Zgjedhjet Kosovë- PDK rezulton fituese në shkallë kombëtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të balotazhit për kryetarët e 21 komunave. Sipas kryetares së KQZ-së, Nesrin Lushta, në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, ato nga jashtë, si edhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Rezultatet preliminare kanë sjellë një barazim në Prizren ndërmjet kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi, me nga 50 për qind të votave.
Paraprakisht, si PDK ashtu edhe LDK kishin shpallur dhe festuar fitoren në Prizren. Por, Nesrin Lushta ka thënë se atje, rezultati përfundimtar do të dihet pas numërimit të votave me kusht.
“Në komunën e Prizrenit, kandidati Ramadan Muja nga PDK-ja, ka 24.982 vota, ndërsa kandidati Hanefi Muharremi nga LDK-ja, ka 24.940 vota dhe përqindja është 50 me 50. Kjo do të thotë se pas numërimit të votave me kusht do të dihet se cili ka fituar më tepër vota”, ka deklaruar Lushta.
Perveç Prizrenit, rezultatet në 20 komunat tjera, sipas KQZ-së, janë: Kandidatët e PDK-së kanë fituar në Gjilan, Mitrovicë, Klinë, Lipjan, Kaçanik, Malishevë, Dragash, Viti, Vushtrri dhe Rahovec. Ata të LDK-së kanë fituar në Istog, Kamenicë, Novobërdë, Podujevë dhe Obilic, kurse, kandidatët e AAK-së në Pejë, Suharekë dhe Junik.
Kandidati nga partia serbe, SLS, ka fituar në Shtërpce, kurse kandidati i pavarur Refki Suma në Han të Elezit. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka thënë se rezultatet përfundimtare mund të priten gjatë dy-tri ditëve të ardhshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerësoi si proces të rregullt zgjedhor votimin për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.Në balotazhin e 13 dhjetorit votuan 37. 88 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.