E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Sfidë njohja e pavarësisë së Kosovës

Presidenti Bamir Topi e konsideron pavarësinë e Kosovës një realitet të pakthyeshëm, por theksoi se njohja e saj përbën sfidën më të madhe. "Kurorëzimi i pavarësisë së Kosovës nuk u arrit lehtë. Por njohja e pavarësisë përbën një tjetër sfidë. Njohja e saj nga shumë vende me peshë në arenën ndërkombëtare, globale apo europiane, nuk është e rastësishme", u shpreh Topi. Presidenti nënvizoi se procesi i vazhdimësisë së njohjes është rregullisht temë e bisedimeve dy dhe shumëpalëshe të politikës së jashtme shqiptare. "Në të gjitha takimet që unë kam, dhe jo vetëm unë, me homologë dhe me faktorë të politikës botërore, e ardhmja e Kosovës përbën një çështje që shtrohet me seriozitet dhe vendosmëri", tha ai. Në një intervistë për të përditshmen kosovare "Kosova Sot" Topi vlerësoi 17 shkurtin dhe 4 prillin si ngjarjet kulmore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas tij pavarësia e Kosovës dhe ftesa që iu bë Shqipërisë për antarësim në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit janë hapa shumë të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Presidenti nënvizoi se diplomacia shqiptare ka pasur angazhim konstant në rolin e saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera. "Agazhimi i vazhdueshëm diplomatik i Shqipërisë veçanërisht ndaj vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, është mbështetur në argumenta specifikë në funksion sa të njohjes aq edhe të vazhdimit të dialogut për këtë çështje në kuadër të raporteve dypalëshe në të ardhmen", tha Bamir Topi. Duke iu refereuar misionit EULEX në Kosovë, presidenti u shpreh se "Misioni EULEX ka një mandat të përkohshëm. Unë besoj se në Kosovë po ndërmerren veprimet e duhura për shtrirjen e Misionit në përshtatje me realitetin e ri të krijuar pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Është e rëndësishme të shmanget sidomos çdo vakum pushteti në këtë proces përcjellje kompetencash dhe të shmanget çdo ndarje institucionale mbi baza etnike dhe mbivendosje të kompetencave si policore ashtu edhe doganore". Sa i përket arsyes se përse Shqipëria nuk ka ende ambasadorin e saj në Kosovë, Topi nënvizoi se kjo vonesë ka ardhur vetëm për shkak të procedurave të Kushtetutës së Shqipërisë. Lidhur me raportet aktuale të Bamir Topit me kryeministrin Sali Berisha, vetë presidenti deklaroi se raportet e tij me Berishën nga personale e partiake, janë shndërruar në raporte institucionale, si pëfaqësues të dy institucioneve të ndryshme. Presidenti nuk ka dhënë garanci nëse e djathta shqiptare do fitojë apo jo zgjedhjte e ardhshme , por i ka vlerësuar ato si prova më e madhe e demokracisë, e pluralizmit politik dhe e integrimit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›