E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më antikomunistët, si komunistët më të fundit në Europë!!!

>Nga Besi BEKTESHI
Në vitin 1953, shteti më komunist i Evropës pushkaton në fshatrat e Shkodrës një rë ri.
Familja e tij internohet dhe heqin kalvarin e tashmëditur të diktaturës. Sot kur medemek do të merren edhe lekët e internimeve dhe të pushkatimeve e motra e këtij të pushkatuari, nuk merr dot dëmshpërblimin (si mund ta quajmë) sepse nga Ministria e Drejtësisë me nene dhe ligje i thonë se i ndjeri nuk ka lënë fëmijë dhe grua.... Të tjerët me sa duket nuk bëjnë pjesë, sepse ai që u pushkatua, nuk ka pasur familje të tijën. Kjo është një pjesë e ligjit për pikërisht dëmshpërblimin. Por kemi edhe problemin e ish pronarëve dhe kalvarit të tyre me ligjësinë tonë mbi pronën ku zaptuesit po marrin sot prona dhe pronarët po shikojnë se si prona, legalizohet për të tjerët. Ka me qindra dhe mijëra shembuj që tregojnë edhe ligjësinë tonë antikomuniste që është kaq shumë anti, sa që ngjan si dy pika uji me vetë komunizmin.
Pra në dy pika ku komunizmi ndahet me botën e lirë dhe demokracinë, ne jemi diku më afër të parit, duke bërtitur se jemi plotësisht afër të dytit sistem. Por maskarada më e fundit është ligji i lustracionit dhe dënimit të krimit komunist. Ky është i treti moment që bërtasim si maxhorancë së paku se jemi vërtetë antikomunistë dhe që do të dënojmë krimin dhe spiunët e komunizmit. Duke mos u marrë shumë me socialistët që asnjëherë në fakt nuk janë bërë të gjallë të pranojnë haptazi dhe qartë se dënojnë çdo rrënjë komunizmi në trashëgiminë e tyre dhe nuk ka bërë asnjëherë një lustracion partiak për spiunë të mundshëm në radhët e tyre apo edhe të pastrojnë ish anëtarë të lartë dhe ministra apo edhe shërbëtorë të zellshëm të diktaturës, duhet thënë se PD-ja po luan keq jo vetëm me kartën e pastrimit të krimit komunist, por edhe me veten dhe ato që vijnë mbas saj. Ishte më se e qartë se Evropianët, por edhe Amerikanët nuk do të pranonin një ligj Lustracioni që nuk ka në bazë sinqeritetin. E kanë thënë në fillim dhe po e thonë edhe tani, dhe arsyet janë renditur prej tyre, duke filluar nga këmbët, që është pjesa e aprovimit të tij pa opozitën, por që në fakt dihet se po të fillosh nga koka, është vonesa e madhe e të bërit të tij dhe avancimi në demokraci së bashku me spiunët dhe ish komunistët si dhe targeti për të goditur prokurorë dhe gjyqtarë tani së bashku me rënien ndesh me kushtetutën. Ligji ka pasur pasoja edhe brenda vetë PD-së. Pasoja më e madhe është goditja e Biberajt si shkarkim nga kreu i delegacionit shqiptar në KE edhe pse duket sikur nuk ka shumë lidhje me dosjet, Por ka edhe në PD disa të tjerë që nuk janë kaq shumë antikomunistë sa të besojnë se Evropa dhe Amerika nuk e dinë se ne kemi qenë komunistët e fundit në kontinent që ndryshuam, dhe se jemi po të fundit që lustrohemi dhe po të fundit, që përfaqësohemi lart me ish komunistë.
Sot bërtitet shumë se do të denoncohen krimet e komunizmit se ato që nuk duan lustracionin që demokratët e aprovojnë vetë dhe që i bien ndesh kushtetutës  duhet të çlirohen nga komplekset e të shkuarës. A thua se këto komplekse i kanë vetëm ato atje dhe nuk i ka edhe kjo këtu, që është maxhoranca!! A tha se nuk kishte kohë pikërisht kjo maxhorancë që i mori e para dosjet dhe kriminelët jo vetëm spiunë, por edhe bashibozukë dhe vrasës të komunizmit dhe nuk ju bëri asgjë që vitet e para të pushtetit të saj!!?
