në dhjetor 2003, jo më pak se 75 për qind e aseteve të ATK-së dhe deri në dhjetor 2004, jo më pak se 90 për qind e aseteve të ATK-së. Por në fakt nuk u shit asgjë. Siç tregojnë informacionet e përpunuara dhe trashëguara nga kjo periudhë, përfaqësuesi i Bankës Botërore së bashku me përfaqësuesit e ATK-së janë sjellë vërdallë, sa në një bankë në tjetrën dhe askush nuk ka treguar interes për këto kredi që sa vjen e bëhen gjithnjë e më problematike. Megjithatë kjo s’do të thotë të mos tentohet përsëri. Sidoqoftë e rëndësishme është të kuptohet nga debitorët se, më të privilegjuar se sa të shlyejnë detyrimet në ATK, nuk do të jenë askund tjetër. Fjala vjen, nëse këto detyrime do t’i blejë e trajtojë një subjekt privat ai do ta kërkojë likujdimin e detyrimit total së bashku më interesat, gjobat dhe kamatvonesat, të cilat vetëm ATK i falë plotësisht deri në 31 dhjetor 2009 dhe pjesërisht pas këtij afati. Por le të mos merremi me sopozime…