Lesi: Parlamenti me 100 deputetë
• Kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi, propozoi dje aplikimin e sistemit të pastër maxhoritar në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Në kuadër të debateve për reformën zgjedhore, gjatë një konference për shtyp, kryetari Lesi, duke shprehur qëndrimin e LDK-së, propozoi “një sistem të pastër maxhoritar me një raund, me 100 zona zgjedhore dhe 100 deputetë”. Sipas tij, “pakësimi i vendeve në Parlament nga 140 që është aktualisht në 100 vende, do të kursente dhjetëra milionë lekë”. Lesi siguroi se ky sistem “do të ishte zgjidhja më e mirë, pasi deputetët do të zgjidhen nga votuesit dhe jo nga emrat që përcaktojnë kryetarët e partive”. Gjithashtu, deputeti Lesi propozoi që “komisionet e votimit të mos përbëhen nga militantë partiakë të majtë apo të djathtë, por nga njerëz që kanë një lloj pavarësie, si gjyqtarë, prokurorë, mësues, për aq sa ata mund të jenë të pavarur nga politika”.