E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetishizimi i kutive, si në kohërat prehistorike

24-06-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Kodi Zgjedhor është lënë në porosi të veçantë nga faktori ndërkombëtar që të jetë më i detajuar, që të mos lërë ekuivoke. Është një kërkesë e instancave të BE-së për Kodin Zgjedhor të vitit 2013. Për delikatesë këto institucione përdorin, përgjithësisht, fjalën “palët”: edhe kur flitet për pjesëmarrje në parlament dhe kur dihet se cilët e lënë bosh njërin krah të karrigeve parlamentare. Flitet se “palët” duhet të jenë në parlament, veçanërisht kur votohet me 3/5-t,  kur në këto votime është njëra nga palët jo e pranishme në parlament. Bëhet fjalë për vonesat e „palëve“ për të përmirësuar Kodin Zgjedhor, kur shqiptarët, përgjithësisht, e dinë sesi është përpiluar ky kod. Për ata që s’e dinë, mund të thuhen pak fjalë: se Kodi Zgjedhor është ideuar dhe është ligjëruar nga opozita. Kodi përmban firmën e E. Ramës. Si duket, ajo vërejtja e drejtë e monitoruesve tanë të huaj, për qartësim të mëtejshëm, nuk i intereson Edi Ramës. Ky zotërí (apo shok), nga sa duket, kërkon të notojë në ujëra jo të kthjellëta.
Dihet fort mirë se në këto zgjedhje administrative të 2011-s kemi arbitraritete të shumta nga Edvini, por kemi shpëtuar edhe nga një e keqe e madhe: Kemi shpëtuar nga  një dukuri e shëmtuar, që nuk u takon të dyja forcave politike, por vetëm njërës palë, asaj të Edvinit. Kjo palë e vetme, e kishte bërë të udhës që, me një fjalí në celular, të urdhërohej kryetari socialist i KZAZ-së, që të ikte nga vendi i punës, bashkë me vulën! Natyrisht kur kryetarit të PS-së nuk i interesonte vazhdueshmëria e ecjes normale të zgjedhjeve në atë zonë. Në sajë të kësaj eksperience të hidhur, në Kodin Zgjedhor të tanishëm (të 2011-s) kemi një klauzolë që e asfikson këtë dukuri negative zgjedhore. Klauzola parashikon penalizim të menjëhershëm të atij që largohet arbitrarisht nga detyra. Për më tepër janë vënë në dispozicion të secilës prej të dy palëve, dy vula plotësisht të barabarta, njëra prej të cilave ruhet në KQZ, për zëvendësim të menjëhershëm.
Ja, pra, që pjesa e sinqertë, ajo që kërkon ndershmërisht zgjedhje të lira, të fshehta dhe të barabarta (kërkesë e Kushtetutës) nuk u ndodh këtë herë, para tersllëqesh të tilla, në këto zgjedhje administrative. Askush nga të ngarkuarit nuk i braktisi zgjedhjet. Një episod që tregon sesi përmirësohet Kodi Zgjedhor, nga një ngjarje e papëlqyeshme.
***
Kështu këto zgjedhjet e tanishme do të donin një Kod Zgjedhor më të imtësuar, duke filluar me vështirësitë objektive që lindin nga prioriteti i vullnetit të votuesit, apo të kutisë së votimit. Me fjalë të tjera: cila duhet ta ketë përparësinë: votuesi apo... kutia?! Edvini mbase ka juristë të kualifikuar që t’i sqarojnë kuptimin e detyrimit kushtetues për zgjedhje në të cilat të respektohet barazia e votës (shih disa rreshta më lart, për tri klauzolat kushtetuese). Nuk do shumë mend që të kuptohet se, si vota e Hasanit që është hedhur në kutinë e duhur, ashtu edhe ajo e Hysenit që është hedhur në kutinë me ngjyrë tjetër, janë të barasvlershme, në kriterin e barazisë, që është konditë kushtetuese.
Hileqarët kanë ngritur pyetjen: Po atëherë, përse janë vendosur ngjyrat që votat të përfundojnë në kutitë përkatëse? Përgjigjja e nënkuptueshme: për të mos rënë ndesh me Kushtetutën: Që të lehtësohet puna e numërimit. Në disa anije moderne peshkimi, peshqit e rrjetës që ka zënë peshq të vegjël, mesatarë dhe të mëdhenj, vendosen në kuti të ndryshme, të dallueshme, në kohën që pritet të tërhiqet rrjeta tjetër. Kuptohet se kjo e lehtëson punën dhe kursen krahët e punës për ta bërë seleksionimin, më parë se peshqit të dalin në treg. Këta shembuj jepen nga ata që  gjykojnë se vota e Hysenit duhet të jetë e barabartë me atë të Hasanit. Të mos harrohet se Hyseni përfaqëson një numër tepër të madh votuesish. Ka shumë që mendojnë se, me këto zvarritje që po bën opozita, e diktuar nga Rama në ditët e tanishme, më mirë të hidheshin në një thes gjigant të gjitha votat dhe le t’i ndanin në grupe pune dypalëshe, siç po bëhet tani, në KQZ. Vonesat nuk u shmangën që nuk u shmangën. Dhe jo vetëm nga palët, por nga njëra palë! Paçka se kjo “palë” ia ngarkon tjetrës, të gjitha mëkatet e veta!
