Fevziu korr sukses me “Enver Hoxhën” në Elbasan
Blendi Fevziu surprizohet nga suksesi me librin “Enver Hoxha” në Elbasan. Me ftesë të degës së Gazetarisë, opinionisti i njohur, Blendi Fevziu ishte i pranishëm mes studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Fillimisht, njeriu i shquar i ekranit u prit nga rektori i Universitetit, prof dr. Liman Varoshi, ku u bisedua rreth universitetit, botimeve, albanologjisë, Lef Nosit etj. Prof Varoshi ka vlerësuar figurën, kontributin dhe krijimtarinë e tij si një njeri me reputacion të njohur publik. Ndërkohë, ai i ka dhuruar Blendi Fevziut dy nga botimet e tij të fundit, që janë mirëpritur nga qarqet akademike brenda dhe jashtë vendit.
Më tej, në një atmosferë tepër solemne, Blendi Fevziu është pritur nga studentë e pedagogë të këtij universiteti. Pas prezantimit të kryer nga pedagogët Isidor Koti e Agron Bala, Fevziu ka kërkuar të zhvillojë një bisedë miqësore me studentët, duke qenë në dispozicion të tyre për rreth 2 orë. Studentët kanë qenë më tepër të interesuar për botimin e fundit, librin “Enver Hoxha”, i cili ka korrur një sukses të padiskutueshëm kohët e fundit. Vetë Fevziu është shprehur se “Enver Hoxha” është libri më i bujshëm i krijimtarisë së tij, me një shitje rekord në më shumë se 20 mijë kopje për pak ditë. Studentët u interesuan të dinin se si lindi ideja e këtij botimi, ndërkohë që Fevziu tregoi se kishte kohë që e mendonte një botim të tillë dhe se shkak u bënë disa burime filmike të Arkivit Qendror të Shtetit, të cilat u transkriptuan më pas e që sollën mjaft detaje interesante për formimin e librit të ardhshëm. Detaje të tilla si jeta në Bllok, ditët e fundit të diktatorit dhe mënyra se si erdhi në krye të Partisë Komuniste, firma e urdhra për vrasje, e kanë bërë tepër interesante jetën e diktatorit, pasi siç u shpreh dhe vetë autori, çdo dritare e hapur në diktaturë ka interes për publik dhe se libri është konceptuar për një masë sa më të gjerë, për ata që e njihnin Enver Hoxhën, por edhe për brezat që nuk e njohin atë.
Studentët e kanë pyetur Fevziun edhe për mënyrën se si e priti familja Hoxha këtë botim, për debatet që ngrihen për prirjen homoseksuale etj. Një nga pyetjet që kanë bërë studentët ka qenë edhe ajo lidhur me kohën kur ai është ndjerë më mirë dhe më keq në jetën dhe krijimtarinë e tij, për raportet që ka me politikanët, sa e vështirë është të realizosh biseda me ta, por edhe për projektet e tij në të ardhmen. Në fund studentët kanë marrë autografe dhe kanë realizuar foto me Fevziun, një dyndje që kishte ndodhur rrallëherë më parë. F.Salliu