Flamuri i Kosovës në “Pekin 2008”
• Fidel YLLI*Pas shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të shtetit më të ri, Kosovës, në mënyrë spektakolare po vijon njohja e këtij shteti të pavarur nga shtete të ndryshme të botës, që nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Itali, Japonia, Kanada e një sërë shtetesh të tjera. Ky është një problem kryesor që nxit administratën politike të shtetit të Kosovës për të hedhur themelet e një shteti modern demokratik ....Mirëpo, njohja politike është vetëm një anë e problemit me të cilin po përballet Republika e Kosovës. Në gjykimin tim, ka edhe një “njohje” tjetër, po kaq të rëndësishme, sidomos për opinionin e gjerë botëror. Një ndër këto, madje me një rëndësi të jashtëzakonshme, është edhe njohja e Kosovës në familjen olimpike, në të cilën aderojnë 205 Komitete Olimpike. Për ta bërë sa më të thjeshtë për lexuesit dhe sa më të qartë, po i referohemi disa të dhënave teknike, gjithnjë duke iu referuar evenimentit më të madh olimpik botëror, siç janë Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Në këto lojëra do të marrin pjesë 205 Komitete Olimpike që përfaqësojnë 205 shtete në gjithë rruzullin. Në këtë aktivitet të përbotshëm, do të marrin pjesë rreth 10.500 sportistë dhe 4.500 zyrtarë, pra rreth 15 mijë sportistë dhe zyrtarë të sportit do të jenë banorët e fshatit olimpik. Jashtë fshatit olimpik do të jenë rreth 7 mijë zyrtarë, përfaqësues të Komiteteve Olimpike dhe përveç këtyre, do të jenë 205 presidentë komitetesh olimpike dhe 205 sekretarë komitetesh. Përveç kësaj, një numër i madh kryetarë shtetesh e kryeministrash (rreth 150) si dhe personalitete nga më të shquarit në fushat të ndryshme të artit, kulturës, shkencës, sportit etj., do të jenë pjesëmarrës në “Pekin 2008”. Lojërat Olimpike “Pekin 2008” do të ndiqen nga një numër rekord teleshikuesish, rreth 4 miliardë e gjysmë. Që Republika e Kosovës të përfaqësohet me flamurin e saj në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) ka disa rregulla për njohjen e një Komiteti Olimpik. Rregulli kryesor është njohja nga 5 Federata Ndërkombëtare Olimpike. Pra, sipas këtij rregulli, të paktën 5 Federata Olimpike të Kosovës duhet të njihen zyrtarisht nga Federatat Olimpike Ndërkombëtare të sportit përkatës. Para pak ditësh, Federata Ndërkombëtare e Pingpongut njohu zyrtarisht Federatën Kosovare të Pingpongut. Komiteti Olimpik Shqiptar, duke u nisur nga kjo strategji, ka menduar të iniciojë një lobing për të bërë të mundur arritjen e këtij objektivi madhor, parakalimin e sportistëve të Kosovës në Pekin 2008 me Flamurin e shtetit më të ri të botës. Gjatë këtyre kontakteve, ky komitet ka filluar bisedimet dhe po bën tratativa me Federatën Shqiptare të Çiklizmit, pasi javën tjetër, në Selanik do të zhvillohet një mbledhje e rëndësishme e Federatës Botërore të Çiklizmit, ku Federata Kosovare e Çiklizmit do të paraqesë kërkesën e vet për anëtarësim në këtë federatë. Nga ana jonë si Komitet Olimpik, në bashkërendim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit, kemi filluar kontaktet dhe lobingun për të bërë të mundur që ky anëtarësim të bëhet që në takimin e Selanikut javën tjetër. Të njëjtën strategji, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar po bën edhe për sporte të tjera, gjithnjë në bashkërendim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Federatat përkatëse. Por, parë në një kënd më realist, kjo nuk duhet të mbyllet thjeshtë në rrethin e KOKSH apo federatave shqiptare të sporteve. Për vetë rëndësinë që paraqet pjesëmarrja në një aktivitet të tillë të përbotshëm, ky lobing duhet të përfshijë edhe institucione të tjera, sidomos MTKRS në rastin konkret, por edhe më gjerë se kaq. Sportistët e shquar, ashtu si edhe personalitete të tjera të njohura në fusha të tjera, kanë një rol të jashtëzakonshëm publik. Nëse kampioni i Evropës në boks, Luan Krasniqi, përfaqëson Gjermaninë, për të gjithë njihet Krasniqi që kurrë nuk harron të thotë se është shqiptar dhe jo rrallë është mbështjellë me flamurin kuq e zi në ring. Nëse futbollisti i njohur i Marsejës, Lorik Cana, kërkohet nga ekipe elitare si “Liverpuli”, “Everton” apo “Roma”, ai nuk ka harruar për asnjë çast të tregojë origjinën e tij shqiptare, madje në kuadrin e pavarësisë së Kosovës, tifozeria e tij skuqi stadiumet franceze me flamurin shqiptar. Po kështu mund të përmendim një sërë sportistësh të tjerë të shquar.I përmendëm këto për të treguar edhe anën tjetër të medaljes, shfrytëzimin e popullaritetit të idhujve të sportit në kuptimin negativ. Para disa ditësh, në mitingun e madh nacionalist në Beograd, përkrah thirrjeve nacionaliste kundër Kosovës të radikalit Koshtunica, ky i fundit ishte kujdesur të kishte përkrah edhe yllin e tenisit, Gjokoviç. Ne kemi tjetër detyrë. Kemi detyrë të jemi civilë dhe të përdorim emrin e mirë dhe talentin e këtyre sportistëve për të promovuar vlerat e lirisë dhe demokracisë, paqes e mirëkuptimit. Nëse të gjithë mobilizohemi për të bërë të mundur pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” dhe parakalimin e flamurit të Kosovës përkrah 205 ekipeve olimpike botërore, kjo padyshim do të ishte një “njohje” që i tejkalon përmasat politike. Të mos harrojmë se Pekini, që nga 8 gushti i këtij viti, për rreth një muaj, do të jetë kryeqendra e Botës. Shpesh politika është kujdesur që jo rrallë, edhe për interesa të veta të momentit, t’i konsiderojë sportistët e sportin si “ambasadorët” më të mirë të vendit të tyre. Le të “krijojmë” me këtë rast edhe “ambasadorët” e rinj të Kosovës!* Shef i Delegacionit Olimpik Shqiptar “Pekin 2008”fidelylli@yahoo.com