Fier, 11 zona kadastrale pa certifikatë pronësie
>Pas ecejakeve të vazhdueshme në zyra e institucione, një pjesë e mirë e fermerëve të rreth 11 zonave kadastrale në rrethin Fier, ende nuk kanë mundësi të kryejnë transaksione për tokën bujqësore, pasi nuk kanë në dorë certifikatën e pronësisë për tokën e shpërndarë në bazë të ligjit 7501. Në këto zona përfshihen edhe 2 zona në qytetin e Fierit, ndërkohë që pjesa tjetër u përket disa fshatrave të rrethit.
Sipas kreut të zyrës së regjistrimit të pasurisë së paluajtshme në Fier, Tomorr Allkushi, zonat në fjalë nuk kanë mundur të hyjnë në sistem nga projekti i Bankës Botërore, projekt i cili ka nisur qysh në vitin 1994. E ndërsa një pjesë e fermerëve presin për zgjidhjen e këtij problemi, kreu i ZRPP është shprehur se zgjidhje mund të gjendet vetëm në raste emergjencash dhe vetëm nga zyra qendrore me regjistrime të veçanta dhe vërtetim hipotekor. "Ne mund të kryejmë vetëm shërbime që i quajmë të veçanta dhe emergjente që lidhen ngushtë me probleme familjare si ndërtime etj dhe nuk mund të bëjmë asnjë veprim tjetër. Dihet tashmë që zonat kadastrale janë 11 dhe nuk kryejnë transaksione për sipërfaqen e tokës bujqësore. Dy prej këtyre zonave janë në Fier e ndërsa pjesa tjetër shtrihet në Patos e Roskovec, dhe veç një vërtetimi hipotekor, nuk mund të zgjidhen me asnjë dokument tjetër. 2 zonat në qytet së shpejti do të futen ne sistem regjistrimi dhe është zhvilluar edhe tenderi për këtë qëllim dhe të gjithë fermerët do të mund ti drejtohen zyrave të ZRPP për të bërë edhe regjistrimin e zonave", është shprehur Allkushi, duke vijuar më tej se pjesa më e madhe e zonave kadastrale janë futur prej vitesh në sistem hipotekor, ku përfshihen rreth 107 zona, duke lehtësuar procedurat dhe përmbushur kërkesat për veprimet për qytetarët. Pritet së shpejti edhe përfshirja e 11 zonave në sistem, duke u dhënë mundësi fermerëve që të kenë në dorë certifikatën e pronësisë dhe të drejtën e shitblerjeve dhe transaksioneve të ndryshme.