Petro Koçi: Nano të qëndrojë larg Lëvizjes Institucionale
• Drejtuesi i Lëvizjes Institucionale Socialiste, Petro Koçi, i ka bërë apel dje ish-kryetarit socialist, Fatos Nano, që t’i qëndrojë larg bashkëpunimit të kësaj lëvizjeje me LSI-në.“Nano të rrijë larg aksionit të ri politik të Lëvizjes Institucionale Socialiste. Ai zgjodhi braktisjen e lëvizjes dhe kjo duhet respektuar nga ai i pari. Tashmë që Ilir Meta është vendosur ashtu si ne kundër çiftit të rrezikshëm politik Rama-Berisha, është krijuar terreni për bashkëpunim mes nesh dhe LSI-së. Por Nano bën mirë të mos ngatërrohet me këto nisma”, tha Koçi. Ky qëndrim i deputetit socialist erdhi menjëherë pas një deklarate të Durim Lamaj, se Lëvizja Nano përshëndet qëndrimin e LSI-së. “Ne si lëvizje e zotit Nano, por edhe një pjesë e elektoratit që na mbështet, jemi në përputhje të plotë me opsionet që shtron edhe zoti Meta në promemorien e tij. Madje, si pjesë e atyre deputetëve që e mbështesin zotin Nano, e ndiejmë më mirë veten shpirtërisht dhe moralisht tek Lëvizja Meta sesa tek Partia Socialiste, e cila tashmë na ka bërë dalje”, u shpreh dje Lamaj. Koçi ka mbajtur qëndrime kritike edhe ndaj ish-kryetarit socialist Nano, duke lënë të kuptohet se largimi i tij nga lëvizja kishte lidhje me një pakt mes tij dhe Edi Ramës. Zëdhënësi i Nanos, Ylli Dylgjeri , i cilësoi deklaratat e Koçit si tronditje psikike të tij.