Skizofreni?... Po ku?
Sa më shumë Shqipëria po u afrohet portave të Europës dhe sa më shumë Kosova po konsolidohet si shtet i pavarur, aq më e ashpër po bëhet propaganda antishqiptare që synon përbaltjen e kombit tonë në përgjithësi. Dikur, makina propagandistike e fqinjëve tanë shovinistë ka pas hedhur në tregun e diplomacisë botërore mendësi antishqiptare, duke na paraqitur si njerëz të pagdhendur, ngatërrestarë, të paaftë për të bërë shtet. Nuk kanë munguar ndaj të parëve tanë as fyerjet monstruoze, sipas të cilave ata etiketoheshin qenie me bisht. Këtij lloj shovinizmi antishqiptar, tashmë i ka dalë boja njëherë e përgjithmonë. Prej kohësh, erërat kanë ndryshuar. Për rrjedhojë, kanë ndryshuar edhe mjetet e strategjia e fqinjëve shovinistë, në përshtatje me zhvillimet e reja ndërkombëtare. Gjithçka antishqiptare sot po merr forma tepër të sofistikuara. Në këtë kontekst, bojkoti parlamentar dhe mungesa e konsensusit për reformat që duan votim të cilësuar. Në këtë kontekst, protestat e opozitës në rrugë, sulmet ndaj policisë së shtetit, sulmet pa precedent ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ose Kolegji Zgjedhor.
Për fat të keq, tollovinë e krijuar e amplifikojnë së tepërmi disa prej mediave elektronike ose prej organeve të shtypit, të cilat, ku me dashje, - hidh gurin e fshih dorën - ku pa dashje dhe për modë e bujë, bien në kurthin e ngritur antishqiptar. Kjo çka them, nuk është ëndërr. Është një realitet i gjallë që po na zë frymën.
Para dy a tri ditësh, në një të përditshme më tërhoqi vëmendjen një shkrim me titullin “Skizofrenia jonë”, i cili, ngado që ta ktheje, do t’i shkonte përshtat e do të gëzonte cilindo antishqiptar në Athinë a në Beograd, por fare-fare rrallë ndonjë shqiptar në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup a në Tetovë. Shkrimi mbante autorësinë e një analisti të njohur jo pak në botën mediatike shqiptare, si “specialist për gjithçka”. Kohë më parë, i njëjti autor, në të njëjtën të përditshme, villte vrer ndaj autostradës Durrës-Morinë, e ashtuquajtura Rruga e Kombit, për çka kam shkruar edhe herë tjetër e nuk dua të përsëris vetveten. Më pas, i njëjtit analist, në po atë të përditshme, na shpaloste “koston e lartë” që do të kishte Shqipëria, nëse do të pranohej në familjen e madhe europiane. Përkthyer shqip, kjo donte me thënë mjerë Europa me ne dhe mjerë ne me Europën! Ja tashti, së fundi, shkrimi me fjalën e rëndë plumb “skizofreni”, qysh në titull. Si ta marrim një dukuri të tillë, si rastësi apo si vijimësi të një qëndrimi kritik ndaj gjithçkaje shqiptare nga ana e nënshkruesit të shkrimit? A thua që redaktorin e së përditshmes “të pavarur” të mos e kenë ngacmuar të paktën tre shkrime të tilla në harkun kohor të më pak se një viti?
“Skizofrenia jonë” i dhurohet lexuesit në gjullurdinë që ka shkaktuar një segment i caktuar i politikës shqiptare para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 8 majit. Është pak ose aspak e besueshme të pranosh rastësinë ose pakujdesinë, kur dukurinë psikike të skizofrenisë, një patologji individuale, autori dhe, nëpërmjet tij një organ shtypi mjaft i lexuar, përpiqen ta na e shesin për kolektive. Aq më tepër, në gjullurdinë që po përjetojmë dhe në vijimësi të shkrimeve që citova ose të ndonjë tjetri që nuk është rasti ta shtoj në listë. Me përcaktorin “jonë” në togfjalëshin-titull, patologjia e skizofrenisë, në mënyrë abuzive, merr përmasa të frikshme kolektive, në mos gjithëshqiptare.
Si dukuri, në literaturën mjekësore, skizofrenia është patologji psikike që shfaqet në personalitetin e dyfishtë të një individi. Pra, ajo është individuale dhe, shpesh, kronike. Unë, deri sot, nuk di që një popull i tërë – në këtë rast, ne – të ketë vuajtur ndonjë patologji skizofrenie. Në literaturën botërore nuk gjendet ndonjë rast i tillë. Nga pikëpamja e psikanalizës, skizofrenia paraqet konfliktin mes “unit” (individit) dhe realitetit, si pasojë e humbjes së kontakteve me të (realitetin). Statistikat flasin për një përqindje skizofrenësh që shkon prej 0,5 %, deri në 1 % të popullatës. Në këto kushte, nëse ndër shqiptarë ka një pakicë skizofrenësh, sikurse në çdo etni tjetër në botë, kjo s’do të thotë se skizofrenia na qenka dukuri kolektive e shqiptarëve, siç përpiqet autori të na mbushë mendjen. Tashmë, shumica e shqiptarëve është në gjendje ta vendosë fare lehtë pikën mbi “i”, të vërë gisht mbi një skizofren a një grusht skizofrenësh rreth tij, të cilët po mbajnë peng të ardhmen e vendit.
