Kapshticë, radhë deri në dy kilometra për kalimin e kufirit
Mes të ftohtit dhe ngricës, qytetarët shqiptarë duhet të qëndrojnë për orë të tëra në pikën kufitare të Kapshticës, në pritje për të kaluar në anën tjetër të kufirit. Radha e makinave që pritet të kalojnë doganën e Kapshticës ka shkuar deri në dy kilometra. Janë rreth 300 makina në radhë, që u duhet të paktën pesë orë të presin deri sa të hyjnë në tokën greke. Mes shumë emigrantëve të rritur që po presin në radhë nën temperaturat e ulëta të motit, ka edhe fëmijë, të cilët pritet ta kalojnë natën jashtë sëbashku me prindërit dhe të afërmit e tyre. Radha e automjeteve ka shkuar deri në pikën e Gosit ose siç njihet posta e vjetër. Sipas të dhënave nga Dogana e Kapshticës, në 18 orët e fundit, nga kjo doganë kanë lënë Shqipërinë, 3 562 qytetarë shqiptarë dhe 108 shtetas të huaj. Aktualisht fluksi i emigrantëve dhe i makinave të tyre që kërkojnë të lenë tokën shqiptare pas ardhjes për festat e funvitit, ështe tepër e madhe duke krijuar një karvan prej afro 2 kilometrash. Nga pala shqiptare po punohet aktualisht me 5 sportele, ndërsa nga ana e doganës greke, punohet ne 4 sportele, çka ka vështirësuar punën në këtë doganë. Nuk jepen arsyet e kësaj vonese nga ana e palës greke. Por shqiptarët që po kthehen ne vendet e tyre të punës në Greqi, u duhet të presin në radhëSipas të dhënave shkak për këtë fluks tepër të lartë është bërë përmirësimi i motit, pas të ftohtit të madh dhe reshjeve të shumta të dëborës gjatë ditës së dielë, por edhe kontrollet e shumta dhe të rrepta që autoritetet greke po ushtrojnë në autobusët dhe automjetet e tjera të shqiptarëve që hyjnë në tokën e tyre. Radha pritet të zgjatet për shkak se doganat e ulin intensitetin e punës natën, por edhe për shkak sepse e marta, është dita e fundit e pushimeve të emigrantëve pasi rifillojnë punën pothuajse të gjitha bizneset dhe institucionet në Greqi.