Vlorë, ndëshkim kolektiv për debitorët, 2 ditë pa ujë lagja 11 janari
>Lagja 11 janari në qytetin e Vlorës nuk është furnizuar me ujë nga ujësjellësi qysh prej dy ditësh, për shkak se disa banorë të saj nuk kanë paguar prej kohësh faturën e mbërritur në banesën e tyre. Dënimi nga kjo ndërmarrje është bërë kolektiv sepse është e pamundur ndërprerja vetëm e abonentëve që nuk kanë paguar detyrimin mujor.
Sipas drejtorit të ndërmarrjes së ujësjellësit, Viron Hysi, ndërprerja është bërë pasi kjo lagje është paralajmëruar disa herë përmes shumë thirrjeve për të paguar faturat e ujit, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Aktualisht kjo lagje ka një përqindje tepër të ultë të pagesave, e cila arrin vetëm në 25 %. Kjo pagesë e ulët, si në asnjë lagje tjetër, e ka detyruar këtë ndërmarrje të marrë këtë masë drastike. Kemi shkuar deri shtëpi më shtëpi për ti lajmëruar abonentët tanë për të bërë pagesat e ujit të harxhuar, por askush nuk i është përgjigjur thirrjes sonë. Kemi bërë edhe njoftime publike, me afishe vendosur nëpër lagje dhe me njoftime nëpër median televizive lokale, por edhe kjo nuk e ka sensibilizuar opinionin e kësaj lagjeje dhe në këto kushte kemi marrë këtë masë drastike, është shprehur Hysi. Por reagimet nuk kanë munguar në këtë rast. Kanë qenë abonentët e rregullt të kësaj lagjeje, të cilët kanë kërkuar nga kjo drejtori ndërprerjen e ujit vetëm për ato familje që janë debitore ndaj saj. Por sipas drejtuesve të ndërmarrjes, vetëm kur të paguhen debitet, do të lëshohet uji në lagje. Në të kundërt, nuk do të ketë asnjë lëshim në këtë drejtim. Por mesa duket kjo nuk do të realizohet sepse nuk shikohet asnjë reagim nga banorët dhe shumë pak prej tyre kanë shkuar të shlyejnë detyrimet ndaj ujësjellësit. Ndërprerja e ujit për familjet debitore por edhe subjektet private pa licencë, ka prekur edhe lavazhot e qytetit. Vetëm gjatë një aksioni të ndërmarrë nga ujësjellësi gjatë ditës së djeshme, u është ndërprerë uji 23 lavazhove që punonin me ujë të pijshëm. Juristi i kësaj ndërmarrjeje, Valdet Bello theksoi gjatë aksionit se ky i fundit është ndërmarrë në kuadrin e shlyerjes së të gjithë debive ndaj kësaj ndërmarrjeje dhe në vend është mbajtur procesverbali i ndalimit të ujit dhe gjobitjes së këtyre lavazhove që gjallojnë në gjithë qytetin, më së shumti në anë të rrugës Tansballkanike. Por pasdite, lavazhot e gjobitura janë parë në funksion sërish, duke u dhënë shpresë edhe banorëve të lagjes 11 janari, se edhe atyre do tu rikthehet uji, pavarësisht nëse i paguajnë apo jo faturat ndaj ujësjellësit.