Pa iu larguar titullit të shkrimit, i cili për mua s’do koment, dhe pa dashur të hyj në hollësi të ideve të çartura të tekstit, mbushur me fraza që bien në kundërshti me njëra tjetrën, po citoj një prej përfundimeve të autorit: “Problemi është që shqiptarët, me në krye politikanët e tyre, kanë vendosur të jetojnë në një formë skizofrenike këtë realitet të dyfishtë, me një mendje të ndarë më dysh e me gjithë çrregullimet e mendimit e të qëndrimit që sjell kjo skizofreni”.
Ndonëse, siç shihet lehtësisht, në qendër të goditjes janë vënë shqiptarët, kalimthi autori na thotë se “ky nuk është vetëm fenomen shqiptar”. Shembull, na sjell trazirat në Greqi, si pasojë e bilanceve të falsifikuara nga klasa politike që ka qeverisur vendin. Paralelja që hiqet në këtë rast mes gjullurdisë edramiste në Shqipëri, për shkak të Bashkisë së Tiranës (skizofreni individuale), dhe trazirave në Greqi (dukuri sociale - pasojë e një borxhi që do të donte afro një shekull të lahej, me gjithë shtrëngesën e rripit për çdo grek të pasur a të varfër) nuk e zbut goditjen ndaj nesh, shqiptarëve. Aq më tepër që skizofrenia (patologji mjekësore) nuk mund të konsiderohet si fenomen shoqëror, qoftë edhe në kuptim metaforik. Dashakeqësia del sheshit lakuriq.
Ku e gjen te shqiptarët skizofreninë autori-analist për politikë, për ekonomi-financiare, sociologji, drejtësi, ekologji, art-kulturë etj., etj., i cili na mbiu në sy tre a katër herë në javë nëpër ekranet e televizionit, aq sa na është bërë si pjesëtar familjeje dhe e shohim në ëndërr edhe kur nuk e thërresin në televizion? Me ca kodra mbas bregut, veshur me frazeologji dhe terminologji moderne, ose me ca “le ta quaja”, “me kuptimin që i dhashë këtij togfjalëshi” e të tjera fjalë parazitare si këto, “skizofreninë” që përjetuakan shqiptarët, analisti (politik, kësaj here) e vëren te zgjedhjet, të cilat i ndan në dy plane: në atë “të pandershmërisë”, kur, sipas tij, secila palë garuese mundohet t’i vjedhë vota palës tjetër, dhe në atë “të ndershmërisë”, kur, sipas tij, secila palë përpiqet të fitojë zemrën e partnerëve ndërkombëtarë. Gjithmonë sipas tij, të dy planet janë pjesë e një të tëre dhe, njëherësh, përjashtojnë njëra-tjetrën (!). Logjikë paksa e çuditshme.
Ja si arsyeton ai për të na e sqaruar mishmashin ndershmëri-pandershmëri zgjedhjesh që na paska kredhur të gjithëve në një skizofreni kolektive (!) me përmasa të frikshme: “...duhet folur edhe për garën e dytë që është zhvilluar paralel me këtë (të parën, EB), e ndërthurur me këtë, në mënyrë të atillë që edhe është pjesë e së parës, edhe një garë më vete... Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një garë të dyfishtë të zhvilluar në dy plane, që në fakt janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, përjashtojnë njëri-tjetrin, sepse njëra është gara e pandershmërisë, kurse tjetra e ndershmërisë”. Duke e lënë mënjanë mjerimin gjuhësor me të cilin arsyeton autori, do të dëshiroja ta pyesja: Ku ta gjejmë veten, vallë, në planin e ndershmërisë apo në të pandershmërisë? Unë, për vete, nuk mund të jem në të njëjtën kohë atje ku jam dhe atje ku nuk jam, sepse qenia ime atje ku jam, përjashton qenien time atje ku nuk jam. Pyetja që bëra, s’besoj sa ka përgjigje. Megjithatë, mishmashi ka vlerën e vet, si mbështetëse e togfjalëshit-titull “Skizofrenia jonë” dhe si mënyrë për të nxjerrë jashtë loje zgjedhjet e 8 majit e, bashkë me të, shumicën qeverisëse, çka, njëherësh, do të vërtetonte tezën e kahershme antishqiptare se shqiptarët s’dinë dhe s’mund të bëjnë shtet.
Për sa më sipër dhe që të mos e lodh lexuesin me komente, marr leje të citoj një paragraf tepër domethënës. Ai le të arsyetojë vetë. “Në këtë skizofreni mazhoranca jonë kërkon njëherësh edhe t’i ketë nën kontrollin e saj institucione të tilla, si Gjyqësori, mediat, shoqëria civile, bizneset etj., edhe t’i paraqesë sikur funksionojnë në mënyrë europiane. Zgjedhjet ajo kërkon t’i fitojë me metodat e planit të parë, “të pandershmërisë”, edhe t’i paraqesë si të ndershme”.
Ja, pra, tek fle lepuri.