Fetishizimi i korrupsionit dhe fobia kolektive
Korrupsioni, një fenomen negativ mbizotërues kryesisht në shoqëritë në ndërtim, kur nuk kuptohet korrektësisht, mund të kthehet në fobi kolektive.
Pak ditë më parë, po bisedoja me një kolege, intelektuale dhe me pozicion të mirë në institucionet e arsimit të lartë. Kur biseda ra për një universitet të caktuar publik dhe për mbarëvajtjen e tij, kolegia u shpreh pa nota dyshimi dhe me pasion: “Ai është universitet i korruptuar!” Nuk do ndaloj te perifrazimi i përgjigjes sime, që nuk ishte aspak aprovuese në parim dhe në konceptim, por dua të diskutoj sindromën e çuditshme që haset shpesh tek individët e shoqërisë sonë.
Nëse në një tavolinë të pyesin për profesionin dhe iu thua: “Jam mjek”, ose “Jam pedagog”, “Jam gjykatës”, ose “Jam politikan”, (pa cenuar asnjë nga këto profesione të nderuara), jo rrallë do marrësh si përgjigje: “Aa, ju mjekët (ose ju pedagogët, ju juristët, etj.) jetoni mor vlla! Te ju ka lulëzuar korrupsioni!”. Ose një përgjigje akoma më e gabuar në konceptim dhe në formim që mund të të kthehet është: “Universiteti (ose qeveria, etj., etj., pra institucioni përkatës) është i korruptuar!
Kështu i bie që çdo hallkë e shtetit tonë qenka e korruptuar.
Përveç errësimit të realitetit, mendime dhe vlerësime të tilla jo të peshuara, kryejnë dhe një gabim konceptual. Nuk mund të kemi një institucion të korruptuar, por mund të ketë individë të caktuar ose grupe individësh në bashkëpunim që mund të jenë të korruptuar brenda këtij institucioni. Nëse thuhet se një institucion është i korruptuar, atëherë bëhet një akuzë ndaj çdo individi që punon atje, pra i bie që punonjësit e këtij insitucioni të jenë të gjithë të korruptuar, gjë që është e pamundur, sepse nuk mund të ketë kurrë përgjegjësi penale kolektive.
Termi ‘korrupsion’ do të thotë devijim drejt regresit moral. Korrupsioni mund të jetë dy formash: moral dhe juridik. Në aspektin juridik, të akuzosh dikë si të ‘korruptuar’, do të thotë të bësh një akuzë penale të karakterit individual, ose të akuzosh një grup individësh që kryejnë sjellje devijante në bashkëpunim.
Korrupsion është veprimi devijant apo mosveprimi dhe heshtja në lidhje me devijancën e një nëpunësi publik, në kundërshtim me rregullat e përmbushjes së detyrës. Kur individë të veçantë ose grupe të organizuara individësh kryejnë veprime devijante me qëllime përfitimi, njollosin padrejtësisht dhe alogjikisht emrin e institucionit ku punojnë.
Aspekti moral i paraprin gjithmonë krijimit të një trampoline për një korrupsion juridik. Nëqoftëse individi njeh ligjin dhe ka moral të shëndoshë, nuk priret për sjellje devijante, nuk i zgjidh problemet duke përdorur katalizatorë të paligjshëm. Individi mund të bëjë korrupsion moral, duke kryer akte që shkelin rregullat e shoqërisë pa përbërë domosdoshmërisht dhe korrupsion juridik. Veprimet që nuk sjellin pasoja të dëmshme të një natyre penale, por shkelin normat morale të shoqërisë, përbëjnë korrupsion moral. Nëse morali kërkon që një pedagog, një mjek, një politikan, pra një individ me një pozicion të caktuar të tregojë korrektesë në kryerjen e shërbimit, kjo korrektesë merr një valencë të dyfishtë, vlerë morale dhe ligjore.
Korrupsioni pranohet nga palët për shkak të një përfitimi të padrejtë material, por korrupsioni mund të ndodhë dhe i nxitur nga një realitet tjetër, p.sh., për shkak të një servilizmi apo interesi personal të një nëpunësi publik. Këto interesa mund të jenë për shkak të lidhjeve miqësore, politike etj. Edhe nëse nuk përfiton vlera monetare për veprimin jokorrekt të nxitur nga lidhje interesi, nëpunësi kryen denigrim moral, emëruesi i përbashkët i të cilit është korrupsioni moral.
Pra, korrupsioni është jo vetëm një privilegj i përfitimeve të paligjshme pasurore, por dhe i përfitimeve morale.
Individët, që pa u menduar gjatë dhe pa kristalizuar qartë qëndrimet e tyre, akuzojnë për institucione dhe profesione të korruptuara, nuk kuptojnë thelbin dhe shfaqjen e korrupsionit. Nëse akuzojmë çdo ditë njëri-tjetrin për korrupsion, atëherë cenojmë integritetin moral të shoqërisë sonë, pa të cilin nuk mund të ndërtojmë bashkëjetesën sociale dhe fetishizojmë fenomenin e korrupsionit.
Nëse një pedagog, një intelektual që pritet të edukojë dhe të arsimojë breza të rinjsh, akuzon një institucion si të korruptuar, atëherë fatkeqësisht nuk mund të ketë formim të mjaftueshëm kulturor për pozicionin që i kanë besuar.
- Autorja është pedagoge gazetarie në universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe lektore në universitetin “Aleksandër Moisiu”