Petrit Vasili: Edi Rama ka shitur interesat e elektoratit të majtë
• Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, iu përgjigj menjëherë Edi Ramës përmes një konference për shtyp, se “lidershipi i PS-së do tëmbajë përgjegjësi për shitjen e interesave të elektoratit të majtë dhe atij mbarë opozitar për sa i takon reformës zgjedhore”. Duke reaguar ndaj deklaratave të sotme të kreut të PS-së, Vasili u shpreh se “duke pranuar publikisht sot, se është në bisedime intensive me PD-në për reformën zgjedhore, kreu i PS-së konfirmoi atë të vërtetë të madhe që denoncoi LSI dhe shumë parti të tjera parlamentare”.Sipas tij, “braktisja nga ana e PS-së e platformës së bashkëpunimit të partive opozitare të majit 2006, që si shtyllën e saj kryesore ka qëndrimet e përbashkëta dhe unike për reformën zgjedhore, dëshmon qartë pabesinë dhe shitjen e interesave të elektoratit të majtë dhe atij mbarë opozitar, dhe për këtë lidershipi i PS-së do të mbajë gjithë përgjegjësinë”. “Ne do të vazhdojmë luftën tonë pa asnjë kompromis për reformën zgjedhore dhe realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, tha Vasili. “Ky mentalitet nuk është i ri, por një qëndrim prej 17 vjetësh i këtyre dy forcave të vjetra për t’u imponuar shqiptarëve një regjim dypartiak të ndërtuar mbi monopolet politike, ekonomike dhe mediatike, si dhe për të uzurpuar institucionet”, u shpreh Vasili.