E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria pretendon pjesëmarrje me dy filma në Berlinale

Filmi “Farmakon” me metrazh të gjatë dhe “Ditët e fundit të Loro Shestanit”, janë përzgjedhur si fitues nga preselektorët mes 130 filmave që u prezantuan në fazën e parë nga të gjitha vendet e Ballkanit

Përzgjedhësit e Festivalit Ndërkombëtar të Berlinit, pas vizionimit të filmave nga vendet e Ballkanit, vendosën të rekomandojnë për premierë botërore në “Berlinale 2012” dy filma shqiptarë: “Farmakon”, me metrazh të gjatë dhe regji nga Joni Shanaj, ndërsa në kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër është përzgjedhur “Ditët e fundit të Loro Shestanit”, i regjisorit Sokol Keraj. Siç dhe njofton Qendra Kombëtare Kinematografike, tre përzgjedhësit: Anna Hoffman, Bernd Buder dhe Nikolaj Nikitin, gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë nga data 13-17 nëntor kanë rekomanduar për seksionin “Forum International” filmin artistik shqiptar me metrazh të gjatë “Farmakon” dhe filmin me metrazh të shkurtër “Ditët e fundit të Loro Shestanit”. Por ndërkohë, shanset për Shqipërinë duket të jenë edhe më shumë, pasi sipas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, listës së rekomandimeve pritet t’i shtohet edhe një film i tretë i kategorisë së filmit artistik me metrazh të gjatë, por që ende nuk ka ardhur përgjigja zyrtare nga përzgjedhësit e Berlinales. Tre përzgjedhësit që takimin e tyre me filmin ballkanik e zhvilluan këtë vit në Tiranë, për gati një javë kanë parë prodhimet filmike nga Serbia, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Kosova etj. Nga Shqipëria, në fazën e parë morën pjesë 7 filma, nga Kosova 6 filma, ndërkohë që vendet e tjera janë përfaqësuar me më shumë prodhime filmike para preselektorëve gjermanë, të cilët nga data 13-17 nëntor kanë parë afro 130 filma ballkanikë, pretendentë për premierë botërore në Festivalin e Berlinit. Por edhe këto filma janë pjesë e fazës së parë të përzgjedhjes, në të cilën duhet të kalojë një film për në Berlinale. Më pas do të jenë selektorët e festivalit, të cilët mbi bazë të rregullave të tyre do të bëjnë dhe përzgjedhjen përfundimtare të filmit që do të shfaqet premierë botërore në “Berlin 2012”. Për herë të parë në këtë fazë përzgjedhjeje u përfshi edhe Kosova me 6 filma. Kjo është hera e parë gjithashtu që Shqipëria u bë vendtakimi për prodhimet kinematografike nga Ballkani. Një vit më parë, Shqipëria u përfaqësua në kategorinë “Forum International” me filmin “Amnistia” të regjisorit Bujar Alimani.

“Farmakon” me Kastro Zison, synojnë premierën botërore në Berlin

“Farmakon” me regji të Joni Shanajt, është një prodhim i vitit 2010, ku në rolin kryesor luan një personazh tipik mediatik. Me emrin e artit e njohin Kastro Ziso, por emrin e vërtetë e ka Klevis Bega. Mes shumë eksperimenteve Kastro Ziso provoi edhe aktrimin, e pikërisht në filmin e regjisorit Joni Shanaj, i cili i propozoi të luajë personazhin me emrin Brankon, një karakter i dyfishtë brenda një qenieje. Në krah të Kastro Zisos është një aktore profesioniste, si Olta Gixhari. Branko është një djalë i ri, që dashuron dhe vuan. Është një farmacist, që duket sikur jeton jashtë botës, por në të vërtetë ai e njeh mirë atë.

Ndërsa filmi tjetër me metrazh të shkurtër “Ditët e fundit të Loro Shestanit”, vjen me regji të Sokol Kerajt. Ky film është financuar nga Këshilli i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe producent është ‘Zig Zag Film’. Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›