E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alternativa e mbijetesës nëpërmjet kërcënimit

24-06-2011 / Nga Luan Myftiu

Meqë si delirant nuk denjon të kryejë vepra të mira, Rama kërkon të mbijetojë duke kryer të këqija. Dhe po arrin të bëhet kështu etalon i shkatërrimit. Si shpirtngushtë, mburret më shumë se çdo bamirës. Si ideator i mohimit, pretendon rolin e misionarit. Kur populli e peshon nga veprat, pretendon të votohet “përtej së majtës e së djathtës”. Rama nuk njeh vlera jashtë vetes. Kur bujarin e ngazëllen çdo përparim, ziliqarin e fyen e mira që bëjnë të tjerët. Ndoshta prandaj Rama mban si kryealternativë nihilizmin. Se dhe Enver Hoxha u mburr tërë kohën me ligësítë që kreu. Meqë mallëngjehej nga dashuría për veten, si hynte në sy, kur u bënte keq të tjerëve. Prandaj, kush ia nuhati hipokrizínë, e pagoi me kokë. Rama ka përvetësuar thelbin e cinizmit të tij. Kur ambicien për pushtet nuk ia nxë qielli, përpiqet të bindë njerëz se vetëm ai mund t’i nxjerrë nga halli. Ndoshta prandaj këtij narcizi kanë filluar t’i duken fitore edhe humbjet. Se dhe braktisjen e miqve e sheh si një zilí të tyre ndaj madhështisë së tij. Ndoshta, ngaqë ka arritur ç’nuk meriton, është i pakënaqur, kur s’i fiton të gjitha zgjedhjet. A nuk tha aríu i fabulës se duhej të bëheshin dardhat, meqë atij i haheshin shumë? Të paaftët do të “çajnë” në jetë, sa kohë që të urtët do të presin altruizëm prej një egoisti të sëmurë. Megjithatë, Shqipëría ka nisur të mos çuditet pse Rama e quan fitore humbjen e 8 Majit. Kush llastohet nga puthadorë dhe mburret me vlerësíme të padrejta, nuk ka si pranon idénë e humbjes. Kush bie në kthetrat e xhambazëve politike, do të gremiset nëpër honet e lakmive të tyre. Ndoshta prandaj Rama është gati të hakmerret edhe ndaj të vetëve. Mjerë kujt i duhet të luftojë për të larguar shkatërruesin e tij! Nuk paska më kokëngjeshur se lideri, që nuk bind veten se në demokrací fitohet edhe duke pranuar humbjen!
Si i paaftë, Rama s’e kupton bojkotin e pacak si një vetëvrasje. Ky “liberator” s’e çmon dështim mosbërjen gjë për votuesit e tij. Përkundrazi! Si mediokër, e quan alternativë zhvillimi bllokimin e parlamentit. Si “idealist”, mendon ta forcojë partinë duke larguar kontribuesit e saj. Si i përkëdhelur i fatit, e përfytyron veten gjení. Ndoshta prandaj është vështirë të kërkosh debat me “korifenj” të tillë, të cilët dëgjojnë vetëm veten. Se nuk pritet alternativë zhvillimi nga ai që di vetëm të mohojë, të shajë e të shpifë! Vështirë të ketë Kolegj Zgjedhor, që të japë drejtësí, e cila të kënaqë një delirant të tillë, të paaftë. Prandaj do të shihen si “ufo” ata, që do ta bindin Ramën t’i dërgojë deputetët në parlament. T’i mbushin mendjen të mos e shohë bojkotin si një “trampolínë” për të arritur “kolltuqe” të tjera. Se për atë që ka zgjedhur program zhvillimi kërcënimin, nuk ka si të shpresohet që të udhëhiqet nga mirëkuptimi. Një enveristi të papenduar s’i mbetet veç rruga e “dajakut”, d.m.th. e demonstratave, grevave, bllokimeve dhe e bojkoteve. Shkurt, rruga e “rrugës”! Ai që di vetëm të mohojë, nuk ka si të çmojë sukseset e kundërshtarit! I mësuar me krekosjen e “dhurimit të lirísë”, nuk ka pse të denjojë Rama t’i bindë njerëzit se ata janë sovrani. Nuk mund të pranojë ai europianizim të vendit, zhvillim të ekonomisë, përparim të kulturës e kultivim të qytetërímit, kur këto nuk i hapin portat e suksesit së tij të pamerituar. Prandaj nuk përfill ai një elektorat, që e sheh zhvillimin nëpërmjet rrotacionit, a prej ligjesh me shumicë të cilësuar! Jo! Rama as që e njeh nevojën demokratike të ndërrimit të pushteteve. Madje, ai dhe bllokimin e tyre e çmon lart, si atë “pengun” enverist, me të cilin mund të detyrohej kushdo të mos i prekte pushtetin. Ideja se ai ka lindur për të drejtuar, e degdis në mospërfilljen arrogante të këshillave të miqve më dashamirës të Shqipërísë. Ndoshta prandaj nënqesh me ironí, tek i dëgjon të shprehen se njohja e vendimit të gjykatave krijon ekuilibër social. Kurse Rama ka të trashëguar postulatin e Enver nastradínit, që mjerímin e shpallte lumturí, kurse gojëkyçjen, si majën e lirísë !(?) A nuk ishte ky “misionar” i së keqes, që shpalli si progres luftën e klasave ? Që hapi kanale vaditëse, shfrytëzoi miniera e thau këneta, me atë filozofínë e “kopaçes”, me të cilën shkatërroi mijra jetë njerëzish të pafajshëm ?! Prandaj Rama nuk ka pse ndien nevojë për krijim alternativash zhvillimi, për programe, për debate konstruktive me kundërshtarin! Përkundrazi! Rama mendon se i trashëgon të gjitha marifetet e zhvillimit nëpërmjet shkatërrimit. Prandaj, mjafton që populli të vrapojë pas klithmave të tij për demonstrata, rebelime, për bllokime rrugësh dhe djegie gomash dhe vjen vetiu zhvillimi i vendit. Mjafton të shpifet për mazhorancën, të prishet imazhi i Shqipërísë, të pengohen investimet e huaja, të krijohet tymnaja e një krize të frikshme dhe menjëherë zhvillimi vihet në rrugë të mbarë. Mjafton të përjashtohen nga PS-ja kundërshtarët e Ramës, të ngrihen në poste puthadorët e tij milionerë dhe në PS fillon “uniteti”, ku të mos marrë vesh i pari të dytin. Mjafton të “bindet” elektorati shqiptar se apokalipsi është në prag dhe se shpëtim është vetëm e ardhmja e karrierës politíke të Ramës, dhe “parajsa” zbret në Shqipërí vetiu. Nuk mund të vijë progresi me këtë mazhorancë, që e ka mendjen të zhvillojë infrastrukturën, turizmin, kompjuterizimin e shkollave dhe rritjen e rrogave e pensioneve, etj. Jo! Vetëm Ramë ambiciozi, ky arkitekt i “krizave” artificiale dhe ideator i dialektikës “bjeri t’i biem” të komunizmit, mund të rikthejë atë barazínë e mjerimit dhe “lumturínë” e frikës se ka edhe më keq! Pra, vetëm kur mazhoranca të mos i prekte Ramës “çelësat” e bashkisë, ky humbës i madh mund të lejonte të çeleshin portat e integrimit të vendit! Ky është dhe mjerimi i tij!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›