E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE, Daul: Të respektohen vendimet e institucioneve të drejtësisë

24-06-2011 / Gazeta 55

Në Shqipëri duhet të respektohet vendimi i institucioneve të drejtësisë. Ky ishte mesazhi i drejtpërdrejtë që dha kryetari i grupit të Partive Popullore Europiane Joseph Daul duke iu referuar zhvillimeve politike në Shqipëri. Ndërsa ka komentuar situatën post zgjedhore në vendin tonë Daul tha se nuk u takon partive politike që të shprehen nëse rezultati njihet apo jo, duke u bërë thirrje partive politike që të mësojnë të respektojnë institucionet e drejtësisë. “Ka një gjykatë për rezultatin e zgjedhjeve. Nuk i takon partive politike të shprehen nëse rezultati njihet apo jo. Janë rregulla që duhet respektuar sot. Është për këtë që ka një drejtësi kudo. Kjo është demokracia e vërtetë. Demokracia nuk është: unë vendos se kush është zgjedhur dhe kush nuk është zgjedhur. Kur votuesit kanë shprehur vullnetin e tyre, kjo duhet respektuar. Siç thoshte im atë: votat duhen numëruar dhe jo peshuar”- u shpreh Daul. Por zërat e parlamentarëve Europianë të Partive Popullore kanë shkuar më tej me kritikat ndaj opozitës.
Elmar Brok është shprehur se me qëndrimet e saj opozita nuk mund të jetë e gatshme të qeverisë vendin në të ardhmen.
Ndërkaq shefi i Qeverisë shqiptare Sali Berisha tha gjatë prononcimit për mediat se nuk mund të përdoret nga politika vota e zgjedhësve për të bllokuar proceset e mëtejshme integruese.
Këto deklarata u bënë në Bruksel pas takimit të Partisë Popullore Europian, e cila festoi 35 vjetorin e saj.

Saba D’Elia: Të kapërcehet ngërçi politik, palët të zhvillojnë dialog në Parlament

Ambasadori Italian Saba D’Elia ka kërkuar më shumë bashkëpunim nga forcat politike për të zgjidhur ngërçin në vend ndërsa thekson se debati politik duhet të vijë nga institucionet legjitime që është Parlamenti.
I pyetur nga gazetarët për situatën politike në vend, ambasadori D`Elia theksoi se palët duhet të ndjekin rrugën ligjore për zgjidhjen e debatit politik për zgjedhjet e 8 majit.
Ndërkohë duke iu referuar marrëveshjes mes autoriteteve shqiptare dhe italiane për heqjen e procedurës së legalizimit të dokumenteve, ambasadori D’Elia theksoi se heqja e procedurës së legalizimit do të thotë ulje të shpenzimeve dhe lehtësi për qytetarët shqiptarë.
Nga ana e tij ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto e cilësoi si shumë të rëndësishme marrëveshjen për heqjen e procedurës së legalizimit të dokumenteve duke shtuar se qytetarët shqiptarë nuk do të kenë më nevojë të shkojnë të legalizojnë dokumentet në ambasadën italiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›