Fevziu: Zgjedhjet e 2009-ës,test për Edi Ramën

Analisti dhe drejtuesi i emisionit "Opinion", i ftuar në Ora News foli për ngjarjet e fundit politike si dhe për sfidën e partive politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Analisti Fevziu konsideroi si ngjarjen më të rëndësishme të vitit që lamë pas, shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe marrjen e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë së NATO. Duke iu referuar ngjarjes më negative të 2008-ës, Fevziu theksoi se padyshim është ngjarja e Gërdecit që sipas tij tregoi se korrupsioni mund të ketë pasoja direkte tek qytetari. Blendi Fevziu e konsideroi politikën e brendshme, në një zhvillim normal të saj. "Konsesusi që dha opozita për anëtarësim në NATO. Po ashtu bashkëpunimi në ndyshimet kushtetuese mund të renditet si të rëndësishme sa i përket politikës së brendshme", tha ai. Fevziu theksoi se "Ngjarja më e rëndësishme e 2009-ës janë zgjedhjet e qershorit sepse ballafaqojnë programe, ide projekte që për herë të parë po fillojnë të gjykohen realisht. Partitë tani duhet të gjejnë 12-të qarqet, ndaj në këtë aspekt mendoj se fushata është paksa e vonuar". Sipas analistit në raportet me mazhorancës dhe opozitës, mund të thuhet se fushata ka nisur. Të dyja palët , me kalimin e Kodit Zgjedhor do fillojnë të përplasen shumë afër, por duhet parë profili politik që do të sjellin. Blendi Fevziu konsideroi si shumë të rëndësishme në zgjedhjet e 2009-ës se se si do hynë këto parti në zgjedhje. Pra a do ketë aleanca dhe koalicione, dhe çdo të ndodhë me partitë e vogla. "Beteja do jetë me PS-së dhe PD-së dhe nëse LSI do jetë partia e tretë, aty do të shihet kush do jetë partia e parë në zgjedhje. Sepse kjo parti e madhe do marrë të drejtën nga Presidenti që të qeverisë", tha Fevziu. Sipas tij qeveria Berisha,ka disavantazhin e tre vjet qeverisje, sepse qytetarët do i veshin kësaj qeverie të gjitha pakënaqësitë që kanë. "Kjo qeveri", theksoi analisti "duhet të bëjë shumë gjëra më mirë, por tashmë nuk ka më kohë, në këtë moment do të shohim vetëm truket që do bëjë ajo i para zgjedhjeve. Si thelbësore do të thoja sa do të ruhet avantazhi i PD-së për mbajtjen e elektoratit në zonat rurale". Lidhur me pozicionin e PS-së në zgjedhjet e 2009-ës parësore sipas Fevziut është sa sa do të krijojë PS-ja një koalicion solid, cilat do të jenë raportet e saj me LSI-në dhe cili do të jetë roli i Fatos Nanos në PS." Në rast se Nano do të dalë në skenë, do jetë Rama ai që do "dëmtohet" i pari. Unë besoj se Nano nuk do të qëndrojë mënjanë gjatë këtyre zgjedhjeve", nënvizoi Fevziu. Megjithatë, sipas tij, zgjedhjet e 2009-ës do të jenë test për Edi Ramën. "Zgjedhjet e ardhshme do jenë test për kryesocialistin dhe për atë çka ai ka realizuar, por edhe për pozicionin e tij brenda PS-së edhe në raport me ish kryetarin e saj", theksoi Fevziu. Si të panjohurën e madhe e konsideroi analisti rolin e LSI-së në zgjedhjet e ardhshme. Pikëpyetja më me madhe sipas tij, është nëse LSI-ja do të hyjë e vetme në zgjedhje apo në koalicion. "Nëse LSI-ja do hyjë e vetme, por me synimin për koalicion pas zgjedhjes, do ishte më mirë që ky koalicion të bëhej më parë", shtoi Blendi Fevziu. Lidhur me rolin e medias gjatë kësaj fushate zgjedhore Fevziu deklaroi se ndoshta në zgjedhjet e 2009-ës, media ka rëndësinë dhe peshën më të madhe dhe kjo për shkak të sistemit të ri zgjedhor. "Fjala e politikanit do të shkojë tek qytetari më i largët vetëm në sajë të medias, ndryshe nga çod herë tjetër, andaj dhe roli i medias është bërë edhe më parësor", përfundoi analisit i ftuar në Ora News.