Përkundrazi, bëri disa gjyqe të poshtra, ku Nexhmijet dhe Ramizët dolën edhe të persekutuar politikë dhe disa mijëra sigurimsa i integruan në parti dhe pushtet edhe pse kishin marrë në qafë dhjetëra mijëra njerëz. Tani kur Evropa deklaron se duhet konsensus, se duhet zbatuar kushtetuta, se ka probleme me drejtësinë dhe tani kur dihet se ka disa syresh që punojnë në drejtësi dhe prokurori dhe kanë në dorë dosje të krimit mafioz dhe korruptiv, tani arrihet të bëjnë antikomunistët duke paralajmëruar qartas se do të vazhdojnë punën e tyre edhe pse bota demokratike, vazhdon ti qortojë mbi ligjin. Për më tepër se kritikat vijnë edhe për procedurën dhe përmbajtjen e ligjit dhe kuptohet qartë se këtë e kërkojnë nga që ligji vetë, është bërë me arsye jo shumë afër lustracionit se sa për arsye të bojatisjes përpara ndërkombëtarëve dhe të largimit të shtatë, apo shtatëmbëdhjetë personave në drejtësi.
Në fakt edhe këtu jemi më afër veprimit të dikurshëm ideologjik dhe partiak, se sa ligjësisë demokratike të dënimit të krimeve dhe bashkëpunëtorëve në krim të komunizmit dhe sigurimit të shtetit si vegël e partisë. Më e keqa në këtë mes është se në sytë dhe vëmendjen e EU-së dhe USA-së në vitin 2009-të, po dalim sërish të pa ndreqshëm nga virusi i keq i diktaturës dhe komunizmit. Kështu jo vetëm që nuk do ta pastrojmë shoqërinë nga spiunët dhe bashkëpunëtorët në krim, nga partiakët e devotshëm që për fat të keq i kemi edhe sot, por nuk do të pastrohemi as nga vesi i të bërtiturit si antikomunist për të vepruar pastaj si një komunist dhe për më tepër, i pandershëm. Po, i pandershëm, sepse një komunist që pranon edhe sot e kësaj dite se ka pasur një ideal dhe që e ka ndjekur atë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, mund të respektohet për qëndrimin e  tij. Kurse një komunist, që bërtet si antikomunist dhe vepron me vite në ngjashmëri të plotë me besimin e tij të parë, është pandershmërisht i pandreqshëm. Po tentojmë ti mbushim mendjen botës se jemi antikomunistë dhe po veprojmë si me formimin e ligjit, si me aprovimin e tij, si me targetin real të tij dhe si me aftësinë për të mos dëgjuar as të huajt në këtë drejtim, pikërisht si komunistë. Kjo është e tepërt. Po pse them gjithmonë NE?? Po sepse i gjithë spektri politik dhe kryesisht PD dhe PS kanë faj të madh. Kanë faj të madh në lustracion, sepse asnjëherë në mënyrë të sinqertë dhe të pastër politikisht edhe pa urdhrin dhe standardin e Evropës  nuk e kanë bërë prej kohe ligjin në fjalë edhe pse kanë pasur tentativa në 95-sën. Pikërisht një ligj të thellë dhe të bindshëm se po pastrojmë shoqërinë, nga horrat dhe horrllëqet e komunizmit.
Për më tepër, se kemi qenë më të pashpirt si klikë dhe shoqëri e ideoligjizuar dhe më mesjetarët në zbatimin e komunizmit. Vazhdojmë të turpërohemi në sy të atyre që tashmë na njohin si shoqëri dhe klasë politike e pa ndershme edhe me ndjesi të tilla, që kanë të bëjnë me vuajtet dhe persekutimet e një populli të gjithë, dhe për pushkatimet dhe internimet e një pjese të tij. Turp dhe nuk ka ku të shkojë më shumë se kaq. Po është e drejtë që deri në 89-tën (siç thotë Topalli) i kanë zvarritur me litarë dhe tela në fyt të vrarët dhe të spiunuarit në qytetet tona. Por kjo është një akuzë për të gjithë klasën tonë të pandershme politike, që gjatë 20-të viteve më pas, nuk e bënë një ligj për të dënuar të gjithë krimin dhe kriminelët, por e bëjnë sot në mënyrë skenike dhe megalomane, të një shënjestre krejtësisht tjetër, me pikërisht lustracionin e kërkuar.

Last Updated on Thursday, 29 January 2009 23:40

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›