Duke vazhduar edhe pak me këto thjeshtime gjer në banalitet, me Hasanër e Hysenër, e kemi lënë për në fund kryesoren: Se Kolegji Zgjedhor e ka vulosur verdiktin e tij: çdo votë duhet të numërohet. Tani vetëm Rama, me disa sejmenë të tij që u mbahet goja, janë të mendimit absurd që të shpërfillet vullneti i votuesve, dhe të nderohen kutitë! Por ja që s’jemi në kohën e fetishizimit, domethënë të adhurimit të sendeve, në kohët prehistorike... Qofshin gurë, qofshin nëpërka, qofshin elefantë, - s’ka rëndësi! Tani, për një paradoks anakronik, po na fetishizohen edhe kutitë! Mo’ o Zot, se mos na shtohet në leksik edhe një neologjizmë për grupin e voticidistëve (vrasësve të votave)!
Le të gjendet gjuha ligjore për t’i dhënë fund asaj dukurie megalomane, “fituesi jam unë”, me një “+10” grimcore dhe me shfarosjen e votave, se mos u ngelet hatri kutive! Sa për ulërimat “Na vodhën votat”, le të gjejnë hajdutët imagjinarë me emër e mbiemër dhe le të dënohen me gjyq! E dinë, megjithatë, se nuk është vjedhur asnjë votë dhe tymnaja është e krahasueshme me ato 70 mijë kartat biometrike “të falsifikuara”, kur nuk dolën as dy veta, me emër e mbiemër, për të vërtetuar të pavërtetueshmen! Përse G. Ruçi, që tundte disa karta në parlament, nuk nxori asnjë emër? Për të mbrojtur falsifikatorët e votave, në dëm të partisë së tij? Këta propagandistë nuk kuptojnë se bien në një paradoks? Si ajo thagma tjetër e akuzimit të 20 mijë komisionerëve socialistë, nga socialisti Edi Rama! Hiperbolizimet spektakolare, janë të zanatit!
Në saktësimet që do t’i bëhen Kodit Zgjedhor të përmirësuar, duhet të zërë vend edhe një nen me këtë përmbajtje: Fituesi shpallet nga organet ligjore: KQZ apo, në raste kontestimesh, nga Kolegji Zgjedhor. Vetëshpallja penalizohet!
Kuptohet se rregullimet në Kodin Zgjedhor bëhen në gjuhën ligjore, jo me Hasanër e me Hysenër. Këtë vulgarizim e bëjmë ne, me shpresën që të kuptohet më mirë problemi. Në vazhdë të prizmit etik të fushatës zgjedhore, duhet ndaluar, me gjobitje të rënda, emërtimi i kryetarëve të partive, si edhe i kandidatëve, me gjuhën e urrejtjes: “Sala, Saliu, ai manipulator dhe hajdut votash...” (Dr. Berisha dhe z. L.Basha, kanë thënë ekskluzivisht, z. Rama! Që të mos vidhen votat, u dashka që të nëpërkëmbet barazia e votës), domethënë të hidhen në ujërat e ndotura të Lanës me mijëra apo me dhjetëra mijëra vota, sepse Rama ka leverdi nga ky asgjësim kolosal votash! Teoricienët e shfarosjes së votave, pra, po na japin moral sesi të mos vidhen votat, kur kërkohet masakrimi në masë i tyre! 
Ato kalatë dibrançe, për të futur me dhunë në selinë e KQZ-së njerëz të paautorizuar, për të shtuar trysninë në punimet për numërimin e votave, duhen ndaluar me ligj. Sa pastaj do të kërkohet të na bëhet shpëlarje truri e të shndërrohemi në leshko si Orgoni, mirëbërësi i Tartufit, i cili  e kujtonte si njeri prej Perëndie atë që driblonte hapin se mos shkelte një mizë! Por, nga ana tjetër, Tartufi, (si Rasputini i dy shekujve më pas), i vërdallosej së shoqes së mirëbërësit të tij!
Shqiptarët e sotëm nuk mund të shndërrohen në Orgonë, që një arrivist i sëmurë të fitojë zgjedhjet “se ashtu dua unë!”. Me 1/10-n e votave të kundërshtarit të tij politik!
Në Komedinë e Molierit, një kor budallenjsh (së bashku me Orgonin), përvajtoheshin për Tartufin: - “I shkreti!”. Paçin hijen e tyre